~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 19

Sonte nuk jam në gjendje të shkruaj. Ndërsa gjatë gjithë ditës jam ndier keq sepse, për një çast, u turpërova ngase i takoj një rrethi që, në ditë si kjo sot, më mbushin mendjen se gjithçka është vetëm një kompozicion fals dhe i shpifur.

Lajmet sot ishin plot me deklarata për vdekjen tragjike të një artisti. Është interesante se si, menjëherë, të gjithë – artistë, politikanë e gazetarë – u turrën të lëshonin deklarata dhe të shprehin fjalët më të mira për të ndjerin. Fjalë të zgjedhura e fort të bukura, por në vend që të mallëngjehesha, unë u ndjeva i fyer.

Si mund ta bëjnë këtë? Si nuk kanë turp? Sa ishte gjallë ai njeri, as fytyrën nuk donin t’ia shihnin. Madje nuk do të gaboja edhe sikur të thosha se edhe e urrenin!

Në këtë gjendje, e vetmja gjë që më ra ndër mend janë këto vargje që po i ndaj sonte me ty.

Për të vdekurin…

Vetëm të mirat.

Refrene të përgatitura me delikatesë,

Fjalë nga më të bukurat, aq sa edhe të vdekurin do ta ngjallin.

E të gjallit,

Të gjallit i vërsulen si gjakpirës,

Ia thithin edhe dromcën e fundit të dinjitetit,

Derisa të lodhet e të japë shpirt,

Se vetëm i vdekur e meriton një fjalë të mirë!

Kur të vdes, po qe se dëgjon fjalë të mira për mua, mbaji mend këto vargje. Mbaji mend dhe lexoji si testament nga unë. Në fund, shto edhe këto fjalë: Në pidh të së ëmës të gjithë ata që flasin mirë për mua vetëm atëherë kur të vdes.