~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 11

Nuk ka dyshim se dashuria është ajo që na nxit ta ndiejmë njerëzoren brenda nesh. Megjithatë, përjetimi i dhimbjes, brishtësia jonë sikur të ishim qelq, është ajo që na kujton se jemi vetëm njerëz.

Sikur të gjithë ta shihnin botën ashtu si e sheh ti, atëherë gjithçka do të ishte ndryshe. Ti do të mund të shihje çdo lëvizje dhe gjithçka tjetër do të funksiononte në një harmoni të përkryer. Por ja që një situatë e tillë nuk do të ishte aspak njerëzore dhe do t’i ngjante një shoqërie robotësh.

Ne, si njerëz, jemi të detyruar që raportet tona t’i bazojmë në besim. Të mbyllim sytë dhe të besojmë se njeriu para nesh është me të vërtetë ai që thotë se është. Me vetëdije zgjedhim të ecim në një shteg me plot rreziqe.

Askush nuk mund të shohë në shpirtin e tjetrit dhe zakonisht realiteti dallon nga pritmëritë. Idealizimi i tepruar shtron themelin e një zhgënjimi edhe më të madh. Nëse nuk je i kujdesshëm, do të thyhet besimi i pakusht që ke tek tjetri. Fatkeqësisht, posa të vënë re se ti dashuron me gjithë shpirt, njerëzit janë të prirë të mendojnë se u bë çka u bë, ti gjithnjë do të jesh aty për ta.

Disa madje mendojnë se ti nuk ke ku të shkosh tjetër. Dhe ndonjëherë shkojnë aq larg sa mendojnë se ti duhet t’ua falësh edhe aventurat e vogla poshtë e lart.

Të marrin për budalla e që duhet të durosh gjithçka.

Por ti prapë refuzon ta pranosh.

Jep gjithçka që ke! Dhe je i gatshëm të shkosh edhe më larg! Je i gatshëm, ndonëse gjithë kohën diçka të thotë se, edhe sikur të bësh të pamundurën, as kjo nuk do të mjaftojë.

Ti madje ndryshon edhe veten! I lë mënjanë të gjitha parimet e tua, që i ke mbajtur për të shenjta.

E vërteta është se ti e humb veten!

Duke bërë këtë, ti e humb edhe njeriun që e dashuron.

Në kulmin e zhgënjimit, e ndien se në të vërtetë ke humbur gjithçka. Tani dhimbja jote është një mal i stërmadh, që nuk ka fund. Sado që ke besuar se je njëfarë mbinjeriu, dhimbja të shkund e të kujton se ti, megjithatë, je vetëm njeri!