~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i nëntë

1.

Linda kaloi pothuajse dhjetë ditë me stërvitje dhe ushtrime të pandërprera për të pasur formën e saj të dikurshme prej ushtareje. Nuk fliste me askënd dhe të gjithë pothuajse i bindeshin vullnetit të saj. Ajo dinte si të sillej e të vepronte me meshkuj. E njihte filozofinë dhe mënyrën sesi ata mund të mendonin për të. Dhe asnjëherë nuk u lidh me ndonjërin, përveçse me Agronin. Vetëm me të mund ta ruante individualitetin e saj dhe në të njëjtën kohë ta dashuronte. Ky mbase ishte edhe çelësi i lidhjes së tyre, sepse Agroni asnjëherë nuk ia cenonte individualitetin.

“Ç’të jetë duke bërë Agroni tani?” thoshte vazhdimisht me vete.

– Linda, – iu drejtua Oficeri. – Po përgatitet një ofensivë në grykën e Caralevës. Mendoj se duhet të shkosh edhe ti.

Kjo mirësjellje e Oficerit kishte filluar t’ia cingëriste nervat, po megjithatë Linda shtirej sikur çdo gjë ishte në rregull.

– Nuk ka problem, – ia ktheu ajo shkurt.

– Mirë. Do të nisesh brenda gjysmë ore. Bëhu gati, – shtoi dhe nisi të largohej. Pastaj ndaloi sërish. – Edhe një gjë. Unë do të jem njëri nga komandantët e sulmit, – saktësoi dhe e pa Lindën në sy.

– Kjo s’më hyn në punë, – ia ktheu ajo me gjakftohtësi.

2.

DIKU AFËR DUHLËS, PO AJO DITË, ORA 12:00

Pas aksionit në Suharekë, Agroni u kthye te njësia e tij me mendimin që të pushonte, përderisa kishte edhe një ditë leje. Por iu prish plani. Atë dhe tre luftëtarë të tjerë të njësisë së tij i zgjodhën që të niseshin menjëherë e t’u bashkoheshin trupave që do të shkonin në grykën e Caralevës. Shtabi i Përgjithshëm kishte urdhëruar një sulm kundër një autokolone armike dhe për këtë aksion ishin caktuar ushtarët më të mirë. Agroni nuk pati kohë as të hante bukë dhe iu bashkua kolonës që po i ngjitej më këmbë kodrës në drejtim të grykës së Caralevës. Kur të arrinin në vendin ku ishte planifikuar të zhvillohej sulmi, ai do të kishte si detyrë minimin e rrugës. Urdhrat ishin të qarta: kjo detyrë do t’i besohej vetëm atij. Që pas aksionit me bojlerin-bombë, atë e vlerësonin si një mjeshtër të pashoq për eksplozivët. Nami i mirë që kalonte gojë më gojë mes luftëtarëve ia kujtoi sërish atë që i kishte thënë Hoxha: se ishte çështje kohe deri sa dikush të dyshonte se ai nuk ishte një ushtar si gjithë të tjerët.

3.

PO AJO DITË, ORA 13:00

Luftëtarët nga njësitë e ndryshme të Zonës Operative të Drenicës u takuan në fshatin Shalë dhe prej aty vazhduan rrugën drejt malit, derisa mbërritën në një pikë prej nga shiheshin kthesat e shumta të rrugës që kalonte nëpër grykën e Caralevës. Prej aty, në heshtje, nisën të përhapeshin në drejtim të rrugës kryesore. Një pjesë e ushtarëve zunë pozicionet e para pak më poshtë se ndërtesa e pylltarëve, kurse grupi tjetër në kthesën te vendi i quajtur Përmendorja. Linda, me flokët e kapur bisht, kishte zënë pozicion pak mbi gërmadhat e shkollës së vjetër. E shtrirë përtokë, ishte mbuluar me dushk dhe kishte hapur këmbët metalike të armës. Pranë vetes kishte radion për ndërlidhje dhe me dylbinë e armës vështronte terrenin përreth. Të gjithë luftëtarët që merrnin pjesë në aksion ishin maskuar më së miri, por ende nuk po dukej asnjë automjet i armikut. Ndërkohë, priteshin edhe përforcime nga Malisheva.

4.

PO AJO DITË ORA 14:00

Sapo mbërritën te banesa e pylltarëve, ku gjetën edhe luftëtarët që kishin ardhur më parë, Agroni dhe dy tjerë, që i ishin caktuar ta ndihmonin për bartjen e eksplozivit, u vunë në punë. Agroni u fut poshtë urës në rrugë dhe vendosi eksplozivin. Ideja e ishte që, përveçse të shkatërrohej ura, shpërthimi të ishte i tillë që t’i tmerronte ushtarët e armikut. Pastaj, në të dyja anët e rrugës zgjodhi dy lisa të mëdhenj dhe në rrënjët e tyre vuri sërish lëndë shpërthyese. Eksplozivët i vendosi në atë mënyrë që shpërthimi t’i këpuste lisat pak mbi rrënjë dhe ata të binin në rrugë 5 metra larg njëri-tjetrit. Në qetësi, me kujdes e përkushtim, 150-200 metra poshtë vendit ku duhej të binin lisat, në të dyja anët e rrugës, minoi gjithë hapësirën përreth. Gjithçka e bënte mjeshtërisht dhe me gjakftohtësi, aq sa dy ndihmësit e tij nuk mund ta fshihnin habinë për mënyrën sesi e zotëronte teknikën e minimit. Kur e kishte pranuar detyrën, kishte kërkuar që askush të mos i ndërhynte në mënyrën sesi do ta realizonte skemën e minimit. Pasi i dha dorën e fundit gjithçkaje, kërkoi që ushtarët të zhvendoseshin më shumë se 100 metra më lart, ku mund të kishin fushëpamje të lirë për të qëlluar me armë, por edhe që të ishin të sigurt nga pasojat e shpërthimit. Çdo gjë tashmë ishte gati. U mbetej vetëm të prisnin.

5.

PO AJO DITË, ORA 14:30

Synimi i pritës ishte që të shkatërrohej një kolonë e madhe ushtarake që vinte nga Prizreni. Shërbimi i kundërzbulimit kishte llogaritur kohën kur do të kalonte kolona dhe vërtet, sipas parashikimit, vëzhguesit lajmëruan se kolona po i ngjitej Qafës së Duhlës dhe kishte një gjatësi mbi 200 metra.

“Shkëlqyeshëm!” mendoi Agroni, i bindur se, falë skemës që kishte zbatuar, suksesi do të ishte i padiskutueshëm.

Nuk vonoi shumë dhe kolona iu afrua banesës së pylltarëve, por sipas instruksioneve të Agronit, askush nuk guxonte të shkrepte as edhe një plumb, derisa edhe automjeti i fundit të kalonte urën. Automjetet ushtarake kalonin njëra pas tjetrës. Në pamje të parë çdo gjë shkonte normalisht dhe ushtarët serbë nuk mund ta dinin se çfarë i priste. Edhe pse UÇK-ja ndërkohë ishte rritur në numër, deri atë ditë asnjëherë nuk ishin bërë përpjekje për të marrë nën kontroll rrugët kryesore. Për më tepër, serbët nuk prisnin të sulmohej një autokolonë aq e madhe. Në çastin kur kaloi e gjithë kolona dhe automjeti i fundit ishte mbi urë, Agroni shtypi butonin e detonatorit.

Pikërisht ashtu si e kishte parashikuar, shpërthimi qe aq i fortë sa ura, bashkë me kamionin që ishte mbi, u ngrit në ajër, ndërsa ushtima qe aq fuqishme sa ushtarët e armikut u tmerruan. Menjëherë pas kësaj, Agroni aktivizoi edhe eksplozivët nëpër lisa dhe ata njëri pas tjetrit ranë mbi automjetet ushtarake. Kjo e shtoi edhe më shumë panikun mes ushtarëve serbë. Pothuajse në të njëjtën kohë, prej kodrave përreth, ku kishin zënë pozicionet ushtarët e UÇK-së, filloi breshëria e plumbave dhe raketave kundërtanke. Sikur të mos mjaftonte kjo, për tmerrin e serbëve, Agroni aktivizoi edhe një pjesë të eksplozivëve që i kishte vendosur përreth rrugës. Kolona nuk mund të vazhdonte më tej. Ngeci në vend. Mes ankthit dhe lebetisë, ushtarët serbë kërcyen dhe zbritën nga automjetet për të shpëtuar kokën dhe për të zënë pozicione në anë të rrugës. Por ishin mbi minat që prisnin të shpërthenin. Ata zunë pozicione dhe filluan të hapnin zjarri në drejtim të ushtarëve të UÇK-së. Ishin të shumtë në numër dhe dukej se po rezistonin. Agronit ishte i vetëdijshëm se çdo vonesë mund t’u kushtonte jetën luftëtarëve, ndaj menjëherë filloi aktivizimin zinxhir të minave dhe zhurma e shpërthimeve të njëpasnjëshme në të dyja anët e rrugës jehoi në të gjithë grykën dhe krahinën përreth.

6.

Në pikën ku ishte vendosur Linda, një kthesë e ngushtë dhe mjaft strategjike, trupat e UÇK-së kishin zënë të dyja anët e kthesës dhe përveçse duhej të ndalonin depërtimin e mundshëm të kolonës armike, po ashtu duhej të pengonin çdo sulm të mundshëm pas krahëve të luftëtarëve. Menjëherë pas shpërthimeve të njëpasnjëshme, nuk u panë më automjete që të vinin nga Prizreni, por pas njëfarë kohe vëzhguesit njoftuan për një kolonë tjetër që vinte nga Shtimja e që me siguri po vinte në ndihmë të autokolonës që ra në pritë. Kur automjetet e para të autokolonës hynë në kthesë, hasën menjëherë në një zjarr të fuqishëm që vinte nga kodrat në të dyja anët. Në fillim u lëshuan raketat kundërtanke dhe u krijua një pështjellim i madh. Autoblinda që printe autokolonën mori zjarr dhe mbeti në rrugë, por ndërkaq tanku serb që vinte pas saj e shtyu dhe e largoi për të hapur rrugën. Tanku nisi të lëvizte përpara dhe po në atë çast filloi edhe bombardimi nga njësitë e artilerisë serbe, që kishin zënë pozicione tek Udhëkryqi i Belincit. Linda qëllonte pandërprerë, por forcat armike kishin përparësi për shkak të mbështetjes së tankeve.

– Tërhiqu, tërhiqu! – ishte urdhri që u dëgjua nga radiondërlidhja dhe menjëherë, duke e zbutur zjarrin, luftëtarët fillua të tërhiqeshin me rregull, por Linda mbeti ndër të fundit. Sa më shumë që ndalej zjarri i ushtarëve të UÇK-së, aq më shumë hapnin zjarr ushtarët serbë dhe për një çast, një oficer serb zgjati kokën për të parë përreth fushëbetejës. Linda e dalloi menjëherë dhe nuk ngurroi. Një tërheqje e këmbëzës mjaftoi që oficeri serb të binte i vdekur përtokë. Atëherë Linda nisi t’i ngjitej kodrës bashkë me luftëtarët e tjerë.

7.

Linda po rrinte diku mbi shtëpinë e pylltarëve. Ishte mbështetur pas një lisi të madh në anën e djathtë të përroit të vogël dhe priste.

Pranë saj kalonin luftëtarët, që tërhiqeshin dhe rigrupoheshin sërish. Në fillim u mendua që të ndaheshin më vete grupet që kishin ardhur nga Drenica me ato nga Malisheva, por bombardimi i pandërprerë i rrugës nga kishin ardhur, nuk i lejonte të tërhiqeshin dhe të organizoheshin në atë mënyrë. Linda dëgjonte ushtarët që flisnin për njërin nga luftëtarët, i cili ishte treguar shumë i zoti dhe kishte meritë të jashtëzakonshme për shkatërrimin e kolonës serbe. Që të gjithë i ishin mirënjohës. Po të mos kishte qenë ai, me siguri që do të kishte pasur viktima të panumërta.

8.

Pas aksionit, Agroni u përpoq të mos binte në sy dhe u fut mes luftëtarëve, shumica prej të cilëve as nuk e njihnin. I vinte mirë teksa i dëgjonte të flisnin për suksesin e aksionit e sidomos për taktikat e tij mjeshtërore. Madje ndihej krenar për vlerësimet që i bënin, çka ia zbuste në njëfarë mënyre trishtimin për vdekjen e Hoxhës.

Mori rrugën pas disa ushtarëve që po grumbulloheshin në anën tjetër të përroit, aty ku ishte lisi i madh. Kur kaloi aty, disa ushtarë të tjerë ishin ulur e po bisedonin me njëri-tjetrin. Nuk ndaloi dhe së bashku me një grup luftëtarësh, vazhdoi rrugën drejt Malishevës. Sikur të kishte ndaluar pak, mbase Linda do ta kishte vënë re. Ose mund ta kishte parë edhe ai. Në ato çaste ajo po mendonte vetëm për të.

9.

DIKU THELLË NË SHQIPËRINË E VERIUT, NJË DITË MË PARË

Torbën e hapi njëri prej ushtarëve më besnikë të Naimit dhe prej aty nxori diçka që dukej si çantë biznesmenësh, por më e thellë. Ushtari deshi ta hapte, por Naimi nuk e lejoi, sepse e dinte që asnjëri prej ushtarëve të tij nuk e kishte idenë për mënyrën sesi funksiononte një armë e tillë. Edhe vetë ai nuk e kishte menduar kurrë ndonjëherë se do të vinte një ditë e tillë kur do të kishte në dorë një armë nukleare.
– Tani fitorja është e jona! – tha njëri prej ushtarëve.

Naimit i shkëlqyen sytë.

– A ka rrezik? – e pyeti ai.

– Jo! Izolimi përreth pjesëve radioaktive është i sigurt dhe nuk ka kurrfarë rrezatimi që mund të na dëmtojë. Madje thonë se është e rezistueshme edhe ndaj goditjeve apo rënieve aksidentale.

– Pra, nuk ka rrezik që të shpërthejë?

– Jo, – iu përgjigj shkurt ai që e mbante veten për ekspert, ndonëse edhe vetë e shihte për herë të parë diçka të tillë.

– Më në fund! – pëshpëriti Naimi.

Vetëm ai e dinte sesi kishte mbërritur bomba deri aty. Nga Turqia ishte sjellë në Shqipëri, ku ishte transportuar pa kurrfarë problemi, sepse të gjithë e kishin përqendruar vëmendjen në Ulqini dhe tek Agroni. Madje Agroni e kishte luajtur lojën edhe më mirë se ç’pritej. Ua kishte hedhur amerikanëve dhe i kishte ngatërruar aq shumë sa vështirë se mund t’ia gjenin fillin së vërtetës. Gjatë kohës kur ai luante Xhejms Bondin në Ulqin, bomba kishte mbërritur në Tropojë dhe rrugëtimi i saj ishte ndalur për njëfarë kohe, deri sa të ftoheshin pak gjakrat.
Një ditë më parë, gjatë qëndrimit të tij në Papaj, në kazermën e UÇK-së, Naimi kishte pasur një takim fort të pakëndshëm me disa zyrtarë të lartë të Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë – ShlSh – të cilët i kishin kërkuar që ta gjente bombën dhe ta dorëzonte. Ia kishin bërë të ditur të gjitha pasojat e mundshme nëse bomba shpërthente në Beograd, përfshirë këtu dëmin për imazhin e luftës së UÇK-së dhe prishjen e marrëdhënieve me amerikanët. Shumë prej atyre çka i thanë zyrtarët e ShlSh-it ishin të vërteta. Madje edhe vete Naimi, ashtu si Agroni, kishte dilemat e veta lidhur me anën morale të operacionit, por nuk mund të kishte më kthim prapa.

Për gati 100 vjet, Serbia vetëm e kishte përgjakur Kosovën dhe nuk ishte ndëshkuar asnjëherë për këtë. Naimi ishte i bindur se kjo prirje drejt së keqes nuk mund të ndalej derisa bombat të binin mbi Beograd dhe vetë Serbia ta ndiente efektin e luftës.

– Unë nuk di gjë për këtë bombë, ndaj dhe nuk kam sesi t’ju ndihmoj. Por meqë amerikanët kërkojnë ta ndalin atë me patjetër, më parë duhet të dinë se, herët apo vonë, do të detyrohen ta bombardojnë vetë Beogradin, ngaqë Serbia nuk ndalet ndryshe, – u kishte thënë Naimi agjentëve të ShlSh-it dhe e kishte ndërprerë takimin.

Takimi në fjalë e kishte alarmuar pak, por pavarësisht rrezikut, ishte koha që bomba të vihej përsëri në lëvizje. Po ashtu edhe Agroni. Naimi tashmë e dinte se ku ndodhej ai, madje ishte në dijeni edhe të ngjarjeve në terren dhe sidomos për bojlerin- bombë. Ai e njihte fort mirë profilin e Agronit, kishte lexuar shenjat që kishte lënë në rrugë, ndërsa tani ishte koha që të takohej sërish me të. Ç’është e vërteta, do ta gënjente përsëri. Nuk mund të rrezikonte e t’ia tregonte të vërtetën, t’i shpjegonte se roli i tij në këtë operacion ishte vetëm që të tërhiqte vëmendjen. E gjithë historia me Agronin ishte mashtrim, një diversion. Dhe sa më shumë të besonte Agroni se me të vërtetë do ta merrte ai bombën, aq më bindëse do të ishte përmbushja e misionit prej tij. Ishte vetë Naimi që, me mënyra të ndryshme, lëshonte informata të rrejshme, të cilat më pas i merrnin si CIA, ashtu dhe shërbimi serb. Dhe me këtë sigurohej se gjatë gjithë kohës ata ishin të preokupuar me Agronin. Naimit nuk i pëlqente ta bënte një gjë të tillë dhe të ndodhej në ato pozita, por ashtu ishte nisur kjo punë dhe ashtu duhej të shkonte deri në fund. Askush dhe asgjë nuk mund ta rrezikonte këtë operacion. Kjo ishte vepra e tij e fundit dhe me të dëshironte të hynte në histori.
– Bëni kujdes kur të niseni dhe mos ndaloni askund, derisa të arrini në Prishtinë! – u tha shokëve të vet.

Hodhi në sup xhaketën ushtarake dhe doli nga shtëpiza e vogël. Jashtë e priste një xhip që do ta çonte deri afër kufirit, ku do të kalonte më këmbë për t’u futur në Kosovë.