~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i trembëdhjetë

1.

PRISHTINË, DY DITË MË PAS

Prishtina ishte kthyer në qendrën administrative dhe ushtarake të pushtetit të dhunshëm dhe gëlonte nga agjentët e shërbimeve sekrete serbe, që vëzhgonin gjithçka ditë e natë. Agroni asnjëherë nuk kishte qëndruar në Prishtinë më gjatë se disa orë, por megjithatë dinte pothuajse gjithçka për qytetin. Pothuajse dinte emrat e çdo rruge dhe lagjeje, si dhe gjithçka tjetër në lidhje me jetën që zhvillohej në çdo pjesë të qytetit. Gjatë përgatitjeve të tij shumëvjeçare kishte lexuar çdo gjë që bënte fjalë për Prishtinën, kishte analizuar me hollësi hartën e saj, ndërsa ndërtesat i njihte prej fotografive. Me mendjen e tij kishte menduar disa herë një sulm ndaj komandës së Korpusit të Prishtinës, organizimit ushtarak serb që kontrollonte Kosovën, por gjithnjë kishte hequr dorë nga sulmi, ngaqë e dinte se pastaj serbët do të hakmerreshin ndaj popullatës civile që jetonte përreth.

Vetëm në sipërfaqe gjërat dukeshin të qeta, por në të vërtetë qyteti merrte frymë në një gjendje tensioni dhe ankthi. Shqiptarët dhe serbët i kishin të ndara lagjet dhe nuk ndodhte asnjëherë që ndonjëri të shkonte në territorin e tjetrit. Rinia shqiptare ishte kufizuar në dy vende, te Kurrizi dhe te Santea, ku të gjithë mblidheshin si sardelet pas njëri-tjetrit. Vetë Agronit i kishte ndodhur të shihte se mjaftonin dhjetë policë serbë që të bllokonin hyrje-daljet nga tuneli te Kurrizi dhe më pas të fillonin kontrollin dhe keqtrajtimin sistematik të të gjithë atyre që ziheshin në atë sanduiç. E njëjta situatë ishte edhe për intelektualët shqiptarë, të cilët ishin izoluar në restorantet tek tuneli i galerisë, te Qafa, ku edhe aty ndonjëherë përsëritej i njëjti skenar. Me kohë, këto po bëheshin pjesë e jetës dhe banorët ishin dënuar të mësoheshin me këtë realitet. Por ajo që e irritonte më shumë Agronin ishte përpjekja e serbëve që militarizimin e qytetit ta maskonin me një vello normaliteti. Naimi i kishte thënë se bombën do t’ia dorëzonte në Prishtinë dhe prej aty ai duhej të vazhdonte për në Serbi. Këtë herë Agroni nuk dyshonte më se po e përdornin në ndonjë lojë, ndaj dhe menjëherë filloi nga përgatitjet për t’u nisur në Prishtinë. Pasi leu flokët e tij dhe të Lindës, më pas u mor edhe me hollësi të tjera të pamjes së të dyve, si forma e vetullave dhe ngjyra e syve, si dhe hoqi mjekrën dhe mbajti vetëm mustaqet.

2.

Agjenti Smith i kishte urdhëruar bashkëpunëtorët e tij të punonin pothuajse gjashtëmbëdhjetë orë në ditë. Në fillim u kërkoi të rishikonin edhe një herë çdo informatë që kishin, pastaj la detyrën që të analizohej stili dhe çdo hollësi tjetër që kishte të bënte me operacionet në Ulqin dhe Prizren. Pavarësisht se Agroni ishte profesionist i shkëlqyer, po të shqyrtohej gjithçka me imtësi, mund të dallohej stili i tij i veprimit, që më pas ndihmonte për të krijuar ndonjë ide se ku mund të ishte trajnuar. Për më tepër, i udhëzoi bashkëpunëtorët të hetonin nëse stili i punës së Agronit korrespondonte me ato që mësoheshin në programet trajnuese të njësive speciale të ushtrisë amerikane. Smithi kishte njëfarë parandjenje se, në një periudhë të jetës së tij, Agroni mund të ishte trajnuar nga instruktorë të ushtrisë amerikane. Dhe kjo hamendje nuk ishte pa gjë, sepse pas njëfarë kohe, edhe bashkëpunëtorët e tij u pajtuan me mendimin se, nga mënyra si vepronte dhe taktikat që përdorte, Agroni mund të ishte trajnuar në ndonjërën prej akademive ose kampeve të stërvitjes së ushtrisë amerikane. Ndërkaq, pas përpunimit të hollësishëm të elementeve nga vendngjarja në Prizren, bashkëpunëtorët e Smithit kishin arritur të izolonin një shenjë gishtash, që ata besonin se mund të ishte e Agronit. Dhe nëse ai vërtet kishte marrë pjesë në ndonjë program trajnues të ushtrisë amerikane, diku në arkiva duhej të ishin edhe shenjat e tij të gishtërinjve. Kështu, agjenti Smith kërkoi që të kontrollohej pa humbur kohë në arkivat e ushtrisë amerikane dhe të NATO-s. Nëse do të zbulohej diçka, atëherë ishin në rrugë të mbarë dhe të paktën do t’i jepej fund misterit rreth Agronit.

3.

Prishtina ishte qyteti i Lindës, kështu që Agroni dëgjonte me vëmendje çdo fjalë dhe shpjegim të saj. Ajo fliste me emocion për çdo gjë që kishte lidhje me qytetin, sikur ai të ishte pjesë e shpirtit të saj. E kishte braktisur qytetin dhe i ishte bashkuar luftës ngaqë nuk shihte asnjë rrugëdalje tjetër. Atëherë sapo ishte diplomuar në universitet, por nuk mund ta mendonte veten të bashkuar me të tjerët në iluzionin se gjithçka po funksiononte dhe se një ditë Serbia do të lodhej vetvetiu. Shpirti i saj i lirë nuk e linte të qetë. Nuk mund ta duronte më atë gjendje, ndonëse shumë të tjerë kishin filluar ta pranonin tashmë, ndoshta ngase nuk mundnin apo nuk dinin si ta ndryshonin.

Së bashku me Arbenin, shokun e saj të fëmijërisë, vendosën të përfshiheshin në njësitet e para guerile. Atëherë ishte betuar se në Prishtinë do të kthehej vetëm si pjesëtare e forcave që do ta çlironin qytetin. Në të kundërt, nuk do të kthehej kurrë. Tani, me një mision të fshehtë, duke shkelur betimin që kishte bërë, bashkë me Agronin, njeriun e ëndrrave të saj, si dy njerëz që në kërkim të tyre ishin vënë shpura të tëra policësh e agjentësh të shërbimeve të fshehta, të armatosur vetëm me nga një revole, po ecnin nëpër rrugët e qytetit të saj, që ajo ëndërronte ta shihte të çliruar.

Agroni ishte kujdesur për pamjen e të dyve dhe tanimë ata ngjanin me një çifti të huajsh. Me dokumente të rreme, që i kishte falsifikuar Agroni, zyrtarisht ishin gazetarë nga Turqia dhe ishin vendosur në hotel Grand. Agroni jo pa qëllim u vendos në hotel. Ishte i bindur se aty nuk do ta kërkonte askush, sepse të gjithë do të prisnin që ai të fshihej diku kthinave. “Nëse dëshiron të fshehësh diçka, atëherë fshihe para syve të gjithë botës”, kishte qenë motoja e stilit të tij të veprimit dhe ia kishte dalë me sukses. Edhe Linda e fliste rrjedhshëm turqishten dhe ishte pothuajse e pamundur të dyshohej për të. Ndërkaq, Agroni çdo gjë e bënte sipas rregullave dhe me të mbërritur në Prishtinë, shkuan te qendra serbe e shtypit, që ishte vendosur në katin e parë të hotel “Grandit”, ku u prezantuan si dy gazetarë të huaj. Madje pati aq kurajë sa ndenji edhe për një kafe në zyrën e zyrtarit serb, i cili, si burokrat hileqar, për t’i bërë për vete gazetarët e huaj, u ofronte atyre kafe e cigare. Linda dhe Agroni i bënin të gjitha veprimet me gjakftohtësi të admirueshme, sepse ishin në një vend të frikshëm e që gëlonte nga agjentët e armikut.

Ishte mbrëmje dhe ishin bërë pothuajse gjashtë orë që kur kishin mbërritur në Prishtinë. Linda ia hodhi dorën në qafë Agronit dhe u nisën të ecnin drejt shëtitores kryesore të qytetit.

– Dikur, këtu shëtisnin vetëm shqiptarët, por, me kalimin e kohës, e lëshuam tërësisht dhe ikëm periferive. ”Ik, mos provoko, se mund të të bëjnë këtë e atë”, kjo ishte filozofia e atëhershme. Mirë që nuk u mbyllëm për fare brenda mureve të shtëpive tona! Prandaj, lufta ishte e vetmja zgjidhje! – Linda e përfundoi fjalinë gati me ton patetik.

– Ke qenë përherë kaq radikale apo, me kalim të kohës, je bërë e tillë? – e pyeti Agroni, i cili përherë vinte buzën në gaz, kur Linda shprehte gatishmërinë e saj për luftë.

– Nuk e di! Besoj se, me kalim të kohës, u bëra e tillë. Por mos mendo se jam budallaqe dhe dua vetëm luftë. E kam provuar atë dhe e di se çfarë sjell me vete.

– E vërtetë, – pohoi Agroni.

– Si thua, a do të arrijmë ta fitojmë luftën? – e pyeti Linda.

– Patjetër! Por nuk e di a do të jem ende që ta shoh atë ditë! – tha ia dhe uli kokën.

Pse flet kështu? – reagoi Linda e prekur.

Mes tyre ra heshtja dhe Linda e shtrëngoi edhe më fort pas vetes.

4.

Pas takimit me shefin e protokollit, kishte ardhur koha që agjenti Smith t’ua tregonte dhëmbët edhe serbëve. Shkroi një raport ku sugjeroi se do të ishte mirë sikur Uashingtoni t’i dërgonte një notë të rreptë qortuese qeverisë serbe dhe që, në mënyrë indirekte, të lihej të kuptohej se amerikanët po dyshonin në sinqeritetin e tyre. Smithi ndërkaq i kishte bindur eprorët e tij dhe zyrtarët më të lartë, përfshirë edhe këshilltarët e Presidentit, të cilët i lexonin raportet e tij, se serbët po bënin lojë të dyfishtë e thuajse nuk e ndienin veten aspak të rrezikuar nga bomba. Agjenti ishte i vetëdijshëm se, me dyshimet e tij, po aludonte për një komplot shumë të madh, por duke e bërë këtë, po merrte mbi vete një rrezik jo të vogël, sepse ende nuk kishte ndonjë provë domethënëse që ta mbështeste teorinë e tij. Gjithçka që kishte ishte vetëm intuita e tij dhe përfundimet që kishte nxjerrë nga analiza e hollësishme e veprimeve të serbëve në terren. Argumenti i vetëm logjik që kishte e që e përdori fort, ishte shpjegimi se, sikur të ishte Uashingtoni para një rreziku të tillë, qeveria amerikane nuk do të kishte lënë gur pa lëvizur, ndërsa me serbët po ndodhte e kundërta. Realiteti me të cilin po ballafaqohej i sugjeronte se serbët po bënin të pamundurën për të kapur Agronit dhe, në anën tjetër, ta bindnin vetë Smithin se UÇK-ja nuk ishte asgjë më shumë se një bandë terroristësh ordinerë.

Për habinë e agjentit, nota e qeverisë amerikane ishte shumë më e rreptë nga ç’e kishte pritur. Për këtë arsye, vetë shefi i sigurimit shtetëror serb kishte mbërritur në Prishtinë dhe kishte kërkuar të takohej me Smithin. Kjo tregonte se kishte goditur aty ku serbët nuk e prisnin. Kishte hedhur hapin e duhur dhe tani zotëronte epërsi taktike. Shefi serb kishte ardhur pa shumë zhurmë dhe takimi ishte caktuar për atë mbrëmje në hotelin “Grand”.

5.

Agroni dhe Linda u ulën në dy nga kolltukët e shumtë të vendosur në hollin e hotelit.

– Qytet i bukur! – i tha Agroni në turqisht.

– Do të ishte edhe më i bukur sikur… – Por nuk e çoi fjalinë deri në fund, sepse Agroni i bëri shenjë të heshtte.

– E di se çfarë po mendon, – ia ndërpreu fjalën Agroni. Duke iu afruar më shumë, kinse për ta puthur në qafë, me zë të ulët i tha në vesh: – Kujdes, mund të ketë mikrofona dhe na përgjojnë! -Pastaj u rehatua përsëri në kolltuk.

Në atë çast, në parkingun para hotelit u shfaqën disa makina me targa diplomatike të misionit amerikan, prej nga zbritën disa zyrtarë e shumë më tepër truproja, që u futën në hotel. Linda njohu menjëherë agjentin Smith. Ndërsa amerikanët po shkonin drejt ashensorit, Linda iu afrua Agronit dhe nisi ta puthte, sepse donte të fshihte fytyrën. Megjithëse e maskuar, druhej se Smithi mund ta njihte.

– Çfarë ke? – e pyeti Agroni, sepse e kuptoi që diçka nuk ishte në rregull.

– Është ai, agjenti i CIA-s, – i tha ajo me zë të ulët dhe e vazhdoi lojën derisa amerikanët u futën në ashensor.

Amerikanët ndërkaq ishin diku në katet e sipërme të hotelit, por Agroni vuri re se gjatë gjithë kohës ata vëzhgoheshin nga njerëz të tjerë që nuk bënin pjesë në eskortën e tyre. Merrej vesh që ishin agjentë të sigurimit serb, që ndiqnin çdo lëvizje në hotel.

Dikush shumë i rëndësishëm ishte në hotel dhe agjenti Smith po shkonte ta takonte!

6.

DHOMA NR. 56 NË HOTEL “GRAND”

Kati në të cilin ndodhej dhoma ku e priste shefi serb, ishte boshatisur plotësisht. Përveç truprojave personale, aty nuk guxonte të futej askush tjetër. Me të dalë prej ashensorit, dy agjentë serbë i kërkuan Smithit të shkonte pas tyre. Kur arritën te dera e dhomës numër 56, ata i shpjeguan se aty mund të hynte vetëm agjenti Smith. Pa e zgjatur, Smithi i urdhëroi dy shoqëruesit e tij që ta prisnin aty dhe më pas hyri në dhomë.

Mobilimi nuk binte në sy për ndonjë gjë të veçantë, së paku nuk ishte në nivelin e pesë yjeve, siç reklamonte shërbimi i hotelit. Te dritarja, me shpinë kthyer nga dera, po rrinte më këmbë një burrë i thinjur, veshur me kostum të shtrenjtë. Sapo hyri Smithi, u kthye dhe eci drejt tij.
– Më vjen keq, por besoj se i kuptoni plotësisht arsyet për masat e sigurisë, – tha ai me një buzëqeshje të shtirur.

– Siguria kurrë nuk është e tepërt, – ia ktheu Smithi për t’ia bërë qejfin mikpritësit të vet. – Ju falënderoj që morët mundimin dhe erdhët deri këtu për të më takuar. Situata na dikton të bisedojmë për shumëçka, – tha pastaj, ngaqë e dinte se kjo ishte mënyra më e mirë për të shmangur diskutimet e kota dhe për të kaluar menjëherë në temë.

– E kam ditur se shumë shpejt do ta gjenim gjuhën e përbashkët, – tha shefi serb dhe pas kësaj u ulën të dy. – Ne jemi në dijeni të natyrës specifike të misionit tuaj, si dhe për rrezikun që i kanoset shtetit tonë, – vazhdoi ai dhe e shikoi drejt e në sy Smithin, por vuri re se shprehja e fytyrës së tij ishte fare e qetë.

– Për shkak se e kemi vlerësuar si të sinqertë reagimin e shtetit tuaj ndaj këtij rreziku, e pamë të arsyeshme t’jua linim juve ta udhëhiqnit tërë operacionin. Shpresonim se do të ishit më të suksesshëm, por pas asaj që ndodhi në Ulqin dhe Prizren, kemi përshtypjen se terroristët shqiptarë janë përherë disa hapa para jush.

Agjenti Smith nuk e pa me vend t’i kundërshtonte fjalët e bashkëbiseduesit, sepse çdo gjë që tha ishte më se e vërtetë. Përparimi i tij për zgjidhjen e krizës ishte shumë i vogël, prandaj vendosi të dëgjonte e jo të komentonte.

– Ndërkohë, – vazhdoi më tej shefi serb, – ne nuk rrimë duarkryq. Megjithatë, duhet pranuar se në Prizren kemi dështuar së bashku me ju.
– Do t’i zinim sikur ju të mos ishit përzier! – Agjentit Smith kësaj here nuk iu durua pa komentuar.

– Ndoshta, – tha shumë i qetë shefi i sigurimit serb, – por ky rast më bën të mendoj se bashkëpunimi ynë mund të jetë shumë më i suksesshëm… në vend që të punojmë veçmas e shpesh edhe kundër njëri-tjetrit. – Këtu shefi i sigurimit serb bëri një pushim dhe u duk se dëshironte që theksi të binte sidomos te fjalët e fundit.

Agjenti Smith e kuptoj se shefi serb nuk e kishte hallin edhe aq shumë te ngjarjet e fundit, por te kritikat e qeverisë amerikane për operacionet serbe në Kosovë.

– Ne jemi të interesuar të ndalojmë terroristët, kurse ju të pengoni rikthimin e luftës së ftohtë… – Shefi nuk e vazhdoi më tej fjalinë, sepse rojat te dera lejuan të futej dikush i veshur me uniformë kamerieri, me dy gota uiski në një tabaka, që agjenti Smith ishte i bindur se në të vërtetë edhe ai ishte agjent serb.

– Sikur të dyja palët të arrinim qëllimet tona, ndoshta kjo do të ishte zgjidhja më fatlume, – ia ktheu Smithi, më shumë për të vazhduar lojën e fjalëve.

– Natyrisht! Ne kemi një shtet me traditë të konsoliduar dhe nuk dëshirojmë të bëhemi shkak për përplasje globale,po ndërkaq nuk mund t’i tolerojmë bandat e ndryshme të terrorizojnë qytetarët tanë. – Serbi tashmë e kaloi bisedën tërësisht në rrafsh politik.

– Sikur ta dinim se kush e ka bombën dhe si ta gjejmë atë, përplasja ndoshta edhe do të evitohej, – ia ktheu agjenti Smith, ngaqë donte t’i bënte pjesë të bisedës dyshimet e veta për një konspiracion më të thellë.

– Nuk ka asnjë dyshim se bombën e kanë terroristët shqiptarë. Dhe dimë po ashtu se, pavarësisht deklarimeve, që të gjithë, pacifistë apo militaristë, janë pjesë e së njëjtës lojë. Prandaj, ne dëshirojmë që për këtë të bindeni edhe ju vetë, në mënyrë që, pastaj, askush nga qeveria juaj të mos ngrejë akuza të pabaza ndaj nesh. – Me këto fjalë, shefi i sigurimit serb e bëri edhe më të qartë qëllimin e tij politik: çdo lloj bashkëpunimi do të duhej të nënkuptonte që qeveria amerikane t’u linte dorë të lirë serbëve për të vepruar në Kosovë.

Agjenti Smith mori gotën me uiski dhe piu një gllënjkë, po ndërkaq, me bisht të syrit, ndiqte reagimin e bashkëbiseduesit të tij, i cili gjithë kohën stërmundohej me teatralitet për t’u treguar sa më elokuent.

– Po sikur të dalë se shqiptarët nuk e kanë fare bombën? – Agjenti Smith vendosi ta çonte lojën e fjalëve deri në fund. – Çfarë pasojash mund të ketë për vendin tuaj, nëse e tërë kjo aventurë përfundon thjesht me humbje kohe për ne?

– Nuk ju kuptoj se ku dëshironi të dilni! – tha shefi i sigurimit serb dhe për herë të parë gjatë bisedës shfaqi shenja nervozizmi.

Bingo! Ky ishte efekti që dëshironte të krijonte agjenti Smith. Por në të njëjtën kohë nuk donte të linte të kuptohej se ai dyshonte që serbët mund të kishin gisht në historinë rreth bombës. Prandaj vendosi ta ndryshonte kahun e bisedës dhe ta kthente atë përsëri në diskutim politik.

– Është e thjeshtë! – vijoi Smithi. – Pak muaj më parë, duke treguar vullnet të mirë ndaj jush, qeveria ime ka pranuar kërkesën e qeverisë suaj që të gjitha sulmet ndaj forcave tuaja policore t’i karakterizonim si terrorizëm. Ju e dini fort mirë që përfaqësuesi ynë special për rajonin e ka thënë këtë publikisht edhe këtu në Prishtinë. – Shefi i sigurimit serb pohoi me kokë. Atëherë Smithi vazhdoi: – Po si na e shpërblyet ju pastaj? Masakruat familje të tëra! Mirëkuptimin tonë e morët si pëlqim për të bërë reprezalje! Sikur ju dhamë leje të vrisnit këdo që të gjenit përpara!

– Ata ishin terroristë që vrisnin policët tanë! – ndërhyri me zemërim shefi i sigurimit serb. – Edhe ju ashtu do të vepronit, sikur kjo të ndodhte në vendin tuaj.

– Amerika është vendi i parë në botë më i rrezikuar nga terrorizmi i brendshëm, por ne asnjëherë nuk shkojmë të vrasim familje të tëra vetëm për të demonstruar forcën. Nejse, që të mos dal nga tema, ajo që dua të them është: nëse zbulohet se bomba nuk është në duart e shqiptarëve ose që ajo nuk ekziston fare, atëherë duhet ta kuptoni se ky do të jetë fundi i durimit nga ana e qeverisë sime!

Fjalët e fundit të agjentit Smith e goditën aq fort shefin e sigurimit serb, sa e pati të pamundur ta fshihte tërbimin.

7.

E NJËJTA KOHË

Agroni dhe Linda po mblidhnin të gjitha gjërat e tyre në dhomë, me qëllim që të mos linin asnjë gjurmë. Kishin ndër mend të largoheshin nga hoteli. Agroni mendonte se nuk kishte asnjë lloj sigurie po të vazhdonin të qëndronin aty. E kuptoi që dikush nga strukturat e larta të sigurimit ose të ushtrisë serbe ishte në hotel dhe po takohej me agjentin Smith. Masat e shtuara të sigurisë mund të bëheshin problematike, çka nënkuptonin se gjithçka do të kontrollohej me më shumë imtësi se zakonisht.

Në njëfarë mënyre ishte penduar pse kishte vendosur të luante rolin e gazetarit. Ndoshta egoja e tij e lënduar e kishte nxitur të vepronte kështu për të treguar se ishte më i mirë dhe më i zoti se gjithë të tjerët.

“Çfarë budallallëku!”, mendoi. Gjithnjë kishte pasur një lloj parandjenje se krenaria e tepruar do t’ia hante kokën, por nuk dëshironte që kjo të ndodhte pikërisht atë ditë.

Do të largoheshin nga hoteli kinse po dilnin në terren – fundja, këtë e bëjnë të gjithë gazetarët. Pastaj do të përpiqej të lidhej me Naimin. Kishte shumë mundësi që ardhja e zyrtarëve të lartë serbë mund të lidhej me faktin se ata mund të kishin informacion se bomba atë natë do të ishte në Prishtinë. Nëse kjo ishte e vërtetë, atëherë diçka nuk po shkonte sipas parashikimit dhe të gjithë ishin në rrezik.

8.

– Mendoj se biseda jonë mori kahun e një diskutimi për gjëra ku nuk kemi ndikim, por thjesht zbatojmë urdhrat që na japin, – tha shefi i sigurimit serb pas disa sekondash pushimi, gjatë të cilave sikur e mblodhi veten. Në të njëjtën kohë, me këto fjalë, në mënyrë hileqare, donte t’i jepte mesazhin agjentit Smith se për gjërat që ndodhnin në terren, përgjegjësia binte mbi politikanët serbë dhe jo mbi njerëzit si puna e tij. Por këto fjalë nuk i bënë përshtypje Smithit, sepse e dinte shumë mirë që operacionet serbe të shkurtit dhe marsit të atij viti ishin organizuar me nxitjen e drejtpërdrejtë të njeriut që kishte përballë. Megjithatë, nuk donte ta vazhdonte më tej diskutimin në atë linjë, sepse tashmë e kishte arritur qëllimin e tij.

-Jam plotësisht në një mendje me ju,- tha Smithi, ndonëse nuk mendonte ashtu. – Të gjithë jemi peng në duart e politikanëve. Por ndër kaq, mendoj se, me siguri, ju keni diçka për të ndarë me ne. Nuk besoj se keni ardhur deri këtu vetëm për të parë qytetin.

– Shumë e vërtetë. Ky qytet gjithnjë më ka ngjallur neveri dhe asnjëherë nuk ndihem mirë këtu. Pra, le të flasim për atë që më solli këtu, – tha shefi i sigurimit dhe nisi të nxirrte disa dokumente nga çanta. – Këtë femër besoj se e njihni, – vijoi pastaj duke i treguar fotografinë e Lindës.
Agjenti Smith pohoi me kokë.

– Këtu është në kafenenë “Belami” në Ulqin, para njëzet e disa ditësh, në shoqërinë e këtij njeriu. – Ndërkaq nxori fotografinë ku ajo shihej duke biseduar me Oficerin. Pastaj i tregoi fotot e kufomave të Agimit dhe Zanës. – Besojmë se këta të dy ishin në ekip me Agronin. Njëri nga agjentët tanë i ka zbuluar dhe, në kacafytje e sipër me ta, i ka neutralizuar. Fatkeqësisht, Agroni e vrau agjentin tonë, para se ky i fundit të arrinte ta përcillte te ne informatën për zbulimin e tij.

Agjenti Smith u përqendrua i tëri në atë që po i tregonte bashkëbiseduesi i tij.

– Po i njëjti njeri që është takuar në Ulqin me këtë vajzën, është fotografuar në disa vende si pjesëtar i forcave terroriste, – saktësoi shefi i sigurimit serb dhe nxori disa foto të tjera, ku Oficeri ishte me disa njerëz të tjerë me uniforma të UÇK-së.

– Si arrini t’i merrni foto të tilla? – e pyeti Smithi sa për kureshtje.

– Natyrisht, edhe ne kemi metodat tona, – tha ftohtë shefi i sigurimit.

– Atëherë, pse nuk e keni arrestuar në Ulqin? – e pyeti agjenti Smith.

– Sepse duhet kohë derisa të përpunohet informata. Agjenti që ka bërë fotografinë, nuk e ka ditur se cili është ai njeri. Këto gjëra i dini edhe ju, – u përgjigj ftohtë shefi i sigurimit serb, ndërsa Smithi i dha të drejtë, sepse vërtet duhej njëfarë kohe derisa një informatë të përpunohej, të verifikohej etj.

– Kur e kuptuam se ai njeri ishte dikush nga radhët e terroristëve, ai ishte zhdukur ndërkaq. Por kjo nuk ka shumë rëndësi. Me rëndësi është se terroristët shqiptarë janë tejet të përfshirë në këtë mision krimi dhe terrori kundër vendit tim. – Toni i zërit të shefit të sigurimit serb u bë edhe më agresiv.

– Ndoshta! Por ndërkohë edhe mund të ndodhë që ata të jenë angazhuar ashtu si ne për ta ndalur bombën. Nuk është e thënë që të gjithë të jenë në një mendje, – u përgjigj agjenti Smith.

– Do të doja të ishte ashtu, por fatkeqësisht nuk është. Unë kam ardhur në Prishtinë sot jo vetëm që të takohesha me ju, por edhe të udhëheq personalisht operacionin për kapjen e terroristëve që po transportojnë bombën!

Këto fjalë i ranë si vare në kokë agjentit Smith dhe për herë të parë mbeti pa fjalë. Shefi i sigurimit serb e dalloi qartë reagimin e Smithit dhe në fytyrë iu shfaq një buzëqeshje tinëzare dhe iu drejtua me ironi:

– Natyrisht, ju do të jeni me mua gjatë gjithë kohës që do të zhvillohet operacioni. Ky mund të jetë edhe një rast për fillimin e një aleance të mirë mes dy vendeve tona!