~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 22

Edhe këtë natë do të flas për magjinë e frymëzimit. Dua që ti ta kuptosh se shkrimtarët nuk e shohin botën si njerëzit e tjerë. Shkrimtari sheh atë që nuk shihet dhe ndien atë që njerëzit e zakonshëm nuk dëshirojnë ta ndiejnë.

Në përpjekje që ta gjejë pak qetësi, njeriu i zakonshëm synon të shkëputet nga bota. Kjo shkëputje është një nga mënyrat që ai përdor për t’u mbrojtur nga goditjet që i jep jeta. Shkrimtari synon të bëjë të kundërtën. Shkrimtari i vërtetë synon të jetë një me gjithë të tjerët. Këtë unë e përcaktoj kështu: ta ndiesh botën se si frymon përreth teje. Këtë bëjnë, pra, shkrimtarët e vërtetë. Dhe kjo është arsyeja pse rrëfimet e tyre janë shumë të thjeshta dhe pse gjithkush mund ta gjejë vetën diku në atë rrëfim.

Kjo lidhje me botën mund të ndodhë vetëm atëherë kur shkrimtari frymëzohet. Frymëzimi shndërrohet në faktorin e vlerës së shtuar, që i krijon mundësinë shkrimtarit të lidhet me botën përreth. E tëra është si një gjendje transi. Një gjendje hipnotike. Shkrimtari zhvendoset brenda një pike të vetme në hapësirë dhe kohë, ku gjithçka ndodhë përnjëherë. Një pikë magjike, ku shqisat e njeriut fitojnë një kuptim të ri. Në atë gjendje, shkrimtari e kupton se shpirti i tij është pjesë e një tërësie më të madhe. Ai e ndien se në të vërtetë të gjithë jemi një. Të gjithë përjetojmë po të njëjtat dhimbje, po të njëjtat gëzime, po të njëjtat dështime. Shkrimtari e kupton se në të vërtetë ekziston vetëm një rrëfim për t’u rrëfyer. Një rrëfim i vetëm, që mund të rrëfehet në mënyra pafundësisht të ndryshme. Rrëfimi për njeriun në përballje me jetën.

Për njeriun e zakonshëm, e gjithë kjo mund të duket absurde. Por, nëse e mendon më thellë, atëherë e kupton pse ka aq pak artistë të vërtetë në botë. Zhvendosja brenda kësaj pike magjike, ku artisti shkrihet me universin dhe e ndien të gjithë botën, është diçka që pak njerëz mund ta bëjnë. I gjithë arti i shkrimtarit buron nga kjo zhvendosje.

Këtë që ta shpjegova, dua ta ilustroj me një shembull nga përvoja ime. Në një periudhë shumë të vështirë të jetës sime, një periudhë kjo kur e kisha humbur besimin në vetë jetën, rashë në një gjendje depresioni të thellë. E kisha humbur vullnetin për gjithçka. Dhe e vetmja që mund të bëja ishte që, nga mëngjesi deri në mbrëmje, në mënyrë mekanike, ta harxhoja kohën kot. Gjithçka ishte e organizuar brenda një rutine që nuk ndryshonte në asnjë detaj. Si pjesë e kësaj rutine, rrugës për në punë, çdo mëngjes, në orën tetë, ndalesha në një supermarket për të blerë një shishe ujë dhe diçka të vogël për të ngrënë. Pas disa ditësh, fillova të vija re një zonjë të bukur rreth 30 vjeçe, e cila, po ashtu, në të njëjtën kohë si unë, vinte për të blerë diçka.

Tek ajo kishte diçka që e dallonte nga të tjerat. Në çdo lëvizje, në çdo fjalë që thoshte, në çdo shikim, më përcillte një energji të madhe. Në sytë e saj shihja mërzi, por në të njëjtën kohë shpirti i saj reflektonte edhe një dashuri fisnike për jetën. Kisha përshtypjen se, përkundër sfidave të jetës, ajo kishte zbuluar një mënyrë që të ishte e lumtur. Ajo reflektonte pozitivizëm. Tejçonte atë që mua më duhej më shumë se kurrë.

Dhe kështu, kjo zonjë e bukur u bë pjesë e rutinës sime. Tani, çdo mëngjes, ndaloja te supermarketi jo më vetëm për të blerë ujë e diçka të vogël për të ngrënë, por edhe për ta takuar këtë zonjë të mrekullueshme. M’u krijua përshtypja se, në çdo takim, një pjesë e energjisë pozitive kalonte nga ajo tek unë.

Dhe kështu vazhdoi ditë pas dite, derisa një mëngjes ndodhi magjia. Ndërsa isha duke pritur në radhë për të paguar dhe, me shumë kujdes, vështroja çdo lëvizje të saj, pa paralajmërim, vetëdija ime u zhvendos brenda pikës magjike ku gjithçka ndodh përnjëherë. Isha një me universin. Nëpërmjet saj, unë ndieja të gjithë botën se si po frymonte përskaj meje. Mendime dhe ndjenja të pafundme kaluan përnjëherë nëpër shpirtin tim. Isha në gjendje transi. I gjithë ai vrull ndjenjash dhe mendimesh vërshoi bashkë më një ndjenjë qetësie dhe lumturie të heshtur. Dhe aty për aty më dolën lot nga sytë. Kisha zbuluar një muzë magjike.

Më interesantja në gjithë këtë histori është se kjo magji funksiononte vetëm në atë supermarket dhe vetëm në orën tetë të mëngjesit. Unë e takova atë edhe në vende tjera, por nuk ndieja asgjë. Kur e takoja në vende tjera, ajo ishte vetëm një bukuroshe më shumë, që meshkujt e vështrojnë vjedhura- zi, ndërsa në orën tetë të mëngjesit, aty duke pritur radhën në supermarket, ajo ishte muzë.

Ndjenjat e mia në lidhje me këtë përjetim i kam shprehur në këto vargje:

Sa të ngjashëm jemi unë dhe ti!

Aq shumë, sa kjo ndonjëherë më frikëson!

Me vite të kam parë se si ecën rrugëve të njëjta që eci edhe unë.

Në heshtje i shkelnim gjurmët e njëri-tjetrit!

I verbër isha unë?

I paaftë ta shoh se i njëjti zjarr i jetës digjet edhe tek ti?

Apo ndonjë magji tërë kohën të fshehu nga unë?

Dhe në këto vargje fshihet edhe një e vërtetë tjetër e madhe: te muza, shkrimtari sheh diçka nga vetja e tij. Mbi të gjitha, sheh dhe e ndien zjarrin e jetës. E vetmja forcë që mund të ndërtojë gjithçka në natyrë.

Me të drejtë mund të pyesësh: po çfarë ndodh ndërkohë? Çfarë bën shkrimtari atëherë kur nuk shkruan, atëherë kur nuk është i frymëzuar? Edhe ai, si gjithë të tjerët, duhet të përballet me jetën. Atë e dallon nga të tjerët vetëm nxitja për jetën. Pa frymëzim, ai ndihet i humbur. Dhe kjo e bën të vuajë.

Tani, pyetja tjetër do të duhej të ishte: a është e lehtë të jetohet me një shkrimtar? Jo! Nuk është e lehtë dhe këtë nuk mund ta bëjë gjithkush. Shkrimtari nuk ka nevojë për grua apo të dashur në kuptimin e ngushtë të fjalës. Ai nuk mund t’i takojë askujt. Nuk mund ta pranojë pronësinë e askujt mbi shpirtin e tij, sepse ai ka nevojë për liri. Shkrimtari ka nevojë për një grua që, mbi të gjitha, është shoqe. Ka nevojë për një të dashur që, po ashtu, mbi të gjitha është shoqe. Ajo duhet të jetë lexuesja e parë. Ajo duhet të jetë kritiku i parë. Ajo duhet ta ketë zemrën e gjerë, që ta kuptojë se shkrimtari shkruan për të gjithë njerëzimin dhe jo për një njeri të vetëm. Ajo duhet të jetë një engjëll mbrojtës, që e mbron shkrimtarin nga persekutimi i një shoqërie paragjykuese. Ajo duhet të jetë një shpirt i madh e të kuptojë se një shpirt rebel duhet të jetë i lirë. I lirë të fluturojë në të katër anët e botës, duke e ditur se caku i fundit është kthimi në folenë e tij. Dhe ky besim në pa- prekshmërinë e folesë së tij është frymëzimi më i madh që e nxit të ecë përpara.