~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 26

Je lodhur! Je mërzitur nga gjithë ato kotësi që përsëriten çdo ditë. Nuk ke më fuqi t’i përballosh vampirët që nuk dinë të ngopen duke u ushqyer në dëshpërimin tënd. Dëshiron të shtrihesh dhe të dorëzohesh. Klith se nuk e do më jetën.

Hej!

Ti nuk duhet të thyhesh. Nuk do të ta lejoj.

Harroji lotët, se do të qaj unë për ty.

Nëse duhet, edhe në shpinë do të të mbaj.

Do ta dua jetën dyfish më shumë. Do ta dua edhe për ty. Do ta dua, sepse vetëm nëpërmjet teje vetë qenia ima merr kuptim.

Andaj mos gabo të më thuash se je dorëzuar. Mos gabo të më thuash se të kanë mposhtur.

Duaje jetën. Duaje jetën edhe për mua.

Se edhe Parajsa do të më shndërrohet në Ferr, nëse amshueshmërinë duhet ta kaloj pa ty.