~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 15

Nata X plus 15

Sonte kam përshtypjen se edhe ti, ashtu si unë, je përhumbur nëpër errësirën e natës. Edhe ti kërkon diçka nëpër errësirë. Kërkon diçka që t’i japë një kuptim të ri asaj që është më e vjetra brenda nesh. Shpirtit tonë!

Të gjithë ne, shpesh humbim në vrullin e heshtur të natës, që befas na kaplon dhe më pas na e vjedh gjumin. Në këtë gjendje, koha fluturon dhe, pa e ndjerë fare, e sheh veten buzë agimit të ditës së re. Ke ndjesinë sikur nata po mundohet ta përpijë krejt atë që ke brenda vetes. Kot! Edhe ti vetë e di se jo vetëm nata, por edhe tërë gjithësia nuk mund ta absorbojë atë që ndien ti. Mos e lodh kokën për atë që gjendet jashtë teje, sepse edhe lart në gjithësi nuk ka asgjë më shumë përveçse kaos. Dhe vetëm Perëndia ka ditur që këtij kaosi t’i caktojë një rregull, në mënyrë që e tërë ajo pafundësi të mos bjerë në konflikt me veten.

Secili prej nesh ka nga një pjesë të këtij kaosi dhe ky, tërë kohën, komunikon me ne. Këtë e ndien edhe ti, sa herë që ky kaos shfaqet brenda teje në trajtën e ndjenjave që nuk mund t’i kontrollosh. Një çast je pak i hidhëruar, tjetrin çast je i gëzuar, pastaj në një gjendje të ndërmjetme e ndonjëherë të ndodh që ndjenjat të vijnë të gjitha njëherësh. Kur të ndodh kjo e fundit, atëherë e ndien më mirë fuqinë e kaosit. Dhe ke përshtypjen se e tërë ajo çka po të ndodh, nuk ka kurrfarë kuptimi.

Ke të drejtë të mendosh kështu, por nuk është e vërtetë se kaosi nuk ka kuptim. Ai ka kuptim dhe ajo që i jep kuptim je vetëm ti, sepse, po të mos ishe ti, të gjitha ato që e për- bëjnë kaosin tënd nuk do të ishin po ashtu. Më beso se gjithçka ndodh për një arsye. Edhe në kaos ka arsye.

Nëse ti e lodh veten duke e sfiduar kaosin, nëse në mendjen tënde fut gjëra të kota në përpjekje që ta mohosh rregullin e kaosit tënd, atëherë askush nuk të ka faj, sepse fajin e ke vetë.

Po!

Ti ke vetë faj sepse, pavarësisht sa i frikshëm të të duket kaosi yt, nuk duhet të trembesh prej tij. Dije se edhe kaosi, ky gramshalesh i frikshëm, fiton kuptim vetëm nëpërmjet teje. Vetë ekzistenca jonë është e mundshme vetëm në atë që unë e quaj harmoni e kundërshtive.

Një flakë që të djeg.

Një lumë që të përmbyt.

E tëra përnjëherë.

E tëra brenda teje.

E tëra brenda meje.

Ndieje këtë dhe ec! Ec edhe mos u ndal, se po u ndale, atëherë je qyqar! Në këtë rast, po u qyqove, do të thotë se e ke tradhtuar veten. Dhe më beso: s’ka gjë më të keqe se kur e tradhton veten.

 

20