~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 27

Besoj se e ke provuar ndonjëherë atë ndjesinë kur, nga mëngjesi në mbrëmje, dita kalon e tëra sikur të ishin vetëm tri minuta. Dëshiron të bësh diçka, por nuk e di se çfarë. Nuk ke ide! Dhe kjo të nervozon. Të kujtohet thënia: “Për të jetuar, nuk na duhet askush”. Por ti tashmë e di se, për ta shijuar jetën, na duhet diçka më shumë. Na duhet frymëzim. Ke nevojë ta ndiesh se atje, diku, është dikush që të vlerëson edhe atëherë kur e humb vlerësimin për veten. Sonte, ky mendim më kthen mbrapa në kohë. Më kthen te çasti i frymëzimit kur krijova personazhin e Lindës[1]. Para se ta krijoja, në të vërtetë e kisha përimtuar me kujdes të madh imazhin e dikujt që këtu do ta quaj Linda reale. Ky imazh ishte aq i fuqishëm, saqë Linda si personazh i rrëfimeve të mia është pothuajse një klonim artistik i Lindës së vërtetë. Madje tregova aq kujdes në detaje, sa nuk lashë pa përshkruar as edhe nishanet në fytyrën e saj. Linda e njëmendtë ishte femër e përkorë, ashtu siç ishte edhe Linda si personazh.

Pata njëfarë gjakimi të beftë për ta krijuar e për ta pasur vetëm për vete këtë personazh në rrëfimin tim. Qe vetëm një çast ai, kur i thashë vetes se duhej ta sendërtoja këtë dëshirë. Një çast i vetëm.

Gjatë kohës që kam punuar me Lindën e vërtetë, kam provuar një lloj tërheqjeje të çuditshme, të paemër, të papërcaktuar, sa herë ndodhesha afër saj. Në të vërtetë, ajo ishte shumë e bukur, por nuk mund të them se e kam dashuruar. Nuk ishte dashuri. Ishte diçka tjetër. Po ndërkaq isha i bindur se, në praninë e saj, edhe truri im punonte më mirë. I ndodhur në këtë gjendje, më erdhi edhe frymëzimi që të shkruaja diçka vetëm për kënaqësi të shpirtit tim. Të shkruaja rrëfimin tim për Lindën.

Por rrëfimin e mendova më shumë si një himn për Lindën, një përpjekje për të përjetësuar imazhin e asaj femre të mrekullueshme. Mbi të gjitha doja që imazhi i saj të bëhej i pavdekshëm dhe, nëpërmjet personazhit tim, të gjithë të ndienin magjinë që ndjeva unë atëherë kur u frymëzova. Nuk po e zgjas me shpjegimet e mia, sepse me siguri të intereson të dish se si ndodhi që Linda e vërtetë të shndërrohej në Lindën- muzë.

Lufta në Kosovë sapo kishte filluar dhe Prishtina gëlonte nga gazetarët e huaj që raportonin për luftën. Për ata që dinin anglisht, ky ishte një rast i mirë për të fituar ndonjë gjë, sepse gazetarët e huaj vazhdimisht kërkonin përkthyes. Unë fillova të punoj si përkthyes për një ekip gazetarësh amerikanë. Dhe pjesë e këtij ekipi ishte edhe Linda. Që në çastin e parë e kuptova se ajo ishte ndryshe jo vetëm nga femrat tjera, por ndryshe edhe nga gjithë ne të tjerët. Asokohe kalonim nëpër situata vërtet të çuditshme, që më së shumti ishin të frikshme e dëshpëruese. Por në të gjitha ato situata, Linda kishte një vetëpërmbajtje të lakmueshme dhe dinte ta ruante me aq natyrshmëri qetësinë, sa shpesh bëhej burim force dhe për ne të tjerët.

Kur kam punuar me personazhin e saj, kam pasur në mendje pikërisht këtë cilësi të karakterit të saj. Pra, Linda e rrëfimit tim duhej të ishte e tillë: burim i forcës për të tjerët. Ajo do të duhej të ishte një gjenerator jete, që do të punonte pandërprerë përkundër shtytjes së personazheve tjerë, të cilët do të takonin vdekjen.

Kur e përfundova rrëfimin, ia dhashë që ta lexonte. I thashë se doja mendimin e saj. Pasi e lexoi, më dha vetëm një buzë- qeshje dhe një koment tepër të shkurtër: “Edhe mamasë sime i pëlqeu”.

E tillë ishte ajo. E bukur dhe e zgjuar. Një ndërthurje fatale. Pavarësisht situatës ku mund të gjendej, ajo gjithnjë dinte ta përmbante veten. Mbi të gjitha, gjithnjë dinte të transmetonte sinjale pozitive dhe inkurajuese.

Po tregoj edhe një histori tjetër, që ta kuptosh më mirë këtë veti të personalitetit të saj. Atë që unë, asokohe, e quaja “një gjakftohtësi e ëmbël”.

Në çastin kur në mendje m’u qartësua ideja e rrëfimit që do të shkruaja, ndihesha i tejmbushur me energji. Rrugët e Prishtinës më dukeshin të ngushta dhe kisha përshtypjen se ato nuk e nxinin dot energjinë që vinte pas meje e që përhapej në të dy krahët. Dhe për këtë, doemos, më duhej të shprehja falënderimin tim për Lindën e vërtetë. Nuk më dukej e ndershme që ta mohoja faktin se ajo ishte shndërruar në një muzë magjike, e cila më kishte ndihmuar të zbërtheja një kronologji shumë të ndërlikuar të ngjarjeve që do të përshkruaja në rrëfimin tim. Por si t’ia shprehja e çfarë të bëja? Një fjalë nuk mjaftonte.

Si artist, ndieja nevojën që mirënjohjen time t’ia shprehja me delikatesë dhe me një gjest fisnik. Vendosa të blija një tufë të madhe me trëndafila të bukur dhe t’ia dhuroja. Në botën time, trëndafilat shprehin diçka fisnike dhe, ngaqë Linda ishte një femër vërtet moderne dhe e kulturuar, e dija se ajo do ta merrte këtë si një gjest fisnikërie dhe aspak ndryshe.

I bleva trëndafilat, por ndërkaq, papritur, u ndodha para një vështirësie që nuk e kisha menduar dhe aq mirë. Sepse nuk mund ta takoja Lindën. I vetmi vend ku mund ta takoja ishte në konferencën për shtyp, që asokohe mbahej në sallën e vogël të konferencave të Presidentit të Republikës. Aty ishin të gjithë gazetarët, vendës dhe të huaj, si dhe një pjesë e mirë e elitës politike të kohës.

Trëndafilat ishin të freskët dhe nëse nuk ia jepja në kohë, ata do të vyshkeshin, gjë që, assesi, nuk do të lejoja të ndodhte. E mblodha veten dhe vendosa se duhej ta bëja. Dhe kështu, me tufën e trëndafilave në dorë, u futa në sallën ku Presidenti po bëhej gati të fillonte konferencën. Në çastin që hyra në sallë, e gjithë vëmendja u përqendrua tek unë – në të vërtetë, tek trëndafilat – ndërsa ecja drejt Lindës. Ecja thuajse krejt mekanikisht, sepse as nuk arrija t’i shihja dot më e as nuk i dëgjoja ata që bubërronin përreth. Thuajse ndodhe- sha në një gjendje topitjeje, shtangieje, ku vetëm këmbët më shumë zvarriteshin se ecnin, ngaqë kërkonin ta mposhtnin ndjenjën e drojës dhe turpit që më kishte kapluar. Pastaj… Pastaj, nuk di se si, por një nxitje e beftë së brendshmi, një shkëndijë a nuk e di mirë se çfarë ishte dhe kush ma dërgoi, më bëri të ecja me hapa heroi, ndonëse në fytyrë ruaja ende një buzëqeshje të ngrirë, ngaqë shikimet e të gjithëve ishin mbërthyer tek unë. Më në fund u afrova dhe ia dhashë trëndafilat. Në çastin kur ajo i mori në duar, u ndjeva i lehtësuar e sikur e tërë bota u bë e imja. Vetëm atëherë i dëgjova duartrokitjet e gazetarëve të huaj dhe për një çast m’u duk vetja sikur isha në një film të Hollivudit. Sikur e gjithë salla po rrotullohej përreth meje dhe unë isha në qendër të vëmendjes. Ishte një fanepsje e bukur, por nuk përfundoj me kaq. Posa pushuan duartrokitjet, Presidenti m’u drejtua dhe tha: “A mund ta filloj konferencën tani?”

Në çast, për pak sa nuk vdiqa nga turpi. Edhe sot e ruaj në kujtesë buzëqeshjen dashamirëse të Presidentit. Ai ishte vërtet një njeri me shpirt të madh, por edhe të bukur. Më bëri të ndihesha njeriu më i rëndësishëm në botë. Dhe aty u binda se, në jetë, fitojnë vetëm atë që kanë guxim. Ata që nuk e presin të nesërmen për të bërë atë që mund të bëhet sot.

Shumë vite më vonë, ndërsa kujtoja këtë që tregova, kam shkruar këto radhë:

Gjithherë mendojmë se kemi kohë sa të duam dhe se mund t’i bëjmë gjërat kur të dëshirojmë. Madje harrojmë se jemi të vdekshëm dhe besojmë se do të jemi përgjithmonë këtu! Kush deri sot ka qenë i pavdekshëm, që të jesh edhe ti i tillë?

Mos e mallko jetën. E as mos mendo se, sikur të ishe dikush tjetër, do të bëje kushedi se çfarë. Edhe sikur të ishe dikush tjetër, do të kishe probleme që do të të kishin sjellë në të njëjtin përfundim. Prapë do të kishe përjetuar të njëjtat gjëra, por vetëm pak më ndry- she, sepse njeriu kurrë nuk është i kënaqur me atë që ka dhe gjithnjë lakmon diçka tjetër. Shfrytëzoje çastin, sepse e shkuara nuk kthehet, ndërsa e ardhmja mund të mos vijë kurrë. Bëhu i thjeshtë dhe jep vetëm atë që ke në zemër.

Këtë kisha bërë edhe unë atë ditë: kisha dhënë më të bukurën që kisha në zemër.

[1] Edhe pse këto shënime janë fiction, këtu autori i referohet Lindës që është një nga dy personazhet kryesore te romani “Bombë në Beograd”