~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i tretë

1.

Sytë e Lindës shkëlqenin fort dhe nuk duhej shumë për ta kuptuar se ajo ishte e shqetësuar. Biseda me Oficerin nuk i hiqej nga mendja dhe ndonëse përpiqej të ishte sa më gjakftohtë, e kishte shumë të vështirë të përmbahej. Në gjoks ndiente një shtrëngim aq të madh sa i dukej se diçka do t’i pëlciste nga brenda e bashkë me të edhe mllefi që ishte grumbulluar. I vinte të bërtiste e të shkelmonte gjithçka që i dilte para, por ndërkaq nuk duhej të shfaqte asnjë shenjë dobësie. E kaluara e kishte rrëmbyer në çast, bota e saj ishte përmbysur dhe po e kthente përsëri në të njëjtën pikë dhe në të njëjtën situatë prej së cilës kishte kohë që ishte larguar. Frikësohej. Ndihej e brishtë dhe nuk ishte e sigurt se mund ta përballonte riaktivizimin në detyrë e për më tepër të punonte përsëri nën urdhrat e Oficerit. Nuk kishte më rëndësi fakti se kishte vendosur ta mashtronte Oficerin, sepse vetëm prania e tij e bënte shumë nervoze. Nuk ishte vetëm mllefi për vdekjen e Arbenit, sepse Linda përherë ishte ndjerë keq në praninë e Oficerit, a thua se tek ai njeri kishte diçka që nuk shkonte.

Lindës i pëlqente që në orët e mbrëmjes të shëtiste e vetmuar nën pishat rreth hoteleve “Galeb” dhe “Albatros”. Ky i ishte bërë thuajse një zakon që ajo i përmbahej me përpikëri. Këto shëtitje i kishte filluar sapo ishte vendosur në Ulqin, ku, e fshehur prej syve të botës, mundohej ta shëronte atë pjesë të shpirtit që e kishte lënë në Kosovë dhe tani, më shumë se kurrë, kishte nevojë për vetmi. Herën e parë, atëherë kur ishte larguar nga Kosova me mendimin që të mos kthehej më kurrë, nuk do të kishte mundur t’i kthehej sërish jetës, sikur të mos ishte dashuruar me Bekimin. Bekim Hasani kishte shkuar për pushime në Ulqin dhe ajo e kishte takuar rastësisht gjatë shëtitjeve të saj dhe që në takimin e parë kishte ndier se atij mund t’i besonte. Në sytë e tij kishte diçka që Lindën pothuajse e hipnotizonte. Ishte siguria që buronte prej një përvoje të madhe dhe një fisnikërie e modestie që fshihnin diçka misterioze. Bekimi ishte një burrë shumë i pashëm, por Linda më së shumti ishte magjepsur nga thellësia e mendimeve të tij, që asaj i krijonin përshtypjen sikur ai vinte nga një botë tjetër.

– Thelbi i rebelimit është kundërshtimi i asaj që mund të ndryshohet, – i thoshte duke e mbajtur të përqafuar dhe e nxiste që përsëri ta donte jetën dhe të vazhdonte më tej. – Jeta ndonjëherë është si në ata filmat koti, që e di sesi do të përfundojnë, por megjithatë vazhdon t’i shohësh. Shpesh na duket sikur jemi vetëm personazhe që detyrohemi të luajmë një rol të caktuar, ndërsa vullneti ynë ka fare pak vlerë. Megjithatë, edhe nëse vërtet jemi vetëm personazhe, ne dhe vetëm ne jemi ata që vendosim nëse do ta luajmë këtë rol me stil dhe shkëlqim apo do të jemi cofëtina dhe dështakë me të cilët nuk merret askush! Dhe, për fat të keq, cofëtinat po na zënë frymën!

E adhuronte atë njeri. I pëlqente ta zinte gjumi nën përqafimin e tij vonë në mbrëmje, kur ai, me durim, dëgjonte rrëfimet e saj. Por më tepër i pëlqente të zgjohej në mëngjes, e gëzuar se ai ishte ende aty, pranë saj. Ato kishin qenë ditët më të lumtura që kishte përjetuar ndonjëherë dhe për këtë i ishte mirënjohëse. I ishte mirënjohëse aq shumë sa, kur ai i tha se duhej të largohej, ajo nuk e kundërshtoi.

Ishin këto kujtime që i silleshin nëpër mend ndërsa shëtiste bregut të detit, pa e pasur as idenë më të vogël se takimi me Oficerin ishte vetëm akti i parë i asaj që e priste më tej. Shumë shpejt, gjithçka në jetën e saj do të ndryshonte përjetësisht.

Agroni ende rrinte i izoluar në dhomën e tij. Plaga në këmbë ende nuk ishte mbyllur mirë, por edhe ai nuk donte të rrezikonte duke u larguar prej aty. Dhoma ku ishte vendosur shihte nga deti dhe pjesën më të madhe të ditës e kalonte duke medituar e duke ia ngulur sytë kaltërsisë. Ndonjëherë, natën, zbriste deri buzë detit dhe bënte shëtitje nën pisha, sepse vërtet i pëlqente shumë. Nuk ndodhej për herë të parë në Ulqin, sepse në të kaluarën, sa herë ishte ndier i lodhur nga e gjithë ajo që bënte në Kosovë, kishte shkuar në Ulqin dhe kishte ndenjur njëfarë kohe, derisa ndiente se ishte çlodhur. Agroni ishte mjeshtër i maskimit dhe shëtitjet ishin pjesë e jetës së tij të dyfishtë, deri në çastin kur shpërtheu kryengritja e përgjithshme dhe që atëherë, për asnjë çast, nuk ishte larguar më nga fronti.

Në vetminë dhe qetësinë e dhomës së vet planifikonte ecurinë e misionit që i kishte besuar Naimi. Sikur dikush tjetër në vend të Naimit t’i kishte thënë se kishin arritur të siguronin një bombë atomike, me siguri që nuk do t’i kishte besuar dhe nuk do të kishte humbur as edhe një sekondë të vetme duke menduar për diçka të tillë, por me Naimin ishte ndryshe. Agroni e njihte mirë dhe pavarësisht faktit se propozimi i tij ishte pothuajse i pabesueshëm, nuk kishte as dyshimin më të vogël se Naimi me të vërtetë ia kishte dalë mbanë të blinte një bombë të tillë dhe të realizonte synimin që lufta të përfundonte me një goditje të vetme. Dhe ishte i bindur se kështu do të kurseheshin mijëra viktima të pafajshme, sepse lufta në Kosovë po përhapej çdo ditë e më shumë. Naimi kishte zgjedhur pikërisht Agronin që ta realizonte këtë mision, ngaqë ishte i bindur se vetëm ai mund t’i dilte mbanë.

– Përderisa bombat nuk bien në Beograd, Serbia nuk do të ndalet, – i kishte thënë Naimi, kur i kishte shpjeguar se bombën ua kishin blerë rusëve, të cilët ato kohë mund të shisnin çdo gjë për para. Naimi i kishte premtuar se pasi ta realizonte misionin me sukses, do ta festonin fitoren së bashku në mes të Prishtinës, i bindur se pas shpërthimit, ushtria serbe do të përfshihej nga kaosi dhe kështu qyteti do të çlirohej vetëm pas pak ditësh.

Modelin VV54 të bombës atomike të dizajnuar në formën e çantës së shpinës, Agroni e kishte studiuar gjatë trajnimeve të tij të shumta në kuadrin e NATO-s dhe supozonte se modeli sovjetik do të ishte i ngjashëm në shumëçka. Naimi kishte të drejtë në vlerësimin e tij se Agroni ishte i vetmi që mund ta realizonte misionin, sepse në të vërtetë ai ishte i vetmi që kishte njohuri për këtë lloj arme. Por ai nuk e dinte se Agroni nuk kishte ndërmend të kthehej më.

“Kur planifikon një aksion, duhet të parashikosh dhe të analizosh së paku edhe 50 mënyra sesi armiku mund t’i sabotojë planet e tua. Në çastin kur e bën këtë, duhet të kesh parasysh se mund të kesh lënë pa parashikuar edhe 200 mënyra të tjera që mund t’i përdorë armiku yt”. Këto fjalë ia kishte thënë dikur njëri prej instruktorëve të tij dhe tani atij nuk po i hiqeshin nga mendja. Agroni mund ta fshihte bombën diku në qytet dhe ta aktivizonte ose me telekomandë, ose me mekanizëm kohor, por kjo mundësi nënkuptonte edhe rrezikun që armiku ta zbulonte dhe ta neutralizonte atë para se të shpërthente. Edhe pse gjasat për diçka të tillë ishin të vogla, Agroni nuk mund t’ia linte asgjë rastësisë, prandaj kishte vendosur që bombën ta aktivizonte me dorë aty për aty, ndonëse kjo nënkuptonte edhe vdekjen e tij.
Burimet e Naimit tregonin se në përpjekje për ta ndaluar Agronin ishte angazhuar një ushtri e tërë njerëzish, në krye të të cilëve ishte vetë CIA. Ky fakt nuk e frikësonte aspak, madje e kishte pritur, por nuk e kishte të qartë prej nga kishte rrjedhur informacioni se ishte pikërisht ai që do ta realizonte misionin. Kësaj pyetjeje nuk kishte se kush t’i përgjigjej, sepse edhe Naimi, që i kishte dhënë udhëzimet, ishte kthyer në Kosovë. Agroni mendonte se dikush në prapavijë po tërhiqte disa fije të padukshme dhe se shumëçka nuk ishte ashtu si dukej.

3.

USS MOUNT VHITNEY”, DIKU NË ADRIATIK

Flota e Gjashtë amerikane, që zakonisht pozicionohej në ujërat jugore të Mesdheut, kishte hyrë në Adriatik dhe po lundronte në ujërat ndërkombëtare. Po ashtu, kishte marrë urdhra të qarta dhe nëse do të ishte nevoja, do të vepronte me të gjitha arsenalet që kishte në dispozicion. Flota vepronte me kapacitet të plotë dhe për këtë mision ishin mobilizuar 40 anije të llojeve të ndryshme. Në kulmin e mobilizimit, Flota e Gjashtë mund të hidhte në veprim deri në 21 000 ushtarë, të cilët ishin të ndarë në 8 grupe luftarake. Sa për të qetësuar opinionin publik, selia e NATO-s në Bruksel kishte publikuar një komunikatë ku thuhej se po zhvillohej një manovër ushtarake, që kishte për qëllim demonstrimin e vendosmërisë së Aleancës së Atlantikut të Veriut për paqen në rajon.

Një helikopter special kishte transportuar agjentin Smith nga aeroporti ushtarak i Sllatinës drejt e në bordin e anijes “USS Mount Vhitney”, që ishte anija komanduese e Flotës së Gjashtë. “Mount Vhitney” ishte në detyrë aktive që nga viti 1971 dhe konsiderohej si njëra nga anijet më të sofistikuara të klasës C4I, e pajisur me mjete komanduese, kontroll, komunikim, kompjutera dhe inteligjencë. Agjenti Smith ishte urdhëruar që të shkonte aty dhe, bashkë me admiralin Abbot, komandant i flotës, të koordinonte operacionin për të parandaluar pranim-dorëzimin e bombës, që besohej se do të ndodhte diku në Ulqin.

Admiral Abbot-i i kishte dhënë një kabinë komode të rehatshme afër kabinës së tij dhe aty agjenti po studionte dy dosje që ishin përgatitur enkas për të. Njëra ishte dosja për Lindën dhe e dyta ishte një dosje gjysmake për Agronin. Shënimet për Lindën ishin të kompletuara tërësisht, përfshirë edhe hollësitë më intime, kurse për Agronin, përveç një biografie gjysmake dhe një fotografie të bërë në vitin 1974, një vit para tragjedisë së tij familjare, nuk kishte kurrfarë shënimesh të tjera. Kësaj here vëmendja e agjentit nuk ishte përqendruar tek Agroni, por te Linda, sepse e dinte që asaj i ishte ngarkuar detyra që ta gjente dhe ta ndalte Agronin. Këtë informatë e kishte marrë nga burimet e tij brenda kabinetit të liderit paqësor të shqiptarëve, por e kishte konfirmuar edhe vetë lideri, i cili në çdo rast tregonte përkushtimin e tij të plotë për bashkëpunim. Lideri kishte shkuar aq larg sa kishte ofruar edhe shërbimet e Lindës, për çka agjenti i ishte përgjigjur se do të mendohej. Agjenti Smith kishte dashur të vendoste kontakte edhe me shtabin e krye ngritësve të UÇK-së, por këtë ia kishte ndaluar drejtori, sepse në një situatë aq delikate, çdo kontakt me UÇK- në mund ta dëmtonte bashkëpunimin me qeverinë jugosllave. Hëpërhë, qeveria jugosllave kontrollonte situatën në terren dhe sikur të ndodhte që kjo e fundit, për ndonjë arsye, ta ndërpriste bashkëpunimin, atëherë i gjithë operacioni do të shkonte në djall. Agjenti e kuptonte tërësisht racionalizmin e këtij mendimi dhe ishte në një mendje me drejtorin se ishte pozitiv fakti që serbët nuk kishin ndërmarrë ndonjë operacion me kokën e tyre, por kishin pranuar që të gjitha veprimet të koordinoheshin nga amerikanët. Ndërkaq Smithi e dinte se serbët do të kërkonin kompensim për këtë bashkëpunim, por kjo ishte një çështje politike dhe ai s’kishte pse ta lodhte kokën për këtë.

I zhytur i tëri në studimin e dosjes, agjenti Smith mundohej të zbulonte shkakun përse një detyrë kaq e rëndësishme i ishte besuar pikërisht Lindës. Edhe pse përpiqej ta fshihte, në të vërtetë i paragjykonte femrat, por kësaj here po mahnitej me Lindën. Përveçse ishte e bukur, ajo kishte të gjitha predispozitat e një ushtarakeje pothuajse të përsosur. Ishte snajpere e përkryer, por dinte të përdorte thuajse të gjitha armët e lehta dhe po ashtu ishte mjeshtre për eksplozivët. Ishte diplomuar për sociologji dhe kishte vazhduar studimet edhe për psikologji, çka e bënte edhe më të rafinuar, sepse zotëronte aftësi të shkëlqyera për t’i bërë për vete njerëz të ndryshëm, por sidomos meshkujt.
“Shkëlqyeshëm! E përsosur!” mendoi agjenti, që tashmë kishte vendosur të kontaktonte me Lindën dhe, po të ishte e mundur, ta rekrutonte për llogari të tij. Po t’ia arrinte kësaj, do të ishte një sukses i madh sepse, si vendase, kishte avantazhin taktik dhe mund të ishte më e suksesshme se çdonjëri prej agjentëve të tij. Por kishte diçka te Linda, që ende vazhdonte ta brengoste. Ajo ishte idealiste dhe kjo e bënte të paparashikueshme. Ashtu si edhe Agroni, për shkak të historisë me shokun e saj, Arbenin, nuk e linin të qetë fantazmat e së shkuarës dhe kjo i bënte ata të dy të përshtatshëm për të qenë aleatë të natyrshëm.

Agjentin Smith e shqetësonte gjithçka që kishte të bënte me historinë e bombës dhe nuk ndihej fare i qetë me mënyrën sesi ishin zhvilluar gjërat, qëkur kishte mbërritur në Ballkan. Madje nuk u besonte aspak premtimeve se po bëhej gjithçka e mundur për gjetjen e bombës e për më tepër historisë që kishte të bënte me Agronin.

Si ishte e mundur të zbulohej aq shpejt identiteti i njeriut që do të merrte bombën, përderisa rrëfimet për të tregonin më shumë për një personazh filmash e jo për një person real? Gjithçka mund të ishte e stisur me kujdes dhe kishte shumë mundësi që shqiptarët t’i hidhnin hi syve për të fituar kohë, në mënyrë që të realizonin planin e tyre për ta përfunduar luftën me një goditje të vetme. Agjenti kishte dilemat e veta, por ndërkaq e dinte se nuk i mbetej edhe shumë kohë. Duhej të kontaktonte me Lindën dhe ta kthente situatën në favor të tij.

4.

SELIA E RDB-SË, RRUGA “KNEZ MILOS”, BEOGRAD

Me të ardhur në detyrë në vitin 1991, drejtori i ri i Shërbimit Shtetëror të Sigurisë (SDB), Jovica Stanishiq, e kishte ndryshuar emrin e shërbimit nga SDB në RDB – Drejtoria Republikane e Sigurimit. Përveçse donte të dëshmonte se ishte një shef i fuqishëm, Stanishiqi përpiqej ta shkëpuste trashëgiminë e shërbimit nga koha e SDB-së, që mbartte vlera të një kohe tjetër dhe nuk përkonin me zhvillimet e reja ku Serbia ishte faktori kryesor. Përkundër faktit se Stanishiqi përpiqej të krijonte një imazh të ri profesional për shërbimin e tij, nuk ishte sekret se funksioni parësor i shërbimit ishte mbrojtja e regjimit të presidentit Millosheviç. Dhe për këtë arsye, RDB-ja nuk e kishte ndërprerë praktikën komuniste të mbikëqyrjes së rivalëve politikë, madje kohë pas kohe ndërmerrte edhe aksione sipas stilit të kohës së vjetër. Presidenti Millosheviç i ishte shumë mirënjohës për këto shërbime Stanishiqit, prandaj e emëroi edhe si këshilltar presidencial për sigurinë, çka ia rriti edhe më tepër fuqinë atij. Më 1997, Stanishiq arriti ta bindte Millosheviçin që të gjitha shërbimet informative – shërbimet republikane të Serbisë e Malit të Zi, shërbimi ushtarak dhe shërbimi i posaçëm në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme – të shkriheshin në një të vetëm, Këshillin e Sigurisë, drejtimi i të cilit iu besua Stanishiqit. Me këto ndryshime, Stanishiqi ia arriti të vinte nën kontroll deri në 4000 agjentë të profileve të ndryshme. Në këtë zhvillim të ri të situatës, çdo informatë kalonte vetëm në tryezën e tij dhe kjo e bënte atë njeriun më të fuqishëm në gjithë Jugosllavinë. Ai ndërkaq ishte edhe nyja kryesore e planifikimit për të gjitha operacionet në Kosovë, sepse kishte qenë i pari që e kishte bindur Millosheviçin se UÇK-ja tashmë ishte një realitet dhe se duhej të vepronin kundër saj para se kjo e fundit të forcohej. Bazuar në këshillat dhe rekomandimet e tij, Millosheviçi kishte urdhëruar sulmet e dhunshme ndaj popullatës civile, me qëllim që ta shkatërronte UÇK-në që në embrion. Stanishiqi nuk kishte gabuar asnjëherë gjatë karrierës së tij, por strategjia që kishte propozuar në këtë rast kishte rezultuar e gabuar. Sa më shumë i ashpërsonin forcat serbe sulmet e tyre, aq më shumë rritej UÇK-ja. Në mentalitetin e shqiptarëve kishte diçka që Stanishiqi nuk e kishte llogaritur: sa më me ashpërsi dhe më dorë të fortë të vepronte kundër tyre, aq më të pathyeshëm e të vendosur bëheshin ata. Kjo situatë po e mërziste gjithnjë e më shumë, ndaj dhe po mendonte për një zgjidhje përfundimtare.

Stanishiqi po mendonte për zgjerimin e kapaciteteve të shërbimit të tij dhe po përgatiste propozimin më të ri për presidentin, kur në zyrën e tij tepër luksoze hyri shefi i divizionit të operacioneve, që mbante në dorë një dosje me ngjyrë të kaltër.

– Pse po vjen me kaq ngut? – iu drejtua drejtori.

Shefi i operacioneve dorëzoi dosjen dhe pastaj nisi të raportonte:

– Flota e Gjashtë ka përfunduar dislokimin në ujërat e Adriatikut, ndërsa NATO-ja ka urdhëruar dërgimin e trupave shtesë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ndërkaq, trupat italiane në Shqipëri do të përforcohen me një brigadë të marinës amerikane. Sipas kërkesës, kemi lejuar përdorimin e aeroportit të Sllatinës dhe agjenti Xhim Smith ka arritur në anijen “Mount Vhitney”. Ai dhe admirali Abbot do të koordinojnë operacionet e kërkimit, ngase pritet që dorëzimi i bombës të bëhet në Ulqin brenda disa ditësh.

– A ka dijeni njeri tjetër për këtë? – pyeti drejtori qetësisht dhe pa e ndërprerë leximin.

– Jo, – u përgjigj shkurt shefi i operacioneve.

Drejtori nuk tregoi ndonjë interes të veçantë për këto zhvillime dhe me gjakftohtësi vazhdonte të lexonte raportin.

– Ke diçka tjetër që dëshiron të shtosh?

– Po. Ka filluar një ofensivë e re e kryengritësve në tërë Kosovën Qendrore dhe pritet të zgjerohet edhe në rrethin e Deçanit e në drejtim të kufirit. Besojmë se ata po përpiqen të hapin një rrugë të re furnizimesh.

– Mirë, – tha drejtori dhe ndaloi një çast, para se ta jepte urdhrin tjetër. – Urdhëro dërgimin e trupave të tjera si përforcim për situatën e re që po krijohet. Dua që të gjitha kapacitetet tona luftarake të dyfishohen sa më shpejt të jetë e mundur. Në situatën ku ndodhemi, nuk besoj që amerikanët të protestojnë pse po e bëjmë një gjë të tillë.

– Si urdhëron, zoti shef! – ia ktheu shefi i operacioneve, i cili doli nga zyra dhe menjëherë iu përvesh punës që të zbatonte urdhrin.
“Domethënë… ka filluar! Bukur!” mendoi shefi dhe ndezi një cigare.

5.

ULQIN, DISA DITË MË VONË

Edhe pse kishin kaluar disa ditë që kur ishte takuar me Oficerin, Linda ende nuk ishte angazhuar në misionin që kishte marrë përsipër, sepse priste të kontaktonte me personin që duhej t’i sillte pajisjet e nevojshme. Oficeri i kishte dhënë një biografi gjysmake të Agronit dhe asnjë fotografi. Kështu që ajo nuk dinte nga t’ia niste dhe nuk e kishte idenë sesi do ta gjente Agronin, por Oficeri i kishte premtuar se me kohë do t’i merrte të gjitha informatat e nevojshme. Ishte ulur në bar-kafenë “Belvedere”, në të njëjtin vend ku për herë të parë kishte dalë në takim me Bekimin. Gjithçka ngjante me ditët e tjera, por me të vetmin dallim se kësaj here i kishte kërkuar Lorikut ta linte vetëm për disa ditë. Ai kishte kërkuar shpjegime, por Linda nuk i kishte treguar asgjë, sepse nuk donte ta vinte në rrezik. Ishte përhumbur në mendime, kur pa se drejt saj po vinte një burrë i pashëm me një karafil në dorë. Linda nuk ia pa menjëherë fytyrën, por trupi iu drodh dhe zemra filloi t’i rrihte me të shpejtë. Bekimi e kishte zakon që në takim të vinte përherë me një karafil në dorë.

Bekimi ishte i kujdesshëm dhe xhentëlmen i vërtetë. Ishte krejt ndryshe nga meshkujt e tjerë që ajo kishte takuar në jetë.

– E po, nuk mund ta dish se kush të del përpara… – thoshte ai, ndërsa shpjegonte se në çdo çast ishte gati që t’i vardisej ndonjë bukurosheje.
Gjatësia e bënte imponues, karafilin e mbante po njëlloj si atëherë, dhe ishte veshur sipas shijes së tij. I tëri në të zeza, sepse ngjyra e zezë sikur i shkonte më shumë misterit që përcillte në çdo hap. Linda drejtoi shikimin dhe pa që ai po shkonte drejt saj duke buzëqeshur lehtë. Për një çast e tërë bota e saj u zvogëlua në një hapësirë të vogël prej pesë metrash, në qendër të së cilës ishte Bekimi dhe iu duk sikur në ajër po ndihej një lloj magjie elektrizuese. Gati iu duk e pabesueshme, u ndje si në një gjendje të ëndërrt. Si ishte e mundur që pikërisht tani, kur kishte më shumë nevojë se kurrë për mbështetje, të shfaqej Bekimi dhe të vinte drejt saj?

Bekimi iu afrua dhe i dha lulen.

– Kisha frikë se mos vyshkej para se të të takoja përsëri, – tha ai, ashtu siç kishte bërë edhe herët e tjera.

– Ma merr mendja se kështu u thua të gjitha femrave, – ia ktheu ajo dhe priti po atë përgjigje që e kishte dëgjuar kushedi sa herë.

– E vërtetë, por për to nuk më merr malli ashtu siç më merr për ty, – ia ktheu ai dhe pasi i përkëdheli duart, e puthi lehtë në faqe.

6.

Linda dhe Bekimi e kaluan gjithë mbrëmjen ashtu si dikur. Linda nuk e pyeti fare se çfarë kishte bërë ndërkohë, sepse e dinte që nuk do të merrte përgjigje. Ecën të përqafuar derisa shkuan pranë shtëpisë së saj.

– Ngaqë erdha vonë, – tha ai kur arritën përpara derës, – ende nuk kam vendosur se ku mund të fle. Në “Belvedere” erdha me shpresën se mund të të gjeja ty, ndonëse druaja se mos ishe kthyer në Kosovë.

– Do të thuash se sonte nuk ke se ku të flesh dhe, sipas të gjitha gjasave, duhet të kalosh natën rrugëve si lypës endacak? – nisi ta ngacmonte ajo me ton hokatar.

– E po, kështu ndodh kur je i vetmuar në një qytet të huaj, ndërsa ata që njeh, nuk tregojnë fare mëshirë, – ia ktheu ai dhe i përkëdheli flokët.

– Ah, ti… – tha ajo dhe e puthi në buzë me afsh.

Puthja ishte e gjatë dhe në fund ia kafshoi buzën, pastaj e tërhoqi brenda. Nuk vonoi shumë dhe të dy, krejt lakuriq, ishin njëri mbi tjetrin në dhomën e gjumit.

Bekimit i doli gjumi ende pa zbardhur dita. U rrotullua në shtrat dhe pastaj nisi të vështronte Lindën, që dukej edhe më e bukur kur flinte. Edhe pse në gjumë, të linte përshtypjen sikur po buzëqeshte dhe Bekimi pyeste veten se çfarë po ëndërronte ajo. E puthi lehtë, ngadalë dhe me kujdes, që të mos e zgjonte, pastaj u çua nga shtrati. Shkoi në tualet dhe pasi lau sytë, u kthye në dhomën e gjumit dhe bëri disa ushtrime të lehta gjimnastikore. Linda vazhdonte të flinte, ndërsa Bekimi, ngaqë nuk dinte si ta shtynte kohën, u ul në tryezën dhe, ashtu si kot, nisi t’u hidhte një sy shënimeve të saj.

Gjeti disa shënime ku ajo përshkruante takimet me të dhe lumturinë që ndiente gjatë atyre takimeve, ndërsa më tej lexoi për mërzinë e saj dhe mallin që e ndiente kur ai mungonte. Bekimi u prek tej mase nga ato që lexoi dhe deshi ta zgjonte menjëherë nga gjumi dhe me plot gojën t’i premtonte se kurrë më dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndaheshin. Sapo deshi ta bënte këtë, pa një dosje që dallohej nga gjërat tjera në tryezë dhe kjo ia tërhoqi menjëherë vëmendjen. E hapi atë me kujdes dhe nisi ta lexonte, por ndërkaq u trondit aq shumë, sa u duk sikur nuk i mbeti më pikë gjaku në fytyrë.

Në fletën e parë ishte shkruar: “Linda, këto janë shënimet që kemi tani për tani për Agronin. E dimë se ai është ose do të arrijë ndërkohë në Ulqin, ku do të marrë pajisjen për të cilën kemi biseduar. Ti duhet ta ndalësh para se të vazhdojë rrugëtimin e tij ose të kapet nga armiku. Po aq sa është e rëndësishme për ne që ai të mos e realizojë misionin e tij, po aq e rëndësishme është që Agroni të mos kapet nga armiku. Nëse armiku e zë rob dhe merr edhe pajisjen, atëherë e tërë lufta jonë do të komprometohej dhe do ta humbnim përgjithmonë përkrahjen ndërkombëtare. Mund ta marr me mend sesi mund të ndihesh për këtë mision, por mos harro se ti je shpresa jonë e fundit.” Dhe, pas këtij shënimi, pasonte biografia e Agronit.

“Nga i dinë të gjitha këto?”, mendoi dhe shpejt e mblodhi veten. U vesh me të shpejtë, pastaj qëndroi disa çaste më këmbë, përballë trupit të përgjumur të Lindës. Në dorë kishte revolen që e kishte mbajtur fshehur prej saj, ia drejtoi një çast në kokë, por ngurroi ta shkrepte.
Bekimi, të cilin Linda e dashuronte aq shumë, në të vërtetë ishte Agroni. Dhe ajo kishte marrë përsipër që ta ndalonte. Instinkti i tij prej profesionisti i thoshte të mos i merrte parasysh ndjenjat dhe ta eliminonte pa u menduar dy herë, sepse Linda e tij punonte për ata që ishin kundër tij. Dilemat e brenin përbrenda, por ai e dashuronte dhe nuk mund ta vriste. Linda nuk e dinte që Agroni ishte Bekimi i saj dhe ky, po të tregohej i kujdesshëm, ajo nuk do ta merrte vesh kurrë. Agroni futi revolen në brez dhe më pas rregulloi të gjitha gjërat në tryezë, ashtu siç i kishte lënë Linda. Mori një letër dhe shpejt shkroi diçka për Lindën dhe e la në vendin më të dukshëm të tryezës. U largua menjëherë, sepse e kishin zbuluar ndërkaq dhe duhej ta ndryshonte gjithë strategjinë e tij.

8.

Ora po shkonte nëntë, kur Linda u zgjua. Zakonisht zgjohej më herët, por kësaj here thuajse kishte ndenjur zgjuar tërë natën duke kaluar çaste ekstaze me Bekimin. Nuk mbante mend sa herë kishte provuar orgazmën, sepse ato kishin ardhur gjithë vrull, si kurrë ndonjëherë më parë. Me Bekimin nuk vinte kufij dhe e ndiente se me të nuk duhej të kishte turp për të dhënë maksimumin nga vetja. Që të dy ishin në gjendje të shkëlqyer fizike dhe akti seksual, aq sa ishte kënaqësi, njëherësh ishte edhe një lloj gare se cili prej të dyve do të dorëzohej i pari. Kishte qenë një natë aq e paharrueshme, sa Linda e kishte përjetuar edhe njëherë në ëndërr. Ishte në kulmin e një orgazme të re, kur i doli gjumi dhe vuri re se Bekimi nuk ishte më aty. Kjo e shqetësoi, sepse ai asnjëherë nuk ishte larguar pa e zgjuar edhe atë nga gjumi. Ndërkaq i zuri syri letrën në tryezë. U ngrit dhe me të shpejtë filloi ta lexonte.

“Shumë e dashura ime,

Nuk kam fjalë sesi ta shpjegoj tërë magjinë e natës së shkuar. Shpresoj që një ditë do të jesh në gjendje ta ndiesh gjithë vëllimin e dashurisë së pafund që kam për ty dhe sa e rëndësishme je për mua. Nuk kam fjalë sesi ta shpreh, por ta dish që çdo sekondë që kaloj me ty është e barabartë me një jetë të tërë në parajsë.

Ti je engjëlli im dhe e vetmja që ndonjëherë mund ta dashuroj me gjithë fuqinë e shpirtit dhe zemrës sime. Dua që ta dish dhe të jesh e vetë dijshme për këtë, pavarësisht asaj që mund të ndodhë ose që dikush, ndonjëherë, të thotë diçka jo të mirë për mua.
Ndihem shumë keq për kësaj here. Nuk mund të të pres derisa të zgjohesh nga gjumi. Por shpresoj se një ditë do të më falësh për këtë.
Të dashuroj deri në frymën e fundit dhe dije se as vdekja nuk do të më ndalë së dashuruari ty.

Përherë vetëm i yti,

Bekimi”

Linda e palosi letrën dhe nuk dinte sesi ta shpjegonte arsyen pse e kishte shkruar Bekimi dhe pse ishte larguar me aq ngut. E la letrën mbi tryezë dhe u fut në banjë. Pas pak u dëgjua zhurma e dushit. Donte ta largonte mendjen diku tjetër e, nëse ishte e mundur, të mos mendonte për asgjë. Kur kishte lexuar letrën e Bekimit, kishte vënë re se dosja me shënimet për Agronin ishte zhvendosur disa milimetra prej vendit ku e kishte lënë. Linda kishte kujtesë fotografike dhe asgjë nuk mund t’i shpëtonte syrit të saj. Nëpër kokë i erdhi një mendim, por e largoi menjëherë.