~ Bombë në Beograd ~

Prolog

Ngjarjet zhvillohet në verën e vitit 1998. Ato janë fryt i imagjinatës, ngjashmëritë me persona dhe ndodhi konkrete janë të rastësishme.

Ia kushtoj kujtimit të nënës sime të shtrenjtë e të paharruar!

Prolog

1

KOS-i, shërbimi i kundërzbulimit i ushtrisë serbe, kishte kohë që kishte siguruar informatën se në njërin prej kampeve të refugjatëve në malet e Dukagjinit do të qëndronte për disa ditë njësia e atij që ata e njihnin si komandant Agroni. Për këtë arsye, kishte vënë në veprim të gjithë agjentët e infiltruar brenda UÇK-së, por pa sukses, sepse ende nuk dihej se kush ishte Agroni e as kush ishin pjesëtarët e njësisë së tij të vogël. Në mendjet e serbëve, Agroni përfytyrohej si një fantazmë që bënte aleancë me vetë djallin, sepse, sa herë që sulmonte pikat serbe, ai përmbushte misione të barabarta me vetëvrasje. Përkundër të gjitha rreziqeve, ai çdo herë ia dilte të ishte fitimtar dhe pas çdo aksioni, nëpër mure shkruante të njëjtën fjali: “Hakmarrje deri në Beograd – Agroni”. Ky ishte një kumt i shkruar me ngjyrë të kuqe, çka i tmerronte të gjithë. Në përpjekje që të ruante moralin e njerëzve të vet, komanda serbe bënte gjithçka mundej që për këto raste, të mos dilte asnjë informatë në opinion, por megjithatë, diçka kishte rrjedhur dhe në popull qarkullonin legjenda për Agronin. Ai ishte hero! Një hero që nuk mund të kapej, e jo më të vritej.

Kampi i refugjatëve, ku besohej se ishte edhe Agroni, gjendej lart në male, në thellësi të territorit që kontrollohej nga UÇKja dhe për këtë arsye, sulmi mbi atë pikë kërkonte shumë kujdes dhe një planifikim të hollësishëm. Për këtë mision ishin zgjedhur më të mirët nga Brigada 63 Parashutiste elitë, të njohur si Skifterët, sepse ballafaqimi me Agronin konsiderohej si çështje nderi për gjithë.

Brigada 63 Parashutiste, njëra nga dy brigadat elitë të ushtrisë serbe me bazë në qytetin e Nishit, përbëhej nga tri batalione, ndërsa njësia themelore operative e batalionit ishte skuadra e përbërë prej pesë anëtarësh. Me të filluar lufta, dy nga tri batalionet e brigadës u vendosën në Kosovë dhe u shpërndanë në kazermat e Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit, me mision mbikëqyrjen e kufirit me Shqipërinë dhe ndërprerjen e linjave të furnizimit të UÇK-së.

Mbërritja e parashutistëve e kishte ngritur edhe më shumë moralin e ushtrisë së rregullt dhe ata adhuroheshin nga të gjithë, deri në çastin kur nënkolonel Goran Ostojiçi, komandanti i brigadës, veteran i luftës në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë, u vra në një përrua në vendin e quajtur Lugu i Thive, në bjeshkët e Jasiqit. Nënkolonel Ostojiçi kishte rënë në një kurth të përgatitur mjeshtërisht dhe ishte vrarë bashkë me katër anëtarët e tjerë të skuadronit të tij. Ostojiçi ishte shumë arrogant dhe besonte se nuk kishte plumb që mund ta kapte dhe për këtë, pavarësisht gradës së lartë, shpesh vihej vetë në krye të aksioneve. Nën komandën e tij, parashutistët kishin organizuar disa pusi dhe kishin vrarë shumë ushtarë të UÇK-së, të cilët çonin armë dhe municione nga Shqipëria në Kosovë.

Ostojiçi ishte kundërpesha serbe për Agronin dhe, ndonëse të dy nuk ishin takuar asnjëherë në fushëbetejë, rivaliteti mes tyre ndihej që në ajër dhe ishte veç çështje kohe kur dy burrat do të përplaseshin me njëri-tjetrin. Agroni e dinte se, një ditë, ata do të takoheshin në fushëbetejë dhe për këtë vendosi të vepronte i pari dhe për më tepër se një muaj, e tërhoqi për hunde Ostojiçin, derisa e futi në kurth. Duke besuar se do t’i zinte të gjallë eprorët e lartë të UÇK-së, Ostojiçi kishte ndjekur gjurmët e rrejshme që ia kishte sajuar Agroni dhe kishte shkuar si cjapi te kasapi.

Vrasja e Ostojiçit ishte goditja më e rëndë që UÇK-ja kishte mundur t’i jepte ushtrisë serbe, sepse ai vlerësohej si një lloj legjende prej të tijve. Për shkak të aksioneve mbresëlënëse që kishte kryer gjatë luftës në Bosnjë, e kishin emëruar komandant të brigadës më elitë që kishte ushtria serbe. Vrasja e nënkolonelit u mbajt sekret për më shumë se një muaj, por dëmi ishte bërë ndërkaq dhe kjo ngjarje e kishte thyer moralin e gjithë ushtrisë serbe dhe njëherësh kishte rritur namin e Agronit dhe të UÇK- së. Ditën kur trupi i komandantit të parashutistëve ishte sjellë në kazermën e Gjakovës, e tërë kazerma ishte në gjendjen më të lartë të gatishmërisë dhe pranë trupit të tij nuk u lejua të afrohej askush përveç ushtarëve më besnikë.

Skifterët serbë, që ishin betuar për hakmarrje, sapo ishin urdhëruar për një aksion kundër Agronit dhe nuk e kishin menduar dy herë, sepse ky ishte rasti për të marrë hak për komandantin e tyre. Ndërkaq, ata ishin jo më larg se dhjetë metra nga rojet e kampit, por nuk e dinin se njëri prej tyre ishte vetë Agroni. Misioni i tyre ishte i qartë: duhej t’i asgjësonin të gjithë ata që ndodheshin në kamp, sepse kjo ishte edhe mënyra e vetme për të larë hesapet me njeriun që nuk ia njihnin as fytyrën.

2

KAMPI I REFUGJATËVE, DUKAGJIN

Refugjatë nga fshatra të ndryshme të Dukagjinit ishin vendosur në një kamp të improvizuar në një luginë që fshatarët e quanin Lëndina e Thanave e që ndodhej lart në bjeshkë, afër kufirit me Shqipërinë. Nga pamundësia për t’u mbrojtur prej bombardimeve të vazhdueshme nga forcat serbe, fshatarët kishin braktisur shtëpitë e tyre. Gra, fëmijë dhe pleq ishin strukur nëpër tenda dhe kasolle, por as ato nuk mjaftonin, sepse numri i refugjatëve rritej çdo ditë. Shumica prej tyre ishin të lodhur, të paushqyer dhe të frikësuar, por malet u jepnin një ndjenjë sigurie dhe shpresën se armiku nuk do të ngjitej deri atje që t’i sulmonte.

Mesnata kishte kaluar. Për sigurinë e kampit kujdesej një numër i vogël ushtarësh të UÇK-së dhe më të çlodhurit prej tyre, bënin roje përreth kampit. Zjarret dhe llambat i kishin fikur, sepse drita mund të zbulonte vendndodhjen e kampit. Komandanti druhej se serbët mund ta zbulonin kampin dhe më pas ta bombardonin me topa me rreze të gjatë veprimi, ndaj dhe kishte urdhëruar që natën as dhe drita e cigares të mos shihej.

Në pamje të parë, çdo gjë ishte në rregull. Nata ishte e qetë dhe asgjë nuk dëgjohej, përveç zhurmës së kafshëve që lëviznin nëpër mal. Një erë e lehtë përshkonte luginën ku ishte ngritur kampi, e cila krijonte një fishkëllimë sa ritmike, aq dhe të mërzitshme nëpër drurë. Për ushtarët që bënin rojë kjo ishte një atmosferë e zakonshme dhe secili prej tyre e dinte se ndonjëherë rreziku mund të ishte më afër nga ç’mund të mendohej. Para luftës, shumica prej tyre kishin qenë njerëz të thjeshtë, por ndërkaq ishin shndërruar në makina të vërteta vrasjeje, që reagonin në shenjën e parë të rrezikut.

Përkundër përvojës së tij të madhe në shumë fushëbeteja, kësaj here Agroni ndiente një shtrëngim të fortë dhe ftohje në bark. I dukej se pritja në errësirën e dendur kishte diçka të ngjashme me bishat që presin t’i hidhen gjahut në shpinë. Instinkti i tij, që kurrë nuk kishte gabuar, po i dërgonte sinjale alarmi dhe kjo e shqetësonte.

“Natë e përzishme”, tha me vete dhe e shtrëngoi më fort dorezën e automatikut AK-47, me shpresën se ai shtrëngim do t’ia hiqte të ftohtin që e ndiente në bark dhe do t’i jepte më shumë guxim. Po, guxim! Për herë të parë pas aq kohësh, Agroni po ndiente frikë.

Vështroi përreth dhe gjithçka dukej në vendin e vet, por ndërkaq, diçka i thoshte se kjo qetësi ishte e rrejshme. U struk pas një shkëmbi dhe u mundua të mos bënte as zhurmën më të vogël. Afroi te goja aparatin e vogël të radiondërlidhjes dhe tha me zë të ulët:
– Shqiponja e parë… lajmërohu! Shqiponja e parë…

3

Siluetat e veshura në të zeza ishin të armatosura me automatikë M72 të serisë më të re, që fabrika e armëve “Crvena Zastava” në Kragujevc i prodhonte enkas për njësitë më elitë të policisë dhe ushtrisë. M72 është një armë e dizajnuar në bazë të kallashnikovit rus, por efikasiteti i tij është më i lartë se ai i modelit rus apo kinez. Parashutistët, të pajisur me heshtues zëri dhe me mjete optike për shikim natën, po rrëshqisnin ngadalë nëpër errësirë dhe po i afroheshin gjithnjë e më shumë kampit të refugjatëve. Ndërsa përgatiteshin për sulmin mbi kampin që kishin përpara, çdo gjë po shkonte ashtu siç ishte planifikuar gjatë stërvitjes në dhjetë ditët e fundit. Aksioni ishte me rëndësi të madhe dhe kurrsesi nuk duhej të dështonte.

Rojet duheshin eliminuar në qetësinë më të madhe. Komandanti i skuadronit, i ulur me njërin gju në tokë dhe me automatikun drejtuar nga kampi, i dha shenjë njërit prej ushtarëve që të vazhdonte ashtu siç ishte planifikuar. Menjëherë pas lëvizjes së dorës së komandantit, që për syrin e zakonshëm ishte pothuajse e padukshme, një siluetë e zezë, me aq qetësi sa të krijonte përshtypjen se nëpër natë po lëviznin fantazmat e jo njerëzit, iu afrua rojës së kampit, i cili i kishte ngulur sytë diku dhe as që e kishte idenë për rrezikun që po i kanosej.
Zëri nga radioja e ndërlidhjes, që roja e kishte në dorë, e befasoi sulmuesin për një çast, por nuk e hutoi.

– Shqiponja e parë… lajmërohu! Shqiponja e parë… a është çdo gjë në rregull?

Zëri nga radioja e shkundi rojën, që ndërkaq vuri re se dikush po i afrohej, por nuk pati kohë të bënte diçka, as të sinjalizonte të tjerët se po sulmoheshin.

Silueta me të zeza reagoi me shpejtësi të madhe dhe nuk lejoi që roja para tij t’i përgjigjej thirrjes. Me një lëvizje të shpejtë, parashutisti serb shkrepi dy plumba në drejtim të rojës dhe ky i fundit u shemb në tokë pa lëshuar zë. Gjithçka që u dëgjua në radiondërlidhje ishin vetëm dy fishkëllimat e heshtura të plumbave që shpuan ajrin si shigjeta.

4

Komandant Agroni më kot priste që dikush t’i përgjigjej thirrjes së tij. Përveç dy fishkëllimave, nga receptori i aparatit nuk erdhi kurrfarë zhurme tjetër dhe më pas linja u ndërpre. Agroni nuk donte të mendonte për më të keqen, por çdo çast që kalonte ia shtonte bindjen se parandjenja e tij kishte qenë me vend; dikush e kishte sulmuar kampin.

– Shqiponja e dytë, lajmërohu! Shqiponja e dytë! – tha instinktivisht përmes radios.

– Shqiponja e dytë, këtu! – u përgjigj një zë.

– Shqiponja e tretë, këtu! – u dëgjua edhe një zë tjetër.

Agroni po priste edhe reagimin e rojës tjetër, pasi në çdo rast dyshimi, menjëherë duhej të përgjigjeshin të gjithë.

– Shqiponja e katërt… – tha edhe roja i katërt, por nuk arriti ta mbaronte fjalinë, sepse sërish u dëgjuan ato dy fishkëllimat dhe pas tyre zhurma e rënies së trupit në tokë.

Agroni u alarmua. Nuk kishte ç’të priste më. Nuk kishte asnjë dyshim se ishin sulmuar. Shtiu me raketë ndriçuese dhe drita u përhap mbi tërë luginën, çka i alarmoi në çast ushtarët.

Agroni e kuptoi se sulmuesit nuk ishin ushtarë të zakonshëm, por nga njësitë elitë të armikut. Mënyra sesi i ishin afruar kampit, fakti që kishin arritur të depërtonin aq thellë në territorin e UÇK-së dhe pa u vënë re nga askush, ishte diçka që nuk mund të bëhej nga njësitë e rregullta. Kurrë nuk e kishte ndier veten më ngushtë, sepse përherë ishte mësuar të ishte vetë ai që futej në kampet e armikut, ku mbillte frikë dhe vdekje, por ndërkaq rolet ishin ndërruar.

Truri i punonte me shpejtësi dhe po përpiqej të kuptonte strategjinë e sulmuesve. “Ata me siguri kanë zënë pozicione strategjike përreth kampit, kanë eliminuar vëzhguesit dhe rojet dhe i tërë kampi duhet të jetë në shënjestrën e mitralozave dhe snajperëve.” Kështu mendonte Agroni, ndonëse e mbante shpresa se armiku nuk do t’ia lejonte vetes luksin që të zhvillonte një betejë të gjatë aq thellë brenda territorit të lirë. Me hedhjen e raketës ndriçuese ishin vënë në alarm të gjitha patrullat dhe kampet përreth, por derisa të arrinte ndihma, mund të ishte tepër vonë.

Dhe ashtu ndodhi. Sapo Agroni hodhi raketën ndriçuese, snajperët e armikut, në mënyrë të koordinuar, filluan të shtinin menjëherë që nga errësira, i asgjësuan rojat dhe më pas iu kthyen ushtarëve të tjerë brenda kampit. Sulmuesit e tjerë, që deri atëherë i ishin afruar kampit barkazi, u ngritën më këmbë dhe me shpejtësi të madhe filluan të qëllonin në drejtim të gjithkujt dhe të hidhnin granata dore nëpër tenda dhe kasolle. Ishte e pamundur të shihej se prej nga shfaqeshin dhe çdo lloj rezistence i ngjante një përpjekjeje të pakuptimtë. Sulmuesit ishin të shumtë dhe ishte e pamundur t’u bëhej ballë. Epilogu i betejës u vendos shumë shpejt. Kudo përreth kishte trupa të pajetë. Parashutistët nuk kishin treguar as edhe mëshirën më të vogël për civilët në kamp.

5

Kampi, që vetëm pak kohë më parë flinte në një qetësi prej së cilës në pamje të parë nuk pritej asgjë e keqe, tanimë ishte shndërruar në një arenë të përgjakshme plot me trupa të pajetë dhe të tjerë që mundoheshin të mblidhnin forcat e fundit për të mbijetuar. Diku dëgjohej zëri i një fëmije që qante, ndërsa komandanti i parashutistëve, ende i pangopur me kasaphanën që i shfaqej përpara syve, shante shërbimin e zbulimit:

– Ata nuk duhej të ishin këtu! – tha, i tërbuar nga zemërimi.

– Kush ata? – e pyeti rreshteri i tij.

– Fëmijët, gratë… jo kaq shumë…

– Por këta janë vetëm shqiptarë… – ia ktheu rreshteri.

Komandanti ndaloi dhe mori frymë thellë. Nga nervozizmi, ndiente se diçka po e shtrëngonte dhe po ia zinte frymën. Deshi të thoshte diçka, por e mbajti për vete.

“Unë nuk jam shtazë. Unë jam ushtarak dhe nuk vras gra e fëmijë”, tha me vete komandanti. Nga përvoja, e dinte se këtë mendim nuk duhej ta shprehte, përndryshe me të mund të merreshin oficerët e sigurimit. E dinte se rreshteri kishte ambicie për karrierë dhe mënyra më e mirë për t’ia arritur kësaj ishte që të shkelte mbi të tjerët.

– Sigurohu nëse ka mbetur ndokush gjallë. Dhe nëse po, merre në pyetje. Nëse Agroni është mes tyre, dua të sigurohesh se është i vdekur, – dha urdhër të prerë, me çka shpresonte se do ta largonte për një kohë prej syve rreshterin xhelat.

6

Agroni ishte plagosur në këmbë, por ia kishte arritur që pas gjithë atij pështjellimi, t’i afrohej malit që ishte afër. E dinte se plumbi që e zënë, me siguri ishte ndonjë plumb qorr dhe sulmuesit nuk e kishin vënë re, përndryshe do të ishte i vdekur tashmë. Nuk donte ta analizonte sesi kishte ndodhur kjo. Të paktën kishte mbetur gjallë. Dikush atje lart në qiell ishte në anën e tij. U mbështet pas një trungu dhe nisi të mendonte me të shpejtë sesi do të vepronte. Në kamp nuk kishte mbetur më asgjë. Kishte shumë të vdekur, por edhe ata që kishin mbetur gjallë, vështirë se do të shpëtonin. Pas gjithë atyre granatave që kishin shpërthyer, pa dyshim që të tjerët do të ishin alarmuar dhe Agroni e dinte se nuk do të vononte shumë dhe sulmuesit do të largoheshin sa më shpejt të ishte e mundur.

E ndiente veten të dobët, por s’kishte se kujt t’i kërkonte ndihmë. U përhumb në mendime, por gjithsesi, nuk e dha veten. Nëse dikush do ta gjente aty, atëherë për të merrte fund gjithçka. Me shpejtësi u shtri dhe u mbulua me gjethe të rëna kushedi para sa kohësh, me shpresën se nuk do ta vinin re në errësirë. Nuk mund të bënte më asgjë për ata që ishin në kamp. Të mbijetuarit atje do të merreshin në pyetje dhe më pas do të ekzekutoheshin. I dukej sikur vaji dhe gjëma që dëgjoheshin prej andej i drejtoheshin atij, ngaqë ishte i bindur se, në njëfarë mënyre, ishte përgjegjës për këtë tragjedi. Ishte ngujuar në vend dhe e mbante shpresa se të tjerët nuk do të vonoheshin.