~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i pestë

1.

Barret M82 është pushkë gjysmë automatike me karikator prej dhjetë fishekësh dhe për këtë shkak është armë e përkryer për situata kur snajperi është i detyruar të qëllojë pa ndërprerje. Linda nuk e dinte se kush ishin burrat në anije dhe kjo as që i interesonte fare, sepse në çastin kur njëri prej tyre ia drejtoi armën Agronit, ata ishin bërë armiq për të. Duke e parë se Agroni ishte në rrezik të vritej, me shpejtësi marramendëse Linda analizoi të gjithë faktorët që mund të ndikonin në saktësinë e saj. Distanca prej aty ishte 548 metra, era frynte nga ana e majtë me shpejtësi 16 km në orë dhe në kënd 90 gradë me trajektoren e plumbit. Distanca prej 548 metrash nuk ishte asgjë për fuqinë e Barret-it, që është shumë e saktë edhe në largësi tri herë më të mëdha, por problemi ishte era. Sado e lehtë që ishte, era frynte në këndin më të keq të mundshëm dhe çdo snajper e di se në atë kënd era ka efektin më të madh në trajektoren e plumbit. Duke pasur në shënjestër zemrën e agjentit, Linda projektoi me mendje fluturimin e plumbit drejt asaj pike. Llogariti se me atë shpejtësi dhe këndin e erës, gjatë fluturimit plumbi do të zhvendosej anash nga era dhe do t’i shmangej objektivit. Si të ishte kompjuter, menjëherë llogariti faktorët dhe më pas e zhvendosi kryqin e shënjestrës 590 milimetra në të majtë; kryqi i shënjestrës ndërkaq binte mbi krahun e majtë të agjentit.

Linda e shtrëngoi fort pushkën, ndaloi frymëmarrjen dhe shkeli këmbëzën.

Plumbi u nis me shpejtësi 853 metra në sekondë dhe, duke fluturuar drejt objektivit, era e shmangu saktësisht 590 milimetra dhe e goditi agjentin drejt e në zemër. Gjithçka zgjati vetëm 0.64 sekonda dhe agjenti nuk pati rast as të nxirrte frymën dhe u shemb përtokë. Me ta shkrepur plumbin, shuli gjysmë automatik i pushkës e nxori me shpejtësi gëzhojën dhe në trajektoren e kthimit për në vendin e vet, tërhoqi në mënyrë automatike fishekun tjetër nga karikatori dhe e futi në folenë e pushkës. Në të qindtën e sekondës, Linda e lëvizi pak tytën e pushkës, e përqendroi vëmendjen tek agjenti i dytë dhe përsëri mbajti frymën. Kur pa se kolegu i tij u shemb përtokë, agjenti që po merrej me motorët e anijes, u përpoq të nxirrte revolen, por nuk pati kohë për asgjë, sepse Linda e goditi edhe atë në gjoks. Plumbat e kalibrit 12.7 kanë fuqi shkatërruese dhe kishte shumë pak gjasa që ndonjëri prej atyre të dyve të kishte mbijetuar. Fisheku i tretë tashmë ishte gati për shkrepje, por Linda nuk pati nevojë ta bënte këtë, sepse Agroni u hodh në det dhe pas pak u zhduk në thellësi.

Linda tërhoqi pushkën nga dritarja dhe u rrotullua anash. Nuk mund të mbushej me frymë dhe i dukej se zemra do t’i dilte nga vendi. Ishte shumë e shqetësuar nga ky zhvillim dramatik, por po ashtu ishte e vetëdijshme se nuk kishte as edhe një sekondë për të humbur. Ishte vetëm çështje kohe para se agjenti Smith ta kuptonte se ajo i kishte dalë në ndihmë Agronit dhe menjëherë do t’i vihej pas. Pas vetëm dhjetë sekondash, u ngrit, mori revolen Beretta M9 dhe dy karikatorë të mbushur plot dhe me të shpejtë doli nga banesa. Nuk mori asgjë tjetër me vete, sepse e dinte që do t’i duhej vetëm revolja.

2.

Agroni kohë pas kohe dilte në sipërfaqe të detit që të kursente oksigjenin, por edhe të shihte se ç’po ndodhte përreth. Kur u bind se askush nuk i kishte rënë në gjurmë, priti derisa ra errësira dhe u nis drejt Plazhit të Zonjave. Kur kishte planifikuar aksionin, e kishte identifikuar këtë vend si pikën ku do të dilte nga deti pas përfundimit të operacionit.

Plazhi i Zonjave në të vërtetë nuk është plazh, por një gji i vogël shkëmbor. Në atë vend, uji i detit, i pasur me jod, përzihet me ujin sulfurik që buron aty dhe ky kombinim krijon një efekt që shumëkush beson se shëron shterpësinë te gratë. Në mes të gjirit gjendet një shpellë e vogël, që e kanë quajtur Shpella e qelbët, ku, bazuar në një besëtytni vendase, gratë futen për një ritual magjik. Një grua e re, e shoqëruar nga një grua e vjetër, futet në shpellë dhe aty, e zhveshur lakuriq, sillet disa herë përreth gurit ngjyrëkafe të zhytur nën ujë. Një natë më parë, Agroni ishte futur në shpellë dhe aty kishte fshehur një çantë ku kishte futur rroba dhe një revole Smith Veson të serisë Sigma. Që kur kishte nisur aventurat e tij, kjo ishte revolja e parapëlqyer, prej së cilës nuk ndahej kurrë, sepse kishte karakteristika ideale për luftime në qytet. Sigma është shumë e ngjashme me Glok-un austriak, por gjithçka, përveç grykës, është ndërtuar me material sintetik. Edhe pse ka një karikator prej 17 fishekësh, Sigma nuk peshon më shumë se 700 gramë, çka e bën shumë të përshtatshme për luftimet në rrugë.

Agroni u afrua te gjiri i Plazhit të Zonjave dhe me shumë kujdes u fut në shpellë. Ekzistonte mundësia që gjatë ditës, rastësisht, ndonjë grua mund ta kishte gjetur çantën e tij dhe tani i tërë vendi të ishte rrethuar me policë, por doli se frika e tij ishte e kotë. Në shpellë nuk kishte njeri dhe ai e gjeti çantën në vendin ku e kishte lënë. Hoqi kostumin e zhytjes dhe bashkë me pajisjet e tjera i fshehu nën ujë, në një kthinë të errët të shpellës.

Doli nga shpella, veshi shpejt e shpejt rrobat e thata dhe mori rrugën e asfaltuar që çonte te hotel “Albatrosi”. U fut mes njerëzve që kishin dalë për shëtitje dhe vazhdoi të ecte mes tyre derisa arriti në qytet, pastaj prej aty shkoi në banesën e tij.

I shtrirë në shtrat, Agroni nuk gjente qetësi. I gjithë maskimi i tij, për të cilin kishte punuar aq shumë kohë, rrezikonte të dilte në dritë të diellit. Dikush apo diçka ishte kthyer ethshëm kundër tij. Që kur ishte përfshirë në mision, çdo lëvizje e tij paraprihej nga ata që e ndiqnin. Agroni nuk kishte as dyshimin më të vogël se diku ekzistonte një urith që e furnizonte palën tjetër me të dhëna operative. Ai kishte vepruar për vite të tëra, i bindur se askush nuk dinte as edhe gjënë më të vogël për të, po ndërkaq ngjarjet po rrokulliseshin sikur të dhënat për të publikoheshin përditë diku. Në gjendjen ku ndodhej, as që bëhej fjalë ta zinte gjumi e të gjente prehje, ndaj filloi të analizonte me mendje çdo hollësi të zhvillimeve të fundit.

Masakra te Lëndina e Thanave… ku vetëm ai shpëtoi gjallë… spitali ushtarak… akuzat ndaj tij… Linda dhe angazhimi i saj në një mision kundër tij… CIA… prita te jahti… Kur i kaloi të gjitha nëpër mend, edhe një herë Agroni e kuptoi se rrjedha e ngjarjeve nuk ishte vetëm punë urithi. Ishte aq i zgjuar sa të kuptonte se e tërë historia ishte shumë më e koklavitur se ç’dukej dhe se, në të vërtetë, dikush po luante me të si macja me miun. Truri i punonte me shpejtësi marramendëse dhe një nga një filloi të identifikonte copëzat e fshehta të mozaikut. Në errësirën e dhomës, nisi të buzëqeshte me cinizëm. Nuk ishte nga ata me të cilin dikush mund të bënte lojëra.

3.

“USS MOUNT VHITNEY”, DIKU NË ADRIATIK

Agjenti Smith po tërbohej nga inati. Rrjedha e ngjarjeve në Ulqin e kishte bindur se nuk duhej t’i besonte më askujt. Agroni e kishte nuhatur kurthin, Linda kishte vrarë dy agjentët e tij, kishte ikur me mjeshtëri dhe ata nuk po ia gjenin gjurmët. Më shumë ishte tërbuar me reagimin e agjentëve të shërbimit jugosllav, të cilët, me urdhër të drejtorit Stanishiq, kishin ndërhyrë me shpresën se do ta kapnin të gjallë Agronin. Me këtë Smithi e kuptoi se jugosllavët ishin treguar vetëm sipërfaqësisht bashkëpunues dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejonin që dikush tjetër, përveç tyre, ta shtinte në dorë Agronin. Më e rënda për agjentin Smith ishte se ndërkaq nuk kishte bërë asnjë hap përpara drejt zgjidhjes së misterit dhe komplotit rreth bombës.

Rrugës nga aeroporti i Sllatinës për në “USS Mount Vhitney”, agjenti Smith kishte urdhëruar që, sapo të futej në ngushticën e Otrantos, jahti “Elizabeta” të ndalohej me patjetër. Atij nuk i interesonte nëse do të shkeleshin rregullat e ligjit detar, sepse situata ishte e jashtëzakonshme dhe nuk kishte kohë të merrej me hollësi të tilla ligjore. Nëse do të arrinte ta shtinte në dorë bombën, atëherë gjithçka do të përfundonte aty dhe do të kishin kohë të merreshin edhe me hollësitë.

Posa “Elizabeta” kaloi Otranton dhe ishte e qartë se po lundronte drejt ujërave malazeze, njësitë speciale të marinës amerikane e sulmuan pa paralajmërim. Një duzinë ushtarësh, të mbështetur nga helikopterë dhe anije të shpejta, e rrethuan dhe më pas u ngjitën në bordin e jahtit. Ekuipazhi nuk pati as rastin më të vogël të bënte rezistencë dhe të gjithë u dorëzuan brenda disa sekondave. Anëtarët e ekuipazhit u arrestuan dhe u dërguan në “USS Mount Vhitney”, ku do të merreshin në pyetje, ndërsa marinsat e kontrolluan anijen në çdo cep të saj, por nuk gjetën asnjë shenjë të bombës.

Anëtarët e ekuipazhit ishin tejet të frikësuar dhe menjëherë u treguan bashkëpunues dhe treguan gjithçka për rrugëtimin e tyre. Ata treguan se në Stamboll kishin marrë vetëm një letër, se atë duhej ta dorëzonin në Ulqin dhe madje treguan në detaje kodin e vendosjes së kontaktit. Meqë “malli” që duhej të kontrabandonin ishte vetëm një letër, ata kishin supozuar se nuk do të kishin telashe nga askush dhe se gjithçka do të shkonte mirë e bukur. As që e kishin menduar ndonjëherë se mund të përfshiheshin në një konspiracion ku përfshihej një bombë atomike dhe, po ta dinin të vërtetën, me siguri që do të kishin refuzuar. Agjenti Smith e kishte marrë letrën, por nuk kishte kuptuar asgjë prej saj.
Mesazhi në letër ishte një kombinim shkronjash dhe numrash që nuk kishin kurrfarë kuptimi. Ishte e qartë se letra ishte e koduar.

Pvhzq 3zgv nv sv3v gv eqvhsgvh

lloz ufhsvh gv yivls pfg.f.

Ivgv hsglsv3 nv eizk kz ivhsg.,

Sv3z lfpvg zgb-pvgf.

Klihr evgv nv31rnvg v nrz Kl nv hsgbsv3 31vi nv31 nv hskvhs 1sv kzh gbiv tqrgs3qv tqv31vhs gr hr pql sv3v jv 1fpvg nvh ivhs.

Sv3z hskvqg 1l gv as1fpvg 1sv 3vgvg 1l gv nyvgv3 kz gv, p. hv gr 3v v31viirnvg v nrz kz qvgv kviv31rn h’1l gv pvhs p.ihvhr

Teknikët në Lengli nuk e patën të vështirë ta deshifronin mesazhin, sepse letra ishte e koduar me sistemin e njohur si Shifra e Cezarit. Shkronjat e alfabetit ishin zëvendësuar së prapthi, pastaj shkronja D ishte zëvendësuar me numrin 1 dhe shkronja N me numrin 3. Edhe pse letra ishte shkruar në shqip, si bazë e shifrimit dhe e deshifrimit ishte përdorur alfabeti anglez. Në mesazhin e dekoduar në shqip shkruhej:

Kesaj nate me hene te vjeshtes Dola fushes te bredh kuturu.

Rete shtohen me vrap pareshtur,

Hena duket aty-ketu.

Porsi vete mendimet e mia Po me shtyhen nder mend me shpesh dhe pas tyre gjithnje gjendesh ti si kjo hene qe duket mes resh.

Hena shpejt do te zhduket dhe netet do te mbeten pa te, kurse ti ne enderrimet e mia pa jete perendim s’do te kesh kurrsesi.

Letra përsëri nuk kishte kuptim dhe ekspertët ishin të bindur se mesazhi ishte koduar me sistem të dyfishtë. Kodi i parë, sistemi cezarian, ishte i thjeshtë, me siguri i menduar që, në pamje të parë, ta bënte letrën të pavlerë, kurse për ta kuptuar kodin e dytë duhej ditur kuptimi i fjalëve veç e veç. Letra ishte një poezi nga Ismail Kadare, një shkrimtar i njohur shqiptar, për të cilin agjenti Smith kishte dijeni, sepse i kishte lexuar romanin “Kështjella” të përkthyer në anglisht. Teksti i deshifruar i letrës sugjeronte që fjalët mund të deshifroheshin duke pasur për bazë ndonjë libër ose pjesë të caktuar të ndonjë libri të Kadaresë. Të gjitha këto ishin supozime dhe ekspertëve në Lengli do t’iu duhej shumë kohë që ta kuptonin kodin, por në këtë rast koha ishte faktori që agjencia nuk e kishte në dispozicion.

Agjenti kishte parandjenjën se letra ishte e pamundur të deshifrohej ngaqë në të vërtetë ajo nuk kishte kurrfarë kuptimi dhe se ishte vetëm një mashtrim i menduar mirë. Megjithatë, ai nuk mund të nxirrte përfundime të tilla bazuar vetëm në parandjenjën e tij dhe për këtë arsye duhej ta kapte patjetër Agronin. Në këtë rrethana, agjenti vendosi që ta zëvendësonte ekuipazhin e “Elizabetës” me agjentët e tij dhe kështu ta kapte të gjallë Agronin, sapo ky të vendoste kontakt me jahtin.

Ai me siguri që do t’ia kishte arritur kësaj sikur të mos ishin përzier jugosllavët dhe sikur Linda të mos e kishte ndihmuar Agronin të largohej. Përkundër tërbimit, diku brenda vetes ndihej i kënaqur me faktin se, megjithatë, teoria e tij rezultoi e drejtë. Ai ishte i bindur se në këtë aferë ishin përzier të gjithë dhe se shqiptarët, madje edhe politikanët e moderuar mes tyre, mendonin ta përfundonin luftën me shpërthimin e bombës në Beograd. Këtë mendim ia shpjegoi edhe drejtorit Tenet në telefon.

– Si urdhëron zotëri! Sonte do të fluturoj për në Prishtinë, – iu përgjigj shkurt urdhrit të drejtorit dhe më pas dëgjoi udhëzimin tjetër. – Patjetër! Sapo të arrij, do të organizoj takimin dhe do të kërkoj shpjegime nga lideri shqiptar.
Ndërkaq, pa asnjë paralajmërim, drejtori e ndërpreu lidhjen. Kjo ishte shenjë se ai nuk ishte aspak i kënaqur me zhvillimin e situatës dhe se e kishte humbur durimin. Agjenti Smith e dinte fort mirë se çfarë pasojash mund të kishte kjo për karrierën e tij dhe menjëherë filloi të bëhej gati. Në Prishtinë e prisnin shumë punë.

4.

Ardhja pa paralajmërim e policisë malazeze dhe shërbimit jugosllav, kacafytja e tyre me agjentët amerikanë dhe shpërthimi i barkës kishin krijuar një rrëmujë aq të madhe, sa kishte tërhequr edhe vëmendjen e agjentëve që ishin caktuar të mbikëqyrnin Lindën. Edhe pse ajo ishte bërë gati të harxhonte edhe plumbin e fundit të revoles, arriti të dilte nga banesa pa u vënë re nga askush. Rrugët kishin filluar të mbusheshin me njerëz, të cilët nxitonin të dilnin jashtë, kureshtarë të merrnin vesh se çfarë po ndodhte në qytetin e tyre, që zakonisht ishte shumë i qetë. Linda u fut mes turmës dhe arriti të largohej para se agjentët ta kuptonin se ajo kishte ikur tashmë.

Ajo nuk donte të shkonte e të fshihej tek asnjëri prej miqve të saj, madje as te Loriku, i cili me siguri do të bënte gjithçka që ta ndihmonte, sepse nuk donte t’i vinte në rrezik. I vetmi vend që i ra ndërmend ishte ai ku për net të tëra kishte qenë bashkë me Bekimin, për të cilin tashmë e dinte se ishte Agroni. Pas gjithë asaj zallamahie, gjëja e vetme që e gëzonte ishte se, falë saj, Agroni ishte mes të gjallëve.

5.

Gati të gjithë komandantët e rëndësishëm të UÇK-së kishin telefona satelitorë, me të cilët mund të komunikohej nga çdo pikë e rruzullit tokësor. Telefonat ishin blerë në Perëndim dhe shpenzimet mbuloheshin nga një fond i posaçëm, që administrohej në Zvicër. Përveçse ofronin komunikim të pavarur nga çfarëdo lloj rrjeti tokësor, këta telefona ishin mjaft të sigurt për komunikimin mes komandantëve në terren, sepse shërbimet serbe nuk mund t’i përgjonin frekuencat. Çdo telefon lidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë me satelitin përkatës dhe vetëm NSAja amerikane mund t’i përgjonte këto frekuenca.

Po atë natë, nga një kabinë telefonike, Agroni kishte marrë Naimin në telefonin e tij satelitor, që ky e mbante gjithnjë me vete, dhe kishte kërkuar shpjegime. Naimi, që ndërkaq po e priste thirrjen, i tha Agronit shkurt se gjithçka kishte shkuar sipas planit dhe se do të takoheshin shumë shpejt në Kosovë, ku do të bisedonin për fazën tjetër të planit. Kaq! Asgjë më shumë. Dhe linja ishte ndërprerë.

Kjo bisedë i vërtetonte plotësisht dyshimet e Agronit se kishte qenë Naimi ai që e kishte manipuluar gjithë situatën. Tashmë ishte i bindur se Naimi e kishte përdorur atë në mënyrë që të realizonte një diversion të përkryer dhe kështu të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve drejt Ulqinit. Për ta realizuar këtë, përveçse kishte mashtruar Agronin, Naimi po ashtu kishte mashtruar edhe shumë shërbime sekrete duke iu servirur informacione të rreme. Kjo shpjegonte edhe faktin përse CIA dhe të tjerët arrinin të ishin gjithnjë në vendin e duhur dhe çdo herë një hap përpara tij. Edhe pse ishte i zemëruar me të, prapëseprapë Agroni nuk mund ta nënvlerësonte planin e Naimit. Ai edhe vetë ishte ushtarak karriere dhe diçka i thoshte se, sikur të ishte në vend të Naimit, ndoshta edhe do të kishte vepruar njësoj. Mendonte kështu sepse Naimi, me të drejtë, kishte supozuar se e vetmja mënyrë që diversioni të kishte sukses të plotë ishte që edhe vetë Agroni të besonte se jahti “Elizabeta” po transportonte bombën. Sikur ta dinte të vërtetën, Agroni nuk do të jepte maksimumin dhe me siguri që CIA dhe të tjerët do ta kuptonin lojën. Duke i analizuar të gjitha këto, Agroni mendoi se, duke përdorur si mbulojë ngjarjen e Ulqinit dhe ndërkohë që të gjithë ishin përqendruar për kapjen e tij, Naimi e kishte zhvendosur bombën në mënyrë të sigurt.

Sido që të ishte, Agroni nuk ishte i sigurt nëse mund t’i besonte më Naimit, për më tepër të rrezikonte jetën për të. Planifikoi të bënte një bisedë shumë serioze me të, sapo të takoheshin në Kosovë, por hëpërhë duhej të largohej nga Ulqini.

Edhe pse kishte kaluar nga një rrezik në tjetrin, për asnjë çast Linda nuk i hiqej nga mendja. Ishte i bindur se ajo e kishte shpëtuar nga rreziku te jahti dhe kishte vrarë dy agjentët, çka nënkuptonte se ajo tani duhej të ishte arratisur ose mund ta kishin burgosur. Sido që të ishte puna, ai duhej ta gjente. Dhe, nëse ishte e nevojshme, ishte gati të shkonte deri në fund të botës për ta bërë këtë.

6.

Çdo çast që kalonte bëhej gjithnjë e më i vështirë për Lindën, sepse nuk kishte as idenë më të vogël se çfarë do të bënte të nesërmen dhe as si do të dilte gjallë prej aty. Megjithatë, brenga e saj më e madhe nuk ishte rreziku që mund t’i shfaqej në çdo sekondë, por nëse Agroni e kishte dashur me të vërtetë. Habitej me veten sesi mund të mendonte për këtë gjendje në ato rrethana, por në fund të fundit kjo ishte e vetmja gjë që i interesonte. “Budallaçkë! Po pse, pak halle ke mbi kokë, që duhet të mendosh tani nëse ai të ka dashur me të vërtetë?” i thoshte vetes.
Nuk mund ta përfytyronte që një burrë si Agroni, për të cilin edhe vetë ishte e bindur tashmë se ishte mjeshtër i maskimeve, i lojës me njerëzit, luftëtar i pashoq e hero, të mund ta dashuronte atë.

“E pse të më dashurojë mua, kur mund të ketë çdo femër që i pëlqen?” e pyeste përsëri veten. “Je bërë tamam adoleshente”, i thoshte një zë tjetër brenda vetes. “Po pse mos të të dashurojë?”

Këto mëdyshje po e sfilitnin dhe s’po e linin të mendonte për asgjë tjetër. Me siguri që ashtu do të kishte vazhduar deri në mëngjes, sikur të mos kishte dëgjuar hapa që vinin drejt saj.

– E dija se mund të të gjeja këtu, – i tha një zë që e shkundi prej përsiatjes. Nga hutimi, nuk mund t’ia dallonte zërin, por ende pa dalë mirë nga errësira, e kuptoi se duhej të ishte Agroni.

Pa e pyetur fare dhe pa i thënë asnjë fjalë, Agroni u ul pranë saj. Iu afrua dhe ia hodhi krahun supeve, pastaj e tërhoqi lehtë pranë vetes. Për një kohë të gjatë asnjëri nuk foli, sepse nuk dinin nga t’ia fillonin.

7.

– Tani besoj se i di të gjitha, – i tha Agroni me zë të ulët, pasi i tregoi gjithçka për veten. I foli për familjen, luftën, hakmarrjen, bombën.
– Ti ke pasur mundësi të më tregoje edhe më parë. Por nuk më ke besuar! – i tha ajo me zë të ulët.

– E kam menduar disa herë këtë, por kisha frikë se nuk do të më kuptoje.

– Ndërkaq e ke ditur që unë e adhuroja komandant Agronin!

– E vërtetë, por a do të më adhuroje, po të merrje vesh se unë isha ai?

– Nuk do të besoja asnjëherë dhe do të mendoja se gjithçka po e sajoje, vetëm që të më impresionoje, – ia ktheu Linda dhe vuri buzën në gaz.

– Atëherë, e sheh që kam pasur të drejtë? – tha Agroni dhe me shumë dashuri ia preku lehtë faqen.

Linda nuk e shikonte drejt në fytyrë ngaqë i vinte turp, kështu që Agroni e përqafoi dhe afroi më shumë pas vetes. Nisi t’ia përkëdhelte flokët dhe e shikonte drejt e në sy.

– Unë të dua! Përherë të kam dashur. Në zemrën time gjithnjë ke qenë vetëm ti! – tha ai dhe ngadalë buzët e tij u bashkuan me të sajat. Ishte sikur buzët të takoheshin për herë të parë dhe e puthi me shumë afsh. Gjuhët e të dyve po mrekulloheshin në gojët e njëri-tjetrin dhe Agroni po e përjetonte çdo sekondë sikur të ishte e fundit.

Ndërkaq Lindës i kishin shkuar deri thellë në shpirt ato fjalë dhe diçka i thoshte se nuk duhej të kërkonte asgjë më tepër prej tij. Më e rëndësishmja ishte se ai nuk ia kishte mbathur përballë rrezikut, por kishte ardhur tek ajo. Kaq i mjaftonte për të qenë e lumtur. Vetëm Zoti e dinte sesa shumë e donte dhe se nuk do të largohej prej tij sa të ishte jeta.