~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 12

Po ta përsëris: ne kurrë nuk mund ta dimë se kush është në të vërtetë njeriu para nesh. Nuk mund ta dimë se çfarë maske ka vënë. Asfare nuk mund ta dimë. Ne thjesht besojmë. Dhe, siç të tregova edhe natën e kaluar, ky besim ndonjëherë është edhe i verbër.

Për ta vazhduar aty ku e lashë mbrëmë, sonte do të të tregoj një përshkrim që e kam përfunduar pas një përvoje të tillë. Një përvojë ku tregoj se si u zhgënjeva tej mase me njeriun të cilit i besova aq shumë. I besova aq sa i dhashë gjithçka timen. Dhe ky besim më pas m’u përplas në fytyrë. Ky përjetim është nga ato përvojat kur ke ndjesinë se njeriu e jeton Ferrin në tokë. Të nëntë rrathët e tij.

Unë të tregova shtegun drejt burimit të jetës. Ndërsa ti më braktise në rrethin e parë të Ferrit. Tani, ndërsa eci nëpër këtë rreth, zemra më thotë që të kthej kokën mbrapa. Është një fije e hollë shprese se ndoshta do të kthehesh dhe nuk do të lejosh që të kalëroj vetëm në këtë betejë.

Kot e hedh shikimin prapa. Aty nuk ka asgjë. Aty nuk është askush. Aty nuk je ti. Madje edhe vetë gjurmët e mia kanë filluar të treten.

Një zë më flet: “Mos ndalo! Lufto! Dhëmb për dhëmb! Dhimbje për dhimbje! Lufto!”

I mbylli veshët dhe nuk dua ta dëgjoj. Jam i lodhur. Nuk kam vullnet për luftë, sepse gjithçka që pata, ua dhashë të tjerëve. Ndërsa vazhdoj të eci i vetmuar, dhimbjet, që sa vijnë e bëhen më të thekshme, më bëjnë me dije se po kaloj në rrethin e dytë të Ferrit.

“Ishe për krejt botën, por askush nuk është për ty. Ndalo! Hak- merru! Lufto!” Është sërish po ai zë që më flet.

Nuk dua ta ndal hapin. Nëse harresa është e vetmja gjë me çka njerëzit të shpërblejnë, atëherë nuk ia vlen të luftoj. Nuk ia vlen ta mbledh atë që është e imja. Atë që të tjerët pafytyrësisht po e përdorin si të vetën. Jo, nuk ia vlen. Sepse ata përsëri do të harrojnë. E di se do të harrojnë. Dhe kjo më dhemb.

Nga zori qesh me vete dhe e ndiej se qoftë edhe vetëm mendimi po më shkakton dhimbje fizike. “Mund të kthehesh. Mund ta ndryshosh realitetin. Ti mundesh, sepse ti je sundues i fatit tënd.” Sërish vijon të më flasë po ai zëri që mundohet të më bindë të kthehem e të luftoj me ty. Por unë vazhdoj të eci.

Nuk e ndal hapin. Kësaj here nuk dua ta mposht fatin tim. Dua edhe unë të harroj. Dua t’i mbyll veshët, t’i mbyll edhe sytë. Dhe kjo dhimbje të jetë e fundit.

“Oh, Zot! Ndonjëherë, padituria vërtet është bekim, ndërsa dijen që ma dhurove e ktheva në mallkimin tim.”

Zërat më flasin. Ndërsa unë vazhdoj të eci. Dhimbja bëhet çdo herë e më e madhe, ndërsa kaloj prej një rrethi në tjetrin. Futem thellë e më thellë në ferrin tim.

Nuk habitem më që ti nuk po e vë re këtë. As nuk e kthej më kokën mbrapa. E di se aty nuk është askush. E di se nuk dallohet më as edhe një gjurmë e imja.

Tani unë jam hije. E vetmja gjë që kam është kujtimi nga çasti kur shkela për herë të parë në ferrin tim. M’u afrove ngadalë. Si në ëndërr, më puthe në ballë. Krejt pa e vënë re, ma helmove frymën dhe më pas më pëshpërite se do të më dashuroje deri në vdekje.