~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 21

Edhe sonte jemi bashkë. Edhe sonte mendimi për ty i tremb fantazmat që ma kanë robëruar shpirtin për shumë vjet. Edhe sonte i them vetes se duhet ta mbaj premtimin. Duhet ta vazhdoj rrëfimin.

Sonte dua të flas për magjinë e muzës. Dua të zbuloj se prapa çdo artisti qëndron një krijesë mitike, që e sheh dhe e ndien vetëm artisti. Muza i tregon artistit se si mund ta për- shfaqë shpirtin e vet.

Çdo artist e ka dikë prej nga merr frymëzimin. Dikë që ka çelësat e një bote të mistershme, prej ku burojnë të gjitha idetë që njerëzit e zakonshëm nuk mund t’i kuptojnë e as t’i ndiejnë. Ndërsa unë kam dikë që është personifikimi i femrës së përsosur dhe subjekt i një dashurie fisnike. Kam një dashuri që dritëson e ngrihet mbi intrigat dhe stërkëmbësat e jetës së rëndomtë, një dashuri pa interes, pa kushte. Një dashuri që është e lidhur drejtpërdrejt me burimin e dashurisë së pashtershme, që Zoti e ndien për të gjitha krijesat e tij.

Ajo është personifikim i asaj që të gjithë poetët, këngëtarët, piktorët, skulptorët dhe të gjithë artistët e tjerë i kanë kushtuar të gjitha veprat e tyre. Ajo është dikush që do t’i bënte hije edhe Helenës së Trojës, sepse bukuria që shihet me sy është vetëm një pjesë e bukurisë së saj të vërtetë. Ajo çka është me më shumë vlerë, fshihet si margaritar brenda në shpirtin e saj. Ajo është një rreze e artë që shndrit nëpër tërë botën, ndërsa vetë bota është shumë e vogël për t’i shtrirë të gjitha ëndrrat e saj!

Da Vinçi e ka quajtur Mona Liza. Dikush edhe mund të mendoje se Mona Liza është mit! Një tjetër edhe mund të mendojë se nuk është e mundur që të ekzistojë dikush si ajo apo dikush si ti, por unë e di atë që të tjerët nuk e dinë. E di se mjafton vetëm që hija jote të kalojë nëpër këtë botë dhe i gjithë universi mbushet me jetë. Edhe më e vogla shkëndijë më jep krahë dhe atëherë idetë më të bukura bëjnë garë me njëra-tjetrën.

Ta kuptosh këtë, duhet të meditosh përtej fjalës ‘dashuri’. Duhet të kalosh nëpër pëlhurën e padukshme, që ndan botën e egër fizike nga ajo e ideve dhe e ndjenjave të pastra. Dhe aty ta ndiesh. Ta përjetosh se sa e vogël është fjala dashuri! Ta kuptosh se të gjitha ndjenjat, kurrë nuk mund të përmblidhen në një fjali!

Një ditë, po shestoja për magjinë e frymëzimit. Se si kjo e ndryshon jetën e artistit. Dhe, vetvetiu, nga shpirti im dolën këto fjalë:

Kam nevojë për tyl

Kam nevojë për ty, sepse ka diçka tek ti që më bën të ndihem i lirë.

Kam nevojë për ty, që të më mbrosh nga ligësia e djajve të fshehur prapa fytyra njerëzish që sillen kudo përreth meje.

Kam nevojë për ty, sepse tani, edhe sikur të dua, nuk mund të kthehem më e të jetoj si më përpara.

Nuk mundem, se ndërkaq e kam parë dritën.

Kam nevojë për ty!

Gënjejnë të gjithë që thonë se frymëzimin e kanë gjetur nën një hije peme, duke parë perëndimin e diellin, duke pirë kafe me qumësht, duke dëgjuar cicërimat e zogjve… Të gjithë gënjejnë! Frymëzimi vjen vetëm nga njerëzit, sepse ne marrim kuptim vetëm në bashkëveprimin me njerëz të tjerë.

Mendo për një çast sikur të jetosh tërësisht e vetmuar në një ishull përrallor. Edhe pse aty janë të gjitha mrekullitë e kësaj bote, vetmia do t’ia zbehte kuptimin të gjitha atyre bukurive. Prandaj dhe të them: frymëzimi vjen nga njerëzit. Vjen nga më e bukura në shpirtin e njeriut.

Megjithatë, këtë dimension mund ta kuptojë vetëm një shkrimtar. Dhe për këtë, jo rrallë herë, shkrimtarët persekutohen, sepse disa njerëz, sidomos ata që nuk lexojnë libra, marrin guximin ta shformësojnë frymëzimin e shkrimtarit. E interpretojnë atë ashtu sipas interesit të tyre. Krijojnë kundërvënie që nuk kanë lidhje me realitetin. E bëjnë këtë sepse frikohen nga mendimi i lirë, nga shprehja e asaj që është në shpirt dhe në zemër. Kjo i tremb, se e dinë që ideja e lirisë përhapet si epidemi.

Për të ikur nga këto kurthe, shkrimtari kurrë nuk duhet të tregojë se kush është muza e tij. Këtë duhet ta ruajë si sekretin më të madh. Ta ruajë në fshehtësinë më të madhe. Si një dokument që ka shenjën “vetëm për sytë e tu”. Përndryshe, shkrimtari mund ta pësojë. Mund ta pësojë mu sikur të ishte heretik.

Mos ki asnjë dilemë. Shkrimtari sheh atë që të tjerët nuk e shohin dhe, natyrisht, bie në dashuri më atë që sheh. Dashuri mbi të gjitha dashuritë e tjera. Por kjo dashuri është e çliruar nga epshet dhe nga nxitjet e tjera që na udhëheqin çdo ditë. Kjo dashuri është aq e pastër sa, vetëm po ta prekësh pak me dorë, ajo do të shkrihet si një fjollë bore.

E tillë je edhe ti.

E brishtë si një fjollë bore.

E dëlirë si engjëll.