~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i parë

1.

SPITAL USHTARAK, DIKU NË KOSOVË

Kishin kaluar pothuajse katër ditë që nga masakra në Lëndinën e Thanave dhe Agroni mjekohej në spitalin ushtarak të ngritur enkas për luftëtarët e pjesës jugore të Dukagjinit. Parashutistët serbë ishin kthyer me bindjen se e kishin vrarë edhe Agronin, por asnjëri prej tyre nuk mund ta pohonte me siguri këtë. Ishin përpjekur të nxirrnin informacione nga disa prej të plagosurve, por në fund ishin detyruar të largoheshin, për shkak se vëzhguesit e tyre i kishin lajmëruar që drejt luginës ishin nisur shumë patrulla dhe njësi të UÇK-së. Situata kërkonte që të kënaqeshin me aq dhe të ktheheshin andej nga kishin ardhur. Robër nuk kishin marrë me vete, sepse shumicën e të plagosurve rreshteri e kishte ekzekutuar me dorën e tij. Asnjë shenjë, asgjë e gjallë nuk duhej të mbetej pas; ky kishte qenë urdhri dhe ata e kishin zbatuar me përpikëri. Nëpër natë dëgjoheshin vetëm fishkëllimat e plumbave që fluturonin. Siluetat e zeza, ashtu si fantazmat, u tërhoqën nga lugina. Askush nuk i pa. U zhdukën. I përpiu nata e zezë.

Agroni u zgjua pikërisht me këto kujtime të errëta, pas kllapisë ku kishte rënë pasi ishte plagosur. Nga gjakderdhja e madhe, ai e kishte humbur vetëdijen dhe ashtu, në atë gjendje, e kishin çuar në spitalin e improvizuar ushtarak, ku dhe e kishin operuar. Tani që ishte zgjuar, i dukej sikur të gjithë e shikonin me sy tjetër dhe gjëja e parë që vuri re ishte se dy ushtarë e ruanin tërë kohën. Çfarë kërkonin ata aty? Sepse nuk kishte më rrezik që dikush të përpiqej ta likuidonte… apo mos ndoshta… Agroni as nuk guxoi ta mendonte. Por, mos ndoshta dyshonin për të? Ata të komandës mund të mendonin se ai ishte fajtor për masakrën? Gjithçka i shkonte nëpër mendje.

“Absurde. Nuk është e mundur!” Nuk mund ta besonte që dikush mund të mendonte se ai kishte tradhtuar shokët. “Ndoshta edhe kanë të drejtë. Fundja, vetëm ti ke shpëtuar në atë masakër”, i thoshte një zë tjetër nga nënvetëdija.

Edhe vetë nuk e kishte të qartë sesi kishte arritur të shpëtonte dhe si nuk e kishin vënë re armiqtë. Me siguri që edhe ata të shërbimit të kundërzbulimit pranë komandës mendonin të njëjtën gjë, por, pa përfunduar hetimet, nuk mund t’i thoshin gjë. Në fund të fundit, ai ishte Agroni. Një ndër të rrallët që nuk kishte frikë të ballafaqohej me vdekjen. Në të vërtetë, ishte ende i ri, por kishte kryer aq shumë aksione, sa shumica e tyre tregoheshin e ritregoheshin si legjenda. Ai vetë ishte legjendë, por ata nuk e dinin! Në të vërtetë, përveç shokëve që tashmë ishin vrarë, këtë nuk e dinte askush tjetër.

Shokët! Ata që e kishin shoqëruar në çdo hap, pa pyetur asnjëherë për asgjë, por që tani ishin vrarë të gjithë në masakër! Nuk mund ta largonte ndjenjën e fajësisë. “Ishte dobësia jote ajo që e solli masakrën. Sikur të kishe qenë ca më tepër syçelët, mbase nuk do të ndodhte ajo që ndodhi.” Këto mendime e lodhnin. E rraskapitnin. Ende nuk e kishte marrë veten mirë pas hemorragjisë, ndaj dhe kjo ishte e tepërt për të. Shumë e tepërt. Fuqitë e lëshuan, mbylli sytë dhe koka i shkoi anash. E humbi vetëdijen.

2.

ENGLI, VIRXHINIA, SHBA, SHTABI I CIA-S

ORËT E VONA TË MBRËMJES

E krijuar më 26 korrik 1947 nga presidenti Truman, kur ky i fundit nënshkroi Aktin e Sigurisë Kombëtare, me të cilin u zyrtarizua nevoja për të pasur një agjenci civile të inteligjencës, dhe e ngarkuar me mandat global për mbrojtje të interesave strategjike të ShBA-ve, Agjencia Qendrore e Inteligjencës, e njohur shkurt si CIA, ishte pasuese e OSS-së – Zyrës së Shërbimeve Strategjike. OSS, si agjencia e parë e inteligjencës në historinë amerikane, u krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur administrata e Uashingtonit njohu për herë të parë nevojën për përdorimin e resurseve inteligjente edhe jashtë territorit të ShBA-ve. Deri atëherë, ShBA-të kishin zbatuar doktrinën Monro, që nënkuptonte mospërzierjen në zhvillimet brenda kontinenteve të tjera, duke besuar se oqeanet e mëdha siguronin mbrojtje të mjaftueshme natyrore për ShBA-të. Por e gjithë kjo ndryshoi rrënjësisht me shpikjen e avionëve, raketave reaktive, si dhe aeroplanmbajtëseve që mund të sulmonin çdo cep të botës. OSS, dhe më vonë CIA, ishin fare amatore në krahasim me shërbimet evropiane, disa prej të cilave me traditë shekullore. Por me hapa të shpejta, CIA u shndërrua në agjencinë më të madhe në botë, të ndarë në katër divizione me mbi 20 000 punonjës dhe me një buxhet vjetor prej 1.1 trilionë dollarësh për operacione sekrete.

Shtabi qendror i CIA-s është vendosur përgjatë lumit Potomak në Langley të shtetit Virxhinia, vetëm disa kilometra larg Uashingtonit, në një kompleks prej dy ndërtesash. Ndërtesa e parë filloi të ndërtohej më 1959 nga kompania Harrison and Abramovitz, e njëjta kompani që kishte edhe autorësinë e ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. Ndërtesa e dytë, që lidhet në mënyrë funksionale me ndërtesën e parë, u vu në përdorim në vitin 1991 dhe në kompleksin e saj ishin ndërtuar shumë stabilimente nëntokësore.

Pikërisht aty, në njërën prej shumë dhomave të kompleksit nëntokësor, rreth një tryeze të madhe ovale, përveç drejtorit të agjencisë ishin ulur edhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare, drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Marinës amerikane, sekretari i Mbrojtjes dhe bashkëpunëtorët e tyre më të besueshëm. Përveç tyre, ishin ftuar civilë dhe ushtarakë të zgjedhur, ekspertë për Ballkanin dhe për Evropën Juglindore.

Secili ishte specialist në fushën e vet: për gjuhën, mentalitetin, rrethanat strategjike dhe ekonomike etj. Mes tyre ishte edhe agjenti Xhim Smith, koordinator i të gjitha veprimeve të agjencisë në Evropën Lindore, si dhe shefat e stacioneve të CIA-s pranë ambasadave në Beograd dhe Tiranë. Ishte e pazakontë që ata të takoheshin në kushte të tilla, por takimi ishte thirrur duke përdorur kodin e përparësisë më të lartë. Takimi zhvillohej në një nga të ashtuquajturat dhoma të sigurta, pasi, përveçse bllokonte përgjimin nga jashtë, kishte edhe pajisje speciale elektronike që detektonin çdo formë përgjimi nga brenda.

Ata që nuk e dinin se për ç’arsye duhej të mblidheshin me aq ngut, ishin bërë vërtet kureshtarë. Ç’ishte ajo çështje me përparësi aq të lartë, ku duhej të merrnin pjesë ekspertët për Ballkanin? Çfarë po ndodhte në Ballkan, që mund të rrezikonte sigurinë kombëtare? Natyrisht, nuk ishte lufta që po zhvillohej atje, sepse intensiteti dhe armatimi që kishin palët në luftim, vetëm sa kishin destabilizuar rajonin, por ende nuk përbënin kurrfarë rreziku për aleatët dhe paqen në Evropë. Të gjithë supozonin se diçka tjetër kishte ndodhur. Diçka e madhe, që e kishte ngritur më këmbë tërë administratën amerikane, së paku atë pjesë që kishte detyra specifike.

– Zotërinj, – e mori fjalën drejtori i CIA-s, – për të mos humbur kohë, po jua shpjegoj menjëherë arsyen që na mblodhi në këtë shoqëri elegante. – Ky ishte stili i tij, tashmë i njohur për bashkëpunëtorët e tij, me të cilin nënkuptohej se diçka nuk ishte në rregull dhe se dikush kishte bërë një ndyrësi të madhe, ndaj dhe ShBA-të duhej të angazhoheshin për të fshirë pisllëkun që kishte mbetur mbrapa. – Ma merr mendja se të gjithë pyesni veten pse jeni thirrur këtu. Edhe unë, bashkë me ju, ndaj shqetësimin që sjellin alarmet në këto orë të vona. Nejse, asnjëri prej nesh nuk paguhet për të ndenjur… – vazhdoi më tej me humorin e tij të zi. – Dhe besoj se asnjërit prej jush, – e kishte fjalën për ata që shkelnin për herë të parë në atë dhomë, – nuk është nevoja t’i kujtoj se gjithçka që bisedohet këtu, mbetet këtu. Për këtë takim nuk do të shkruhet asgjë. Fillo, Xhim, dhe na trego pse na u desh të mblidheshim këtu në mesnatë, – iu drejtua koordinatorit për Evropën Lindore.
Pasi u kollit dhe rregulloi pakëz kravatën, Xhimi filloi të fliste me zë të qetë. Qetësia dhe toni i zërit shprehnin qartë përvojën e tij të gjatë.
– Faleminderit, zoti drejtor. Që nga kolapsi i Bashkimit Sovjetik, e kemi ndjekur hap pas hapi situatën në stabilimentet nukleare të këtij vendi. Pas rënies së komunizmit, kishim pesë shtete të reja që në territorin e tyre kishin armë bërthamore, ndonëse të gjitha ato ishin nën kontrollin e ekspertëve dhe të ushtrisë ruse. Që në fillim druanim se mos ndonjëra prej këtyre armëve mund t’u binte në dorë koalicioneve të mundshme të ish- komunistëve me iranianët apo irakianët, si dhe atyre që kërkojnë të pasurohen duke shitur material nuklear. Ndërkaq, rusët përherë kanë vepruar me efikasitet dhe fanatizëm, me qëllim që të na dëshmonin se asgjë e keqe nuk mund të ndodhë dhe se e kanë situatën nën kontroll. – Të gjithë të pranishmit ia kishin ngulur sytë agjentit Smith dhe secili prej tyre përpiqej të kuptonte arsyen e atij takimi, por ende nuk po arrinin të bënin lidhjen mes problemit në fjalë dhe pranisë së tyre aty. Xhimi e kuptoi se tashmë kishte tërhequr vëmendjen e gjithë të pranishmëve, ndaj dhe vazhdoi: – Rrjeti ynë në Shën Petërburg ka njoftuar për një grup oficerësh rusë të njohur për nostalgjinë e tyre për kohët sovjetike. Para një viti, dy ushtarakë nga ky grup, koloneli Igor Denikin dhe nënkolonel Sergej Egorov nga GRU-ja (shërbimi ushtarak i kundërzbulimit të ushtrisë ruse) janë transferuar në Rybaçiy, baza ruse e nëndetëseve bërthamore afër Petropavlovskit, në gadishullin e Kamçatkës. Pak kohë pasi u transferuan atje, Denikini dhe Egorovi janë zhdukur pa lënë gjurmë dhe, së bashku me ta, edhe një bombë e vogël prej 16 kilotonësh. Siç duket, baza në Rybaçiy, përveçse si bazë nëndetësesh, përdoret edhe si depo për të ashtuquajturat bomba nukleare-çantë.

– Bomba-çantë? – reaguan pothuajse me një zë të gjithë të pranishmit. – Oh, Zot!

– Po, bomba-çantë! – vijoi sërish agjenti Smith. – Vitin e kaluar, këshilltari rus për sigurinë kombëtare, Aleksandër Lebed, në intervistën e tij për revistën “60 Minutes”, pohoi se në arsenalin sovjetik ishin rreth 250 bomba të tilla dhe kjo çështje është bërë prioriteti ynë numër një. Vazhdimisht kemi dyshuar se sovjetikët e kishin zhvilluar një teknologji të tillë, por kjo ishte hera e parë që dikush nga ana e rusëve e konfirmonte një gjë të tillë. Me të drejtë, Lebedi shprehu frikën se një pjesë e këtyre armëve mund të jenë zhdukur qëllimisht dhe, fatkeqësisht, kjo po ndodh tani. Duhet ta dini se këto bomba janë të ngjashme me modelin tonë VV54, që ka fuqi maksimale deri në 6 kilotonë, por fuqia e bombës ruse është tri herë më e madhe. Forma që kanë këto armë i bën ato shumë të përshtatshme dhe mund t’iu shmangen kontrolleve kufitare shumë më lehtë se armët konvencionale.

– Me gjithë respektin që kam për ju, por edhe duke vlerësuar seriozitetin e situatës, ende nuk e kam të qartë se ç’vend kemi ne në gjithë këtë, – ishte vërejtja e shefit të stacionit të CIA-s në Ambasadën amerikane në Tiranë. Ndërhyrja e tij nuk i pëlqeu drejtorit Tenet, i cili për një çast sikur u bë pishman që e kishte ftuar, por falë qetësisë që ia impononte profesioni, u përfshi sakaq në bisedë dhe ia mori Xhimit fjalën nga goja.

– Destinacioni përfundimtar i bombës ka lidhje me ju. Fillimisht mendonim se do të përfundonte në duart e iranianëve, irakianëve apo të ndonjërit prej grupeve ekstremiste në Lindjen e Afërt, por e kishim gabim. Denikini dhe Egorovi janë parë për herë të parë dhe të fundit në Stamboll, ku me ndihmën e kolegëve tanë nga Turqia i kemi arrestuar, por “çantën” nuk e kishin më. Ata nuk bënë rezistencë dhe bashkëpunuan me agjentët tanë. Prej tyre morëm vesh se “çantën” ia kishin shitur një lëvizjeje majtiste shqiptare dhe bomba tashmë ishte rrugës për në Ballkan. Kam frikë se nuk kemi shumë kohë dhe duhet të reagojmë sa më shpejt. Për këtë arsye kemi ngritur alarmin e shkallës më të lartë, kurse detyra juaj është që të analizoni çdo mundësi dhe ta gjeni bombën, si dhe kush është ai që kërkon ta shpërthejë në Beograd.

3.

Në dhomë ra një heshtje e zymtë. Asnjëri prej tyre nuk e priste një shpjegim të tillë. Fjalët e fundit të drejtorit Tenet iu ranë si çekan mbi kokë. Bombë atomike në Ballkan? Asnjërit prej të pranishmëve nuk ia kishte marrë mendja se mund të ndodhej ndonjëherë përpara një situate të tillë. Nga një rajon i harruar, diku prapa shpinës së Zotit, përherë i zënë në konflikte të pafundme mes të popujve të vegjël që jetonin aty, tanimë Ballkani ishte shndërruar në arenën e ardhshme të gërshetimit të interesave globale dhe ballafaqimit mes të shërbimeve më të fuqishme sekrete. Drejtori Tenet nuk gaboi kur tha se nuk kishin shumë kohë, sepse agjencia ishte plotësisht e papërgatitur për një situatë të tillë. Mendohej se një skenar i tillë mund të ndodhte në Lindjen e Mesme, ndaj dhe të gjitha përpjekjet dhe përgatitjet ishin drejtuar andej. Por, papritmas, bomba udhëtonte drejt Ballkanit, në mos kishte mbërritur ndërkaq.

– Janë vënë në gatishmëri të gjithë agjentët tanë në Evropën Jugore, – vazhdoi drejtori Tenet. – Presidenti ka urdhëruar personalisht nisjen e Flotës së Gjashtë për në Adriatik, kurse për në zyrën tonë në Prishtinë kemi nisur një ekip ekspertësh dhe agjentësh nga më të mirët, që kemi mundur t’i mbledhim nëpër stacionet tona nëpër Evropë. Sekretarja e Shtetit ka kontaktuar personalisht me presidentët e Jugosllavisë e Shqipërisë, si dhe me liderin paqësor të shqiptarëve të Kosovës dhe i ka informuar për angazhimin tonë shtesë në rajon. Prej tyre ka marrë garanci se të gjitha veprimet do të zhvillohen në bashkëpunim të plotë dhe nën ombrellën tonë. Tash për tash ata dinë vetëm aq sa duhet të dinë.

– A mundët të nxirrnit diçka më tepër nga oficerët rusë? – pyeti pa ndonjë entuziazëm të madh drejtori i inteligjencës së Marinës Luftarake.

– Po. Egorovi na tha se bombën nuk e kishin kaluar kontrabandë për para, por për ëndrrën e tyre për ringjalljen e perandorisë sovjetike.

– Ringjalljen e perandorisë sovjetike?! Si mund të bëhet kjo duke dërguar një bombë atomike në Ballkan?

– Sepse ata dëshirojnë të provokojnë një situatë ku ne dhe rusët të detyrohemi të hyjmë në luftë ose, së paku, në gjendje lufte. Përkeqësimi i marrëdhënieve tona me rusët do të hapte rrugën për ndryshime në Rusi dhe kthimin në skenë të dorës së fortë të kohës sovjetike. Por më mirë këtë do të na e shpjegojë sekretari Kohen.

– Në thelb, nuk është e vështirë për t’u kuptuar, – filloi të fliste burri trupshkurtër, me pak flokë dhe me dhëmbë të hollë, që në shikim të parë nuk ia mbushte syrin askujt, por që Presidenti amerikan e kishte zgjedhur si sekretar të Mbrojtjes. – Ju e dini se, për shkak të krizës në Kosovë dhe Bosnjë, ne dhe aleatët tanë shpesh kemi qenë në konflikt me rusët. Por, ndërkaq, për arsye të varësisë së ekonomisë ruse prej kapitalit tonë, rusët kurrë nuk na kanë bërë ndonjë kundërshtim të fortë. Thelbi i gjithë planit është që kriza aktuale në Ballkan të përdoret si mjet për rrëzimin e Jelcinit në Rusi dhe vendosjen e një junte ushtarake. Besojmë se grupi shqiptar që ka blerë bombën nuk ka fare dijeni për qëllimet e vërteta të rusëve. Dhe mbase thjesht nuk iu intereson, sepse ata planifikojnë që bomba të shpërthejë në Beograd, duke menduar se me këtë do ta fitojnë luftën me një goditje të vetme. Për ata që nuk e dinë, mjafton të kujtojmë se një bombë e tillë është e ngjashme me atë që kemi hedhur mbi Hiroshimë dhe se nga qyteti i Beogradit, thënë troç, nuk do të mbetet asgjë. Menjëherë pas shpërthimit të bombës, deputetët komunistë në Dumën ruse do të kërkojnë shpalljen e aktit të luftës. Këtë gjë do ta kërkojnë edhe krerët ushtarakë rusë, me pretendimin se shqiptarët i kemi nxitur ne amerikanët dhe bombën, po ashtu, ua kemi dhënë ne. Me fjalë të tjera, brenda një kohe të shkurtër, ky do të ishte fundi i regjimit aktual në Moskë dhe do të kthehej sërish Lufta e Ftohtë.

4.

PRISHTINË, REZIDENCA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Edhe pse askush, përveç Shqipërisë, nuk e kishte njohur Republikën e Kosovës, të shpallur më 1991, edhe pse vendi ishte nën okupim, Presidenti i Republikës së Kosovës bënte çdo përpjekje që praktikisht të ishte presidenti i popullit të tij. Kjo përpjekje nënkuptonte edhe funksionimin e zyrës së tij dhe disa funksioneve të caktuara, që kryesisht kishin karakter ceremonial.

Presidenti kishte qenë foshnjë vetëm pesëmuajshe, kur serbët i kishin vrarë babanë e gjyshin dhe eshtrat e tyre nuk ishin gjetur kurrë. Kjo ngjarje kishte lënë gjurmë në formimin e tij si intelektual, aq sa Presidenti e kishte bërë mision të jetës së tij që asnjë fëmijë tjetër në Kosovë të mos detyrohej të përjetonte traumën e humbjes së prindërve për shkak të luftës. Në këtë filozofi kishte zënë rrënjë edhe angazhimi i tij jetësor për zgjidhje paqësore, me çka Presidenti kishte arritur të krijonte një reputacion të madh ndërkombëtar dhe ishte mysafir i respektuar në Vatikan, Bruksel, Londër, Uashingtoni dhe kudo tjetër. Ishte hera e parë që një lider nga Ballkani zbatonte një strategji tjetër nga ajo tradicionalja, pra nga strategjia e konfliktit, që prej shekujsh ishte ngulitur në këtë pjesë të botës. Presidenti ishte fytyra e re, imazhi i ri i një populli që, për dhjetëvjeçarë të tërë, ishte paragjykuar nga e gjithë bota. Ishte pikërisht ky reputacion që ia bënte të pamundur regjimit serb që ta ndalonte Presidentin që, së paku, të përfaqësonte simbolikisht vendosmërinë e popullit të tij për shtet të pavarur.

Në vitin e pestë të rezistencës së pandërprerë paqësore, u shfaqën celulat e para të organizuara të UÇK-së. Ajo përfaqësonte energjinë dhe vendosmërinë e atyre që ishin lodhur tashmë nga rezistenca paqësore dhe ishin të vendosur për kryengritje të armatosur, si zgjidhja e vetme për situatën që, çdo ditë e më shumë, po bëhej e padurueshme. Tanimë këto celula ishin kthyer në një ushtri të vërtetë kryengritëse, që po rritej çdo ditë e më tepër, sepse përherë e më shumë njerëz po e humbnin durimin dhe po i bashkoheshin krahut të luftës. Nuk ishte sekret të pohohej se marrëdhëniet mes të dy krahëve, atij paqësor dhe atij të armatosur, nuk ishin dhe aq të mira dhe shpesh madje edhe shumë kontradiktore dhe problematike. Presidentit nuk i pëlqente një situatë e tillë, por ky ishte realiteti i gjendjes në terren dhe ai nuk kishte dhe aq shumë në dorë për ta ndryshuar atë.

Edhe pse kishte kaluar mesi i natës, në katin e parë të ndërtesës – ku zakonisht rrinte ditë e natë personeli i sigurimit të Presidentit – zotëronte një rrëmujë e vërtetë. Një thirrje telefonike nga Uashingtoni e kishte ngritur Presidentin nga gjumi dhe ndërkaq ai ishte veshur në mënyrë solemne, sikur të kishte për të shkuar diku. Ishte kthjellur tërësisht. Ulur në kolltuk dhe me cigare Dunhill në dorë, Presidenti ishte zhytur në mendime. Askush nuk e dinte përmbajtjen e bisedës dhe as arsyen e shqetësimit të tij në ato orë të vona. Ai edhe më parë kishte pasur biseda të ngjashme, por kësaj here reagimi i tij ishte ndryshe. E vetmja gjë që arritën të mësonin prej tij ishte se nga çasti në çast pritej vizita e një delegacioni të lartë amerikan, që ishte nisur me ngut për në Prishtinë. Presidenti pinte cigare njëra pas tjetrës dhe analizonte diçka në mendje. Askush nuk guxonte të hynte në kabinetin e tij, nëse nuk i thërriste vetë.

5.

NË VEND TË PANJOHUR

Agroni hapi sytë. Koka i dhembte shumë dhe po ashtu ndiente edhe një plogështi të madhe, aq sa nuk dinte më nëse kishte fuqi të lëvizte. Shihte si nëpër mjegull dhe arriti të kuptonte se nuk ishte më në spitalin ushtarak. Po ku ndodhej? Mos ndoshta në burg? Mjedisi përreth nuk ta linte këtë përshtypje. Gjithçka ishte e pastër dhe e re, ndërsa shtrati dhe batanija me të cilën e kishin mbuluar, me siguri që nuk ishin të burgut, sepse ishin tepër të reja për të qenë të tilla. Ishte në një shtëpi. Po ku?

– Më në fund, u zgjove! – u dëgjua një zë i këndshëm femre, që ia ndërpreu mendimet. – Mos u mundo të lëvizësh shumë, sepse ende je i pafuqishëm.

– Ku jam këtu? – pyeti Agroni dhe arriti të vinte re se femra ishte një bionde e bukur me flokë të gjatë.

– Mos u mërzit! Je në duar të sigurta, – u mundua ta qetësonte flokëverdha. Ishte e veshur thjesht dhe në atë çast, përveç saj dhe Agronit, nuk kishte njeri tjetër në dhomë.

– Kush jeni ju?

– Jemi ata që të shpëtuam. Luftojmë për të njëjtin qëllim. Edhe ne i kemi përjetuar ato që ke përjetuar edhe ti.

– Nuk të kuptoj. Për çfarë e ke fjalën?

– E dimë se kush je. E dimë pse lufton dhe pse je aq i ashpër në luftë, – u dëgjua një zë burri, i cili hyri në dhomë në atë çast. Ishte i gjatë dhe i parruar, kishte veshur një uniformë të ngjashme me atë që dikur kishte mbajtur edhe Agroni. – Prandaj dhe të kemi zgjedhur, Agron!

6.

Çdo qelizë në trupin e Agronit ishte tendosur! Kush ishin ata njerëz? Si e dinin kush ishte ai? Mos ndoshta ishte në duart e KOS-it? Gjithë ky komoditet, mjekim i kujdesshëm, paraqitja me uniformë të UÇK-së… Apo gjithçka ishte e sajuar enkas kështu dhe ata kërkonin ta mashtronin e kështu të merrnin vesh nëse ai ishte me të vërtetë Agroni? Kishte dëgjuar shumë për metodat që përdornin ata të KOS-it dhe e dinte se zbatonin një mijë mënyra nga më të çuditshmet, vetëm e vetëm që të arrinin qëllimet e tyre. Në kokën e Agronit përsilleshin mendime kontradiktore, që me shpejtësi i zinin vendin njëra-tjetrës, por për asnjë çast ai nuk e dha veten. Përvoja i thoshte se ishte më mirë të priste dhe të zbulonte se çfarë fshihej pas gjithë kësaj.

– Pse nuk jam më në spital? – pyeti ai, tanimë me një zë mjaft të qetë.

– Aty nuk ishe më i sigurt. Disa prej tanëve dyshojnë se ishe ti ai që e informove KOS-in për vendndodhjen e kampit.

– Po kjo është marrëzi, si mund ta mendojnë një gjë të tillë?! – reagoi ashpër Agroni, sepse ato fjalë me të vërtetë e tërbuan.

– Rojet që ishin te dera e dhomës së spitalit të ruanin që të mos ikje.

– Budallallëk! Po çfarë keni ju në kokë, tru apo palavi? Si mund ta mendoni një gjë të tillë? Dhe kush është ky Agroni, për të cilin po flisni? Unë as që e di se kush është personi me këtë emër, – nisi të bërtiste me të madhe dhe të linte përshtypjen se ndërkaq e kishte humbur durimin.

– Më vjen keq, por kjo është e vërteta. Sapo të shëroheshe, duhej t’u përgjigjeshe shumë pyetjeve rreth masakrës e sidomos si ishte e mundur që vetëm ti arrite të shpëtoje. Unë për vete të besoj dhe jam i bindur se dikush e ka kurdisur këtë, por në ato rrethana ty të priste vetëm gjyqi ushtarak dhe, me siguri, pushkatimi. Ne të kemi nxjerrë para dy ditësh prej andej dhe të kemi sjellë këtu, në vend të sigurt. Këtu do të bëhesh më mirë dhe pastaj do të të ndihmojmë të arrish qëllimin tënd.

– Për çfarë po flet? – u mundua ta kundërshtonte. – Gjithë kohën përsërisni vetëm: ne, ne… Po kush dreqin jeni ju? – e përsëriti sërish pyetjen që e kishte bërë edhe më parë dhe me mundim të madh u përpoq të ngrihej nga shtrati.

– Ne jemi ata që do të të ndihmojmë të hakmerresh edhe për babanë, edhe për nënën, edhe për vëllanë. Do të të ndihmojmë të hakmerresh për të gjitha, por tani për tani është më mirë të pushosh, – tha burri dhe thithi cigaren, që deri atëherë vetëm e mbante në dorë.

Ndërsa vajza, që deri atëherë vetëm dëgjonte, ia mbylli gojën Agronit me një fashë të lyer me kloroform dhe sytë e tij menjëherë iu ngulën tavanit. E humbi vetëdijen pothuajse në çast.

7.

PRISHTINË, REZIDENCA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, KATËR DITË MË PAS

Muzgu sapo kishte rënë, ndërsa delegacioni amerikan kishte thuajse një orë që ishte larguar. Ky ishte takimi i tyre i dytë brenda katër ditëve, por as njëri e as tjetri nuk kishin qenë të lehtë. Në dhomën e madhe të pritjes ndihej një erë e rëndë duhani dhe aty ndërkaq ndodhej vetëm Presidenti, që rrinte më këmbë, shikonte në dritare dhe në dorë përsëri mbante një cigare. Edhe pse mundohej ta linte duhanin, situata me të cilën ballafaqohej i linte pak hapësirë që të qetësohej pa ndihmën e “mikut” të vet të vjetër. Kishte një parandjenjë se një ditë do t’ia shihte sherrin tërë atij duhani, por ende nuk kishte vullnetin e mjaftueshëm që të “shkurorëzohej” prej tij.

Amerikanët e kishin njohur pak a shumë me situatën dhe prej tij kërkonin angazhim të madh, tepër të madh. Ata dëshironin të dinin nëse ai ishte në gjendje t’i gjente njerëzit që kishin bombën apo mbase nuk kishte fare kontroll mbi atë që po ndodhte në terren. Po, pikërisht ashtu i ishin drejtuar. E pyesnin nëse kishte kontroll. Ai ishte munduar t’i bindte se do të bënte çdo gjë që ishte e mundur, por edhe vetë nuk besonte aq shumë në fjalët që thoshte. Çfarë mund të bënte ai? Toni i amerikanëve nuk i kishte pëlqyer aspak, sepse linte përshtypjen sikur ata dyshonin që ai mund të dinte për operacionin në fjalë dhe se ndoshta edhe ai vetë dëshironte ta përfundonte luftën në atë mënyrë. Gjatë atij takimi të mundimshëm, kishte pasur çaste kur me të vërtetë e kishte menduar një gjë të tillë, por ndërkaq ai nuk mund ta bënte atë, sepse një zgjidhje si kjo ishte kundër çdo gjëje që ai besonte.

– Zoti President, erdhi! – ishin fjalët e shefit të protokollit, që e njoftonte se kishte mbërritur ndërkaq personi që kishte kërkuar dhe po e priste të takoheshin.

-Mirë, le të hyjë, – iu përgjigj shkurt dhe pas kësaj në dhomë hyri një burrë i shtyrë, në të pesëdhjetat, i gjatë dhe me trup atleti. Ecte me një hap që përkundër veshjes së tij civile, zbulonte faktin se ishte ushtarak. Në të vërtetë, ai ishte oficer i shkolluar në akademitë jugosllave, ku kishte arritur deri në gradën e kapitenit të parë. Gjatë karrierës së tij, kishte shërbyer në mjaft kazerma anekënd ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, kurse tani ishte oficer i rëndësishëm në UÇK, por në të njëjtën kohë, në konspiracionin më të madh, ishte dhe besnik ndaj Presidentit. Ai e ruante sekretin e vet, por edhe Presidenti ishte njeri që nuk i besonte askujt, madje as bashkëpunëtorëve më të afërt.

– U nisa menjëherë, pasi mora porosinë, – iu drejtua Presidentit me shumë respekt.

– Ulu dhe merr pak frymë. – Presidenti i tregoi kolltukun dhe pas pak u ul edhe vetë në kolltukun pranë. – Kemi rrezikuar shumë me ardhjen tënde, por situata nuk më lejoi asnjë rrugë tjetër. Këto ditë më kanë vizituar dy herë amerikanët dhe… – Presidenti mori frymë një herë, i kënaqur me faktin se bashkëbiseduesi e dëgjonte me vëmendje, pastaj vazhdoi t’ia tregonte me hollësi atë që i kishin thënë amerikanët.
Oficeri kishte mbetur gojëhapur. Ajo që pati rastin të dëgjonte nga goja e vetë Presidentit, i tejkalonte të gjitha parashikimet. Çdo gjë pothuajse ishte përtej asaj që mund të ndodhte në të vërtetë. Kur ishte ftuar në takim urgjent, Oficeri kishte supozuar se bëhej fjalë për diçka vërtet të madhe. Dhe kishte menduar për ndonjë atentat apo diçka të ngjashme, por kjo i tejkalonte të gjitha parashikimet dhe gjithçka ngjante si nëpër filma. Nuk mund ta besonte, i dukej e pamundur.

“Bombë atomike në duart tona?!” Nga entuziazmi, pikërisht kështu i ishte drejtuar Presidentit. Përkundër të gjitha rreziqeve që sillte kjo situatë, Oficeri nuk mund ta fshihte admirimin për ata që kishin arritur ta blinin bombën, sepse një armë e tillë mund ta përfundonte luftën.
Pra, kështu i kishte thënë edhe Presidentit, sepse, si ushtarak, mendimet e tij të para çdo herë ishin në favor të zgjidhjeve të suksesshme luftarake, por Presidenti, ndonëse e mirëkuptonte tundimin e Oficerit, e qortoi për këtë. Amerikanët dyshonin për ndonjë marrëveshje sekrete dhe, pa dyshim, do të tregoheshin të pamëshirshëm nëse dikush vërtet do ta përdorte bombën.

– Edhe pse amerikanët na kanë në konsideratë, nuk do të rrezikojnë aq shumë sa të fillojnë për ne Luftën e Tretë Botërore. Dhe po qe se ajo bombë shpërthen, atëherë lufta do të jetë e pashmangshme, – tha Presidenti dhe Oficeri e dinte se kjo ishte më se e vërtetë.

Përkundër tundimit të brendshëm, Oficeri e dinte se ai duhej të përpiqej dhe të bashkëpunonte me amerikanët.

– Për të realizuar këtë që kërkojnë amerikanët, më duhet që këtë informacion ta ndaj me kolegët e tjerë në zinxhirin komandues. Një veprim i tillë kërkon edhe pjesëmarrjen e të tjerëve, sepse nuk mund ta bëj vetëm unë, – tha ai.

– Vepro ashtu si e sheh të arsyeshme, – iu përgjigj shkurt Presidenti, çka nënkuptonte se nuk dëshironte të dinte më shumë hollësi.

Ushtaraku e kuptoi mesazhin dhe menjëherë filloi të analizonte të gjitha mundësitë. Ishin të paktë ata që mund ta realizonin një operacion të përmasave të tilla dhe ai nuk kishte dyshim për këtë. Pa u menduar dy herë, i tha Presidentit se e dinte përafërsisht se kush mund ta realizonte një mision të tillë.

– Kush mund të jetë? – e pyeti Presidenti.

– Komandant Agroni, s’ka tjetër. – Oficeri e shqiptoi këtë emër me një siguri të madhe, çka të jepte përshtypjen se për të gjitha pyetjet i kishte përgjigjet në xhep.

– Por Agroni është një mit. Një legjendë për të rritur moralin, – ndërhyri Presidenti për ta kundërshtuar.

– Jo, – tha Oficeri, por këtë herë me më shumë siguri. – Agroni është një njeri real, ashtu si ju dhe unë. Është e vërtetë që disa aksione të forcave tona speciale i janë atribuuar atij, por ndërkaq, gjithçka që flitet për të është e vërtetë. Për Agronin dimë fare pak dhe atë që dimë ne, patjetër që e dinë edhe ata të tjerët. – E kishte fjalën për KOS-in. – Me aq sa di unë, ai është i biri i një veprimtari të Frontit të Kuq në vitet ‘70 dhe nuk duhet të jetë më shumë se 35 vjeç…

Me pasion të madh, ushtaraku vijoi t’i shpjegonte Presidentit versionin e tij të historisë së Agronit.

9.

PRISHTINË, USIS – NDËRTESA E QENDRËS INFORMATIVE TË SHTETEVE TË BASHKUARA

Shtëpia dykatëshe, pronë e dhëndrit të Xhavit Nimanit, funksionarit të dikurshëm të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ishte marrë me qira në prill të vitit 1996 nga qeveria amerikane dhe që nga 5 qershori i po atij viti ishte shndërruar në ndërtesën e përfaqësisë amerikane në Kosovë. Përfaqësia ishte në nivelin e zyrës kulturore-informative, për shkak se qeveria jugosllave nuk kishte dhënë pëlqimin që qeveria amerikane të hapte konsullatë në Prishtinë. Pavarësisht nivelit të ulët të statusit të përfaqësisë amerikane, ajo ishte pika kryesore e aktivitetit diplomatik në Prishtinë dhe dëshmi e interesimit amerikan për zhvillimet në Kosovë.

Ishin orët e pasdites dhe orari zyrtar i punës kishte përfunduar që në orën 16:00. I gjithë personeli, përveç punonjësve të sigurisë së objektit, ishte larguar nga ndërtesa. Që kur kishte mbërritur ekipi nga Uashingtoni, askush nuk mund të shkelte në katin e dytë të ndërtesës, madje as drejtori i qendrës. E tërë hapësira ku ishte vendosur ekipi nga Uashingtoni, brenda natës ishte mbështjellë me Kafazin e Faradeit, me çka bëhej i pamundur çdo lloj përgjimi elektronik. Në njërën prej dhomave të katit të dytë, ballkoni i së cilës shikonte nga stadiumi i qytetit të Prishtinës, ishte vendosur teknika e sofistikuar kompjuterike. Në mes të dhomës ishte vendosur një “telefon i kuq” me lidhje të drejtpërdrejtë me qendrën në Lengli, përkatësisht me zyrën e drejtorit të CIA-s. Atë telefon nuk guxonte ta prekte askush veç agjentit Smith, i cili, me urdhër të drejtorit Tenet, i ishte bashkuar ekipit në Prishtinë, pasi ekipi në terren kishte arritur kapacitetet operacionale.

Agjenti Smith po fliste në telefon me drejtorin Tenet dhe po e informonte në lidhje me takimin e jashtëzakonshëm me liderin paqësor të shqiptarëve, që kishte përfunduar vetëm gjysmë ore më parë.

– Nuk e di sa duhet t’u besojmë shqiptarëve, por ata thonë se askush nuk e di identitetin e vërtetë të personit për të cilin dyshojnë. I dinë vetëm emrin apo, më mirë të themi, pseudonimin që ai përdor, si dhe të dhënat e përgjithshme biografike. E quajnë Agron dhe thonë se është rritur në Perëndim, se i ati ka qenë njëri prej shumë atyre që janë përfshirë në organizatat majtiste shqiptare që vepronin kundër regjimit jugosllav dhe se shërbimi sekret jugosllav ia ka ekzekutuar të gjithë familjen. Besohet se Agroni është ushtar në radhët e forcave kryengritëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, së bashku me disa pasues të tij, që po ashtu askush s’e di se kush janë, ka ndërmarrë me kokën e tij mjaft aksione nëpër kazerma dhe fortifikime serbe dhe përherë ka lënë nëpër mure mbishkrimin “Hakmarrja deri në Beograd – Agroni”.
Agjenti ndaloi një çast për të dëgjuar komentet e drejtorit.
Pastaj vijoi sërish:
– Populli këtu e sheh si hero, por unë mendoj se kemi të bëjmë me një psikopat të verbuar nga instinkti i hakmarrjes. Nuk e di sesi do ta gjejmë, ngase askush nuk e di as me përafërsi pamjen e tij. – Por përsëri ndaloi për të dëgjuar shefin, i cili, me sa dukej, kësaj here nuk po pajtohej me mendimin se ndoshta i kishin duart e lidhura. – Po, ju kuptoj shumë mirë, – mundohej ta zbuste agjenti Smith. – Lideri i shqiptarëve më dha garanci se do të bëjë gjithçka që është e mundur, madje më tha se për këtë ka angazhuar edhe dikë… po, po, patjetër do t’ju njoftojmë për gjithçka. Menjëherë do t’ju vëmë në dijeni, nëse zbulojmë diçka të re. – Pas kësaj e mbylli telefonin dhe fshiu djersët nga balli.

Drejtori e informoi se të dhënat më të fundit të shërbimit të zbulimit tregonin se bomba nuk do të kalonte nga Shqipëria në Kosovë, por do të transportohej në Ulqin, qytetin më jugor të Malit të Zi. Dhe besonte gjithashtu se aty do të shkonte ta merrte Agroni. Po ashtu, e kërcënoi se, po të dështonte, ta harronte kthimin në ShBA, sepse personalisht ai vetë do të kujdesej që Smithi të gjendej në Beograd kur të shpërthente bomba.

“Diçka duhet bërë”, mendoi agjenti. “Po çfarë?”