~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 13

Unë dhe ti dëshirojmë të njëjtën gjë!

Lumturinë!

Por, a është e mundur kjo?

Ne nuk mund të presim që ndonjëherë të jemi të lumtur, përderisa, si skllevër, kërkojmë mirëkuptim nga ata që na lëndojnë.

Ndalu! Mendo!

Sikur këta njerëz të na kuptonin fare pak, atëherë me siguri që nuk do të na lëndonin.

Mos i mbyll më sytë para së vërtetës. Mos i mbyll sytë, se lumturia është privilegj i atyre që me të vërtetë janë të lirë. Për këtë edhe mendoj se ka ardhur koha t’i çojmë atje ku e kanë vendin të gjithë ata që nuk na vlerësojnë, na keqtrajtojnë, na nënçmojnë. Mendoj se ka ardhur koha që t’i flakim tutje maskat që mbajmë çdo ditë. Të gjithë jemi të njëjtë në këtë pikë. Unë, ti, pothuajse të gjithë. Sot ka shumë pak, për të mos thënë se nuk ka fare njerëz që jetojnë pa maska.

Pyete veten dhe, nëse, së paku në raport me veten, tregohesh e sinqertë, atëherë do të ndihesh ngushtë. Me thënë të vërtetën, të gjithëve duhet të na vijë turp! Një fytyrë për në shtëpi, një fytyrë për në shkollë, një fytyrë për në punë, një fytyrë para miqve… dhe lista vazhdon deri në pafundësi. Gjatë tërë ditës, veten e takon vetëm herët në mëngjes, atëherë kur lan sytë dhe shikohesh në pasqyrë. Prej aty fillon lufta që zgjat tërë ditën, duke ndërruar një maskë pas tjetrës. Duke ndërruar një gënjeshtër me një gënjeshtër tjetër, sikur kjo të ishte gjëja më e zakonshme. Dhe më pas merr guximin të fajësosh tërë botën, ngase askush nuk të kupton e nuk të njeh! Pse pyet, kur ka kohë që e ke harruar veten?

Unë nuk mund të jap përgjigje për askënd. Madje as nuk mund të gjykoj njeri, por e di se maskat e kanë vendin në teatër dhe jo mes nesh. Një ditë, në pasqyrë do të shohin një njeri të moshuar, i cili nuk do të mbajë mend asgjë me vlerë nga jeta e vet. Do të shohim një njeri me ëndrra të parealizuara. Një dëshpërim kronik, ngase asnjëherë nuk pati guxim të luftonte për to.

E di se ka mjaft nga ata që thonë se maskat sot janë të imponuara. Disa e quajnë një lloj diplomacie që u duhet për të mbrojtur veten, disa e quajnë art të të jetuarit, thjesht mjet mbijetese në këtë realitet të egër. Kanë të drejtë. Por, megjithatë, përsëri këmbëngul se duhet të ekzistojë një vijë e kuqe. Një vijë e kuqe që ndan cakun se deri ku bota mund të na përthithë. Nuk duhet të lejojmë të na përthithë deri në zhbërjen e ëndrrave tona. Ëndrrat janë ato që na përcaktojnë individualitetin dhe prej tyre buron edhe prirja jonë natyrore për të qenë të lirë.

S’duhet të kesh asnjë dyshim për këtë. Maskat, ato që mbaj unë, ato që mban ti, ato që mbajmë ne… Këto dreq maskash, që na janë bërë si veshjet e brendshme, po na e mohojnë lirinë.

Dhe tani bëhu gati, sepse nesër, që herët në mëngjes, na pret edhe një përballje tjetër me maska!

Intriga të fshehura prapa buzëqeshjeve të rrejshme!

Njerëz që kërkojnë të na bindin se janë dikush tjetër.

Si nuk e kuptojnë se nuk ka asgjë më të bukur se sa të jesh vetja?