~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i katërt

1.

Kur doli nga banesa e Lindës, Agroni e kaloi gjithë ditën duke u endur nëpër qytet, por gjithnjë duke bërë kujdes se mos e ndiqte ndokush. Vetëm pasi u sigurua se nuk po e ndiqnin, vendosi të kthehej në banesën e tij dhe aty kishte rënë në mendime të thella.
Që kur kishte shkuar në Kosovë dhe kishte nisur misionin e tij, që e detyronte të përdorte identitete të shumëfishta, përherë kishte menduar se, një ditë, mënyra e tij e jetesës do t’i kthehej kundër dhe se mund të sfidohej nga diçka shumë e rëndë, por nuk e priste t’i vinte në mënyrë të tillë. Nuk mund të pajtohej me faktin që, në një situatë të tillë, misioni i tij, që përfaqësonte kulmin e të gjithave përpjekjeve të një jetë të tërë, ta përjashtonte dashurinë për Lindën. Jo vetëm që nuk mund ta shihte më kurrë atë, por as do t’i jepej rasti që, ndonjëherë, të shpjegohej në njëfarë mënyre para saj. Duhej të shkëpuste çdo lidhje fizike me të, por nuk mund ta bindte veten se mund ta harronte ndonjëherë dhe ta largonte nga zemra. Ajo ishte nga të paktat gjëra në jetën e tij, që e shkëpuste nga përditshmëria e rrethuar me rreziqe dhe tension të përhershëm. Kur ishte me Lindën, i dukej sikur asgjë nuk ekzistonte më në botën përreth. Dhe mjaftonte vetëm prekja e saj, që të harronte se ishte në luftë, se ishte kthyer në një fantazmë nate e që mbillte panik tek armiku. Agroni nuk donte t’ia pranonte vetes, por Linda i dukej aq magjepsëse sa, kur e përqafonte, sikur e harronte edhe betimin për hakmarrje. Ajo e bënte që virtytet më të bukura njerëzore të shpërthenin brenda qenies së tij dhe në njëfarë mënyre të kompensonin edhe ndjenjat e ndrydhura të adoleshencës, të cilën e kishte humbur duke u përgatitur për luftë.

Dhe ndihej keq kur i duhej të dëgjonte Lindën të thoshte se ajo e adhuronte komandant Agronin dhe se do të jepte shumëçka vetëm e vetëm që, një ditë, të mund ta takonte, pa e ditur se Bekimi i saj ishte vetë Agroni. Madje, në një rast, ajo i pati thënë se, sikur t’i jepej mundësia të luftonte krah për krah Agronit, mund të vendoste të kthehej përsëri në luftë. Ajo e dinte që Agroni vepronte në mënyrë të pavarur, ndryshe nga ushtarët e rregullt, që ishin të detyruar të vepronin në bazë të rregullave dhe ligjeve ushtarake. Agroni dhe njerëzit e tij nuk merrnin urdhra prej askujt e për më tepër nga njerëz si Oficeri. Dhe atij i kishte ndodhur që njerëz të ndryshëm t’i flisnin për trimërinë e tij, pa e ditur se, në të vërtetë, po ia tregonin vetë Agronit dhe ai ndihej krenar që sakrificat e tij i frymëzonin për qëndresë. Por më shumë ndihej krenar për veten kur Linda përpiqej t’ia mbushte mendjen se Agroni nuk ishte mit, por një luftëtar i njëmendtë. Disa herë, për pak sa nuk e kishte zbuluar veten para saj, sepse nuk donte ta gënjente më, por t’i tregonte se Bekim Hasani ishte vetëm një identitet i rremë, që ai e përdorte si mbulim, se ai, i dashuri i saj, që ajo e donte aq shumë, në të vërtetë ishte vetë komandant Agroni. Megjithatë, përkundër tundimit, Agroni nuk ia tregoi të vërtetën dhe kjo e mundonte më shumë, ngaqë ishte i bindur se, sikur Linda ta merrte vesh, kurrë nuk do të pranonte të bashkohej me ata që kërkonin me doemos ta sabotonin misionin e tij.

2.

Kishin kaluar tri ditë prej zhdukjes së Bekimit dhe Linda gjithë kohën ishte në pritje të kontaktit që do t’i sillte informacionet shtesë dhe udhëzimet sesi duhej të vepronte. Po ndërkaq po vriste mendjen nëse zhdukja e Bekimit mund të kishte ndonjë farë lidhjeje me misionin që i kishte ngarkuar Oficeri. U përpoq t’i kujtonte edhe një herë me hollësi ato që kishte lexuar në shënimet që i kishte lënë Oficeri në lidhje me komandant Agronin dhe filloi të dyshonte. Nuk vihej në diskutim admirimi për Agronin, që e nxiste të përfshihej në mision, dhe as rëndësia e vetë misionit. Ishte diçka tjetër. Diçka që edhe natën e linte pa gjumë. “A thua?” Nuk dinte nëse duhej ta besonte apo jo atë që po mendonte.
Linda tashmë ishte e bindur se atë mëngjes Bekimi i kishte shfletuar shënimet e saj, përfshirë edhe dosjen për Agronin. Dhe largimi i tij aq i pazakontë lidhej pikërisht me këtë fakt. Gjatë atyre ditëve, ndërsa analizonte informacionet që kishte për Agronin, po ashtu mundohej të kujtonte edhe çdo sjellje të Bekimit dhe vetvetiu po zbulonte disa detaje që më parë nuk u kishte dhënë rëndësi. Ndryshe nga herët e tjera, kishte vënë re se Bekimi ishte bërë më i kujdesshëm për gjithçka përreth tij dhe sidomos u kushtonte shumë vëmendje njerëzve që mund të ndodheshin pranë. Të gjitha këto ishin veprime që vetëm një profesionist mund t’i bënte, ndaj dhe një zë i thoshte Lindës se Bekim Hasani nuk mund të ishte askush tjetër, por vetë komandant Agroni. Megjithatë, prapë nuk mund të ishte edhe aq e sigurt, sepse gjithçka e bazonte vetëm në dyshime dhe nuk kishte as edhe një fakt të vetëm. Zemra i rrihte fort kur mendonte se gjithë kohën e kishte pasur pranë komandant Agronin e madje ishte e dashura e tij. Ky mendim, aq sa e gëzonte, po ashtu edhe e frikësonte. Një pjesë e saj dyshonte se ndoshta Oficeri e kishte ngarkuar me këtë mision ngaqë ishte në dijeni të lidhjes së saj intime me Agronin.

3.

Rrugët e qytetit ishin mbushur me njerëz si kurrë ndonjëherë më parë. Dhe të gjithë kishin shtangur në vend. Të tmerruar, fëmijë, gra, burra e pleq, nuk bënin as lëvizjen më të vogël. Diçka e tmerrshme drodhi tokën dhe ndërtesat u lëkundën që nga themelet. Askush nuk arriti as të thërriste për ndihmë. Në çast u ndërpre energjia elektrike dhe një heshtje varri pushtoi qytetin. Një dritë e fortë u shfaq në horizont dhe të gjithë ata që shikuan në drejtim të saj, u verbuan në çast. Tmerri nuk përfundoi me kaq, sepse më pas u dëgjua një oshtimë e madhe dhe mbi qytet filloi të ngrihej një re e dendur tymi në trajtën e një kërpudhe gjigante. Dielli nuk shihej më. Një stuhi e fuqishme u shpërnda në formën e rrathëve koncentrikë dhe ndërtesat e qytetit u rrafshuan sikur të ishin kulla prej letre. Në një të qindtën e sekondës, qindra mijëra njerëz vdiqën në çast, pa e kuptuar fare se çfarë i kishte goditur. Ky qytet ishte Beogradi. Tanimë, nga një metropol prej dy milionësh, ishte shndërruar në një qytet gërmadhash. Kudo kishte trupa njerëzish dhe ata që kishin mbetur gjallë mallkonin veten pse nuk kishin vdekur bashkë me të tjerët.

I larë në djersë, Agroni u zgjua si në makth dhe nuk mbushej dot me frymë. I mahnitur nga përmasa dhe jehona e pazakontë që do të kishte misioni, dhe për këtë arsye i dhënë i tëri pas mënyrës sesi do ta realizonte atë, Agroni nuk i kishte menduar ndonjëherë rrjedhojat apokaliptike të asaj që po planifikonte. Ky mision nuk ishte thjesht një aksion kundër një fortifikimi të armikut dhe synimi i tij nuk ishin as policët apo ushtarët e armikut, por një qytet i tërë, ku gjallonin qytetarë të zakonshëm, të cilët çdo ditë zgjoheshin me të njëjtat halle dhe brenga si të gjithë njerëzit e tjerë. Nuk ishte e mundur që gjithkush prej tyre të pajtohej me atë që po bënte në të vërtetë shteti i tyre në Kosovë. Nuk ishte e mundur po ashtu, që të gjithë ata të ishin kriminelë, vrasës e sadistë. Agroni gjithmonë ishte përballur me kundërshtarë me uniformë, ushtarë dhe profesionistë si ai vetë, por në asnjë rrethanë nuk kishte ngritur dorë mbi civilët. Lufta e tij kishte qenë e përkorë dhe shembull për respektimin e kodit dhe etikës prej një ushtaraku të vërtetë, por ndërkaq i kishte hyrë një rruge që, me siguri, do të gjykohej nga e gjithë bota.

U ngrit nga shtrati dhe u fut në dush me shpresën se do t’i largonte paksa ankthet, por ndonëse uji ia hoqi stresin, megjithatë nuk mundi ta çlironte nga dilemat në ndërgjegjen e tij. Mendoi për një çast se si duhej të ishin ndjerë pilotët amerikanë që hodhën bombën mbi Hiroshimë dhe Nagasaki. Si kishin arritur të jetonin me pengun se, në një të qindtën e sekondës, kishin shkatërruar qytete të tëra? Si do ta gjykonte atë historia, nëse e zhdukte Beogradin nga faqja e dheut? Si do të shihej pastaj, si hero apo si terrorist?
“Sulmet në Hiroshimë dhe Nagasaki shpëtuan miliona jetë ushtarësh amerikanë dhe japonezë, të cilët me siguri do të vriteshin nëse lufta do të vazhdonte edhe më tej”, i thoshte një zë nga brenda vetes, por as kjo nuk e qetësoi. Ai ishte ushtarak dhe donte të mbahej mend si i tillë e jo si dikush që kishte vrarë njerëz të pafajshëm.

4.

Lindës nuk iu desh të priste shumë, sepse Oficeri e mori në telefon dhe i tha se kishte ndodhur një ndryshim plani: ajo tani duhej të bashkëpunonte me amerikanët. Linda e kundërshtoi, sepse një kthesë e tillë ishte diçka shumë më e madhe se ajo që kishte pritur. Oficeri nuk deshi t’ia dinte për kundërshtimin e saj, por vetëm përsëriti urdhrin duke shpjeguar se tashmë kjo gjë ishte vendosur nga qarqe të larta dhe ajo nuk duhej ta diskutonte më tej.

“Punë dreqi!” tha me vete Linda, ndërsa gjithë nervozizëm priste të takohej me amerikanët. Oficeri i kishte thënë që në orën 15:00 të shkonte në tregun e qytetit dhe të priste që dikush të kontaktonte me të.

Ajo ishte futur në treg dhe bënte kinse ishte e interesuar të blinte fruta ekzotikë, por në të vërtetë po përpiqej të dallonte njeriun me të cilin do të takohej. Nuk arrinte të përfytyronte sesi mund të dukej një njeri i tillë, sepse e vetmja përvojë që kishte në këso gjërash ishin personazhet e filmave që kishte parë. E mendonte si një njeri të veshur me të zeza, që do t’i afrohej dhe do t’i pëshpëriste kushedi çfarë kodi, por as që mund t’i shkonte në mendje se kontakti i saj do të ishte shitësi i bananeve.

– Zonjushë, këto banane janë shumë të mira, por ju po kërkoni banane të cilësisë së parë dhe ato nuk mund t’i gjeni këtu! – i tha shitësi.

– Urdhëro? – ia ktheu Linda e habitur – Nuk po kuptoj se për çfarë e keni fjalën, – vazhdoi ajo dhe mendoi se shitësi po i vardisej.

Por ai as që deshi t’ia dinte nga reagimi i Lindës dhe pa ua vënë veshin fjalëve të saj, i zgjati një banane dhe, kur iu afrua, i foli me aq zë sa vetëm ajo mund ta dëgjonte:

– Prapa tregut… Depoja numër 2… Për 10 minuta. – Ia përcolli porosinë në mënyrë telegrafike dhe më pas vazhdoi lojën e tij: – Provojeni një zonjushë dhe, nëse ju pëlqen, mund të vini përsëri.

Linda qëroi bananen dhe u largua pa bërë fjalë.

5.

Agroni ishte tejet i përqendruar në misionin e tij. Përveçse për nevoja të domosdoshme, nuk dilte fare nga banesa. Por më shumë i shmangej përballjes me Lindën dhe nuk e dinte sesi do të ishte takimi i fundit me të. Ajo që i ndodhi me të e kishte bindur tashmë se duhej të ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm dhe se, sipas gjasave, misioni i tij mund të ishte komprometuar. Po si kishin arritur t’i binin në gjurmë? Mos ndoshta në organizatën e Naimit kishte ndonjë urith që punonte për të tjerët? Këtyre pyetjeve nuk mund t’u jepte përgjigje. Kishte idenë se identiteti i tij i fshehtë po rrënohej çdo ditë e më tepër dhe kundër tij po ngrihej një konspiracion i madh. Pra, rrezikun po e ndiente që në ajër, por nuk frikësohej e nuk kishte ndërmend të ndalej.

Sipas planit, kishte marrë një barkë të vogël me qira, dilte me të në det të hapur, kinse për të peshkuar, dhe aty e kalonte gjithë ditën. Në njërën nga ditët e ardhshme, në brigjet e Ulqinit do të afrohej jahti italian “Elizabeta” dhe në çastin kur do të ishte gati të vendoste kontakt me të, përkrah flamurit italian do ta shpalosej edhe një flamur i kuq. Naimi i kishte thënë se aty do t’ia jepnin bombën dhe më pas vetë Agroni do ta transportonte për në Beograd. Dhe ky as që e kishte pyetur pse bomba do të transportohej në atë mënyrë dhe as kush ishin njerëzit që do të lundronin me jahtin “Elizabeta”. Edhe ai, po të ishte në vend të Naimit, me siguri që do të zgjidhte një taktikë të tillë, sepse të gjithë do të prisnin që bomba në fillim të mbërrinte në Shqipëri e më pas, prej aty, nëpër rrugë malore, të transportohej në Kosovë. Askush nuk mund të priste që ajo të vinte me rrugë detare dhe, nëpërmjet Malit të Zi, të vazhdonte rrugën për në Beograd, pa kaluar fare nëpër Kosovë. Por shënimet në tryezën e Lindës e bënë të mos mendonte më për zgjuarsinë me të cilën ishte thurur plani i Naimit; ishte e qartë se tashmë pala tjetër dinte pothuajse gjithçka për të. Përderisa kishte informacione për bombën dhe mënyrën sesi do të transportohej, kjo tregonte se diçka nuk ishte në rregull në këtë mision. Prandaj duhej të vendoste rregulla të reja loje.

Agroni ishte betuar për hakmarrje dhe për këtë nuk kishte kthim prapa, por makthi i ëndrrës ia kishte ndryshuar mendimin që bombën ta shpërthente brenda në qytet dhe të vriste gjithë ata njerëz të pafajshëm. Ai nuk ishte terrorist dhe për këtë kishte filluar të planifikonte një strategji tjetër, që përmbushte kriteret e kodit të tij etik prej ushtaraku profesionist. Qëllimi i misionit ishte përfundimi i luftës dhe detyrimi i Serbisë që të tërhiqte ushtrinë dhe policinë nga Kosova, por kjo nuk nënkuptonte se ai patjetër duhej ta fshinte nga harta Beogradin. Agroni ishte i bindur se sapo ta kishte në dorë bombën dhe të arrinte në Beograd, do të gjente mënyra që ta detyronte qeverinë e Serbisë të tërhiqte ushtrinë dhe policinë nga Kosova.

Këto mendime i përsilleshin në kokë, ndërsa kishte hedhur grepin në thellësi të detit, me qëllim që ta luante sa më mirë rolin e peshkatarit. Gjatë lundrimeve me barkë kishte studiuar çdo cep të brigjeve dhe ujërave të Ulqinit dhe në kokë i kishte lindur ideja e një plani të thurur me zgjuarsi për mënyrën sesi ta realizonte kontaktin, si ta merrte bombën dhe pastaj si t’ua hidhte të gjithë atyre që punonin kundër tij. Agroni ishte tejet i sigurt se CIA dhe gjithë të tjerët që po e ndiqnin, mund të ishin diku pranë, në pritje të çastit kur ai do të ngjitej në bordin e jahtit, por nuk kishin si ta dinin për planin e befasishëm që ai kishte përgatitur.

6.

Në depon numër 2, Linda pa një furgon mallrash, që përdorej për shpërndarjen e bananeve. Shitësi i bananeve, që ishte duke e pritur, i tha të hipte dhe të mos kishte frikë. Duhej të futeshin aty për të humbur gjurmët. Linda u fut në pjesën ku zakonisht ngarkoheshin mallrat, ndërsa shitësi i bananeve ndezi furgonin dhe u nis për diku. Linda nuk mund të shihte asgjë, sepse në pjesën e pasme nuk kishte dritare dhe vetëm pasi ecën për rreth 40 minuta, mjeti ndaloi, dyert u hapën dhe atëherë e kuptoi se ishte në një lëndinë diku afër fshatit Katërkollë, në Anamal të Ulqinit. Linda u habit, sepse rruga nga tregu i qytetit deri aty nuk duhej të ishte më shumë se 15 minuta, por ndërkaq e kuptoi se shitësi i bananeve e kishte zgjatur qëllimisht rrugën, në mënyrë që të sigurohej se nuk i ndiqte ndokush. Shitësi nuk i tha asnjë fjalë dhe sapo Linda zbriti nga furgoni, ai u largua menjëherë.

– Më vjen mirë që më në fund u takuam, zonjushë Linda, – i tha në anglisht agjenti Smith, i cili po e priste në mes të lëndinës. Linda nuk reagoi fare, a thua se nuk kuptoi asnjë nga fjalët që i tha ai.

– Më kanë thënë se e flisni rrjedhshëm anglishten dhe nuk do të kemi probleme në komunikim. Apo ndoshta gabohem? Zakonisht jemi të saktë, por nuk do të ishte hera e parë që mund të gabonim në diçka! – Agjenti Smith qëllimisht e zgjati fjalinë, ngaqë donte të thyente akullin mes të dyve.

– Kush jeni ju? – ia ktheu Linda shkurt në anglisht, ndërsa me sy përpiqej të dallonte se ku mund të ishin fshehur të tjerët. Truri i saj po e analizonte situatën sikur të ishte në fushëbetejë, sepse ishte e bindur që agjenti amerikan kishte bashkëpunëtorë të fshehur, të cilët ishin gati të ndërhynin pas çdo sinjali për rrezik.

– Kërkoj falje për mungesën e mirësjelljes, – tha agjenti duke aktruar pothuajse në mënyrë të përkryer – Agjenti Xhim Smith, i tëri në dispozicionin tuaj.

– Xhim Smith? – ia ktheu Linda duke buzëqeshur. – Dhe unë duhet ta besojë këtë?

– Jeni e zgjuar, zonjushë, por emri im i vërtetë nuk ka rëndësi. Dhe më beso që edhe vetë e kam harruar. E rëndësishme është që unë jam këtu dhe po bisedojmë.

Agjenti Smith nuk mund të mos e pranonte se Linda ishte një femër jashtëzakonisht e bukur, shumë tërheqëse dhe që vishej me shumë shije. Dhe ndërsa e shihte nga afër, arriti të kuptonte pse në dosjen e saj shkruhej se ajo ishte në gjendje t’i bënte për vete meshkujt. Megjithatë, përkundër admirimit që ndjeu, agjenti Smith nuk mund të humbte as edhe një sekondë duke u marrë me punë të tjera jashtë misionit të tij.
– Ishte e nevojshme të merrnim të gjitha masat dhe të siguroheshim që ky takim të mbahej në fshehtësi prej sigurimit jugosllav. Me siguri që ata nuk do të ishin aspak të lumtur nëse do të merrnin vesh se po bashkëpunojmë në njëfarë mënyre me dikë prej jush, – tha agjenti Smith dhe nga xhepi i xhaketës nxori një paketë cigare dhe ia zgjati Lindës.

– Nuk e pi, – ia ktheu ajo.

– Zgjidhje me mend, sepse nuk ka asgjë të dobishme, – tha agjenti Smith dhe ndezi një cigare për vete.

– Nëse nuk ke ndonjë gjë tjetër në mendje, do të parapëlqeja të kalonim drejt e në temë, – i tha Linda.

– Natyrisht! Ecim pak, – ia ktheu shkurt agjenti dhe të dy filluan të bisedonin me njëri-tjetrin ndërsa shëtisnin në lëndinë. Edhe nëse dikush do t’i shihte nga larg, do të dukej si një takim romantik në natyrë.

7.

Kur u kthye në banesë, Linda gjeti aty të gjitha pajisjet e nevojshme për aksionin e saj. Agjenti Smith dëshironte t’i dëshmonte asaj se ishte njeri që e realizonte gjithmonë qëllimin e tij dhe se ishte në gjendje të bënte gjithçka që donte dhe kudo që të donte. Ndërkohë që ata kishin qenë duke biseduar rreth detajeve të misionit, dikush nga ekipi i tij ishte futur në banesën e saj dhe aty kishte lënë një valixhe të madhe të zezë dhe mbi të një letër të bardhë, ku ishin shkruar germat “JS”. Ishin inicialet e emrit të agjentit Smith dhe ky ishte edhe një sinjal tjetër që ai ia dërgonte për t’i pohuar se çdo herë ai ishte një hap para të tjerëve.

Në valixhe ishte nj ë arsenal i vogël armësh,i tëri i përgatitur sipas parapëlqimeve të saj, a thua se dikush ia kishte lexuar mendjen dhe ia dinte të gjitha dëshirat. Revolja Beretta M9 ishte tipi që asaj i pëlqente shumë dhe i njihte më së miri karakteristikat e saj. Ishte prodhim amerikan i bazuar në modelin italian Beretta 92, revole gjysmë automatike e kalibrit 9 mm, me karikator prej 15 plumbash, 952 gramë e rëndë pa karikator dhe 1162 gramë e rëndë me karikator. Në duar të duhura, Beretta M9 ishte zot i jetës dhe i vdekjes për çdo gjë deri në 50 metra largësi dhe Linda nuk ishte nga ata që i çonte plumbat dëm.

Përveç revoles, me tërë madhështinë e vet të frikshme, ishte edhe një Barret M82, pushkë snajper gjysmë automatike e kalibrit 12.7 mm, që është tepër e saktë deri në 1800 metra largësi. Përpos se është e saktë, Barret M82 po ashtu është shumë e suksesshme kundër çdo lloj blindi, si dhe është shumë e efektshme kundër makinerive të armikut. Këtë lloj arme Linda e kishte përdorur edhe gjatë aksioneve të saj në Kosovë dhe kishte arritur ta siguronte me shumë mund. Ngaqë vetëm pushka peshon 14 kg, është e gjatë 145 cm dhe ka mjaft pajisje të tjera, përdorimi i saj në rrethana lufte kërkon angazhimin e dy ushtarëve. Barret 82 ishte bërë shkak që ajo të miqësohej me Arbenin, ngaqë të dy ishin caktuar të punonin si një ekip i vetëm dhe nuk ishin ndarë deri në fund. Mjaftoi vetëm sa t’i hidhte një sy pushkës dhe Linda ndjeu një mall të madh për shokun e saj të luftës dhe lotët i rrodhën nëpër faqe.

Agjenti Smith kishte kërkuar prej saj që ta eliminonte Agronin sapo ai të shfaqej pranë jahtit “Elizabeta”. I kishte shpjeguar se kjo ishte mënyra më e mirë për ta zgjidhur problemin dhe, sipas tij, Agroni ishte shumë i rrezikshëm, ndaj dhe nuk duhej të mbetej gjallë. Kjo kërkesë e agjentit e kishte tronditur Lindën sepse, pavarësisht motiveve apo urdhrave, nuk mund të imagjinonte një situatë ku ajo mund të vriste një bashkëluftëtar. Ishte në kulmin e zemërimit dhe nuk e kuptonte sesi një i huaj guxonte të kërkonte diçka të tillë prej saj. Megjithatë, nuk kundërshtoi ngaqë e kuptoi se agjenti Smith po e vinte në provë. Mbi të gjitha, e dinte mirë se ai nuk kishte aspak nevojë për shërbimet e saj, por po luante një lojë dhe situata e donte që Linda të ishte objekt në lojën e tij. Ajo nuk mund ta dinte se cili ishte konkretisht plani i agjentit Smith, por që ai kishte një plan të menduar mirë, kjo dukej qartë. Smithi kishte në dispozicion kushedi sa mjeshtër snajperë shumë më të mirë e shumë më me përvojë se ajo, por Linda i duhej vetëm ngaqë donte të provonte sinqeritetin e bashkëpunimit të ofruar nga pala shqiptare dhe po ashtu shpresonte që vajza të mund ta identifikonte Agronin.

Të gjitha këto supozime Lindës i shkonin nëpër mend ndërsa po pastronte me shumë kujdes çdo pjesë të pushkës. Madje vuri re se, thuajse krejt instinktivisht, e kishte çmontuar pushkën deri në pjesët më të imta dhe i ishte përveshur punës me shumë përkushtim. Kishte kaluar një kohë e gjatë që kur kishte pasur një armë të tillë në duar, por megjithatë, ndërsa i pastronte dhe i lëmonte me kujdes pjesët e pushkës, i dukej sikur ndërkaq, sekondë pas sekonde, po zbulonte nga një pjesë të vogël të vetes, të jetës së mëparshme. Më kot ishte përpjekur ta bindte veten gjatë asaj kohe në Ulqin se mund të kishte një jetë tjetër, sepse mjaftoi vetëm prekja e pushkës që të zgjohej sërish luftëtarja brenda saj. Dhe nuk ndjeu asnjë lloj keqardhjeje për këtë rizgjim, sepse e kuptoi që lufta ishte fati i saj, prej së cilës nuk mund të ikte më. Mund të fshihej edhe në fund të botës, por fati i paracaktuar do ta gjente sërish e do ta përfshinte në vorbullën e luftës. I vetmi peng në atë çast ishte se do t’i duhej të largohej pa u përshëndetur me Lorikun, por megjithatë shpresonte se, një ditë, kur ai ta kuptonte se kush ishte ajo në të vërtetë, mbase do të gjente forcë e do ta falte.

8.

BRIGJET E ULQINIT, PAS DY DITËSH

Jahti “Elizabeta” lundronte me flamur italian, sepse ishte regjistruar si jaht privat tek autoritetet e portit të Napolit, por në të vërtetë i përkiste një rrjeti ndërkombëtar kontrabandistësh, të cilët kishin zot vetëm paranë. Ndonëse ishte tepër luksoz, jahti nuk përdorej për turizëm apo për shëtitjen e VIP- ave, por thjesht për kontrabandë në Mesdhe. Kur dikush i kërkonte shërbime “Elizabetës”, jahti ankorohej diku jashtë ujërave territoriale të shtetit prej nga vinte malli dhe aty priste derisa dikush me gomone të shpejta sillte mallin dhe më pas “Elizabeta” e transportonte nëpër ujëra ndërkombëtare deri në destinacion. Në vendmbërritje përsëritej e njëjta procedurë dhe kështu “Elizabeta” shumë rrallë hynte në ujërat territoriale të ndonjë shteti, ngaqë ishte e ngarkuar me mall ilegal. Kjo ishte një strategji e përkryer, ngaqë asnjë forcë policore e kujtdo shteti nuk guxonte të shkelte në bordin e jahtit, përderisa ai lundronte në ujërat ndërkombëtare, sepse ky veprim do të përbënte shkelje të ligjit detar ndërkombëtar. Këtë mund ta bënte vetëm Interpoli, por askush nuk kishte arritur të ndërtonte ndonjë akuzë konkrete, çka mund të justifikonte një urdhër ndërkombëtar bastisjeje. Për të gjithë policët që merreshin me luftën e kontrabandës, hyrja e “Elizabetës” në ujërat territoriale të një shteti nënkuptonte se ajo tanimë ishte e “pastër” dhe askush nuk merrej më me të.

Pasi mbylli kontratën për të transportuar diçka nga Stambolli për në Ulqin, ekuipazhi i “Elizabetës” kishte shpresuar se autoritete turke dhe ato jugosllave nuk do ta pengonin transaksionin e rëndësishëm. Kjo ishte një kontratë e veçantë nga të tjerat, por pagesa ishte e majme dhe në fund të fundit kjo ishte e vetmja gjë që i interesonte ekuipazhit.

“Elizabeta” hyri në ujërat malazeze që herët në mëngjes dhe sapo iu afrua brigjeve të Ulqinit, nisi të lundronte qetësisht dhe ngadalë që nga fshati Shtoj e deri në Valdanos, ndërsa në mesditë u ankorua afër portit antik të qytetit. Në çastin kur u fik motori i jahtit, njëri nga pjesëtarët e ekuipazhit hodhi spirancën dhe më pas, përkrah flamurit italian, ngriti edhe një flamur të kuq. Kjo ishte shenja se po prisnin personin e kontaktit.

9.

Për dy ditë me radhë, Linda nuk doli fare nga banesa dhe e kaloi kohën me ushtrime të vazhdueshme, por edhe duke e përgatitur veten shpirtërisht. I duhej ta hiqte ndryshkun nga shpirti dhe nga mendja dhe të bëhej gati për aksionin e parë pas aq kohësh. Ditën e dytë mori një mesazh të shkurtër nga agjenti Smith. Jahti “Elizabeta” ishte ankoruar dhe nga çasti në çast pritej që njerëzit në jaht të kontaktonin me Agronin.

Për ta bindur veten se ishte e zonja t’ia dilte mbanë, u përpoq të kujtonte rastet më domethënëse nga aksionet e saj në Kosovë, si dhe leksionet dhe këshillat e instruktorit gjatë trajnimit.

“Snajperi duhet t’i ketë në harmoni të përkryer trupin, mendjen dhe shpirtin dhe ndërkaq të bëhet një me pushkën e tij. Në aksion, snajperi duhet të harrojë që në ato çaste mund të ekzistojë diçka tjetër në këtë botë.” Këto kishin qenë fjalët e instruktorit dhe tani ajo përpiqej ta kthjellonte mendjen. Kishte nevojë për qetësi. Në radhë të parë të qetësonte shpirtin e ky pastaj të qetësonte edhe trupin, sepse çdo qelizë e tij sikur e ndiente ndërkaq se ky aksion do t’ia ndryshonte jetën përgjithmonë.

10.

Agroni e dalloi “Elizabetën” sapo u shfaq përtej brigjeve të Ulqinit dhe gjithë kohën e mbajti nën vëzhgim, herë nga bregu e herë nga deti. Në mesditë, me barkën e tij të vogël, i maskuar si peshkatar, iu afrua jahtit kur ky u ankorua dhe ngriti flamurin e kuq. Ishte pikërisht sinjali që priste dhe tani i duhej të gjente një mënyrë që të vendoste kontakt.

Syrit të tij nuk mund t’i shpëtonte asgjë, sepse gjithë ato vite trajnimi dhe përgatitjesh të pandërprera ia kishin zhvilluar në mënyrë të përsosur instinktet dhe reflekset. Mund të thuhej tashmë se i ngjante një tigri që e ndien se dikush ia ka shkelur territorin dhe nuk ndalet derisa e zbulon kundërshtarin. Kur po i afrohej portit me barkë, Agroni u bind përfundimisht se po i përgatitej një kurth, sepse arriti të dallonte disa që hiqeshin sikur ishin peshkatarë dhe turistë. Me siguri që ata ishin vetëm një pjesë prej atyre që tanimë ai e dinte se ishin fshehur diku dhe prisnin që të ngjitej në bordin e jahtit. Agroni nënqeshi ndërsa i pa me bisht të syrit dhe me mendje po përpunonte detajet e surprizës së tij. Kundërshtarët, sado të zotë dhe të shumtë që mund të ishin, tashmë e kishin humbur epërsinë taktike. Ata nuk e dinin që Agroni e kishte kuptuar se ata po e prisnin dhe kjo e ndryshonte gjithçka.

11.

Dritaret e banesës së Lindës shikonin nga porti antik i Ulqinit. Kishin kaluar tri orë që kur “Elizabeta” kishte ngritur flamurin e kuq dhe ajo gjithë kohën vështronte jahtin me dylbi, si dhe këqyrte terrenin përreth. Edhe ajo arriti t’i dallonte shumicën e agjentëve që shtireshin si peshkatarë dhe turistë, por nuk po e dallonte dot Agronin. Në mënyrë të pavetëdijshme, përpiqej të gjente qoftë edhe ndonjë detaj të vetëm që mund ta ndihmonte për ta identifikuar Bekimin. Kur e kishte pranuar detyrën, ajo kishte vendosur të mos e mbante zotimin ndaj Oficerit dhe se do ta ndihmonte Agronin për ta realizuar misionin e tij, por nëse vërtetohej që në të vërtetë Agroni ishte Bekimi i saj, atëherë do ta ndihmonte me çdo çmim. Pavarësisht pasojave që mund të kishte, Linda e kishte ndarë mendjen dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejonte që t’i ndodhte gjë Agronit. E dinte se agjenti Smith dhe gjithë të tjerët do t’i lëshoheshin në qafë me krejt fuqinë e tyre dhe se kishte shumë gjasa që ajo të mos mbijetonte pas kësaj, por gjithsesi ishte më e vendosur se kurrë.

E nxori pushkën nga valixhja e zezë dhe me kujdes e montoi pjesë pas pjese, derisa në fund i ngjiti këmbët metalike, heshtuesin e zërit dhe dylbinë. E mori në duar sikur të zbatonte një rit të veçantë e të kahershëm, sipas një kodi të posaçëm komunikimi mes saj dhe armës. E vendosi pushkën te një kthinë e vogël në qoshe të dritares, që shërbente si mburojë natyrore dhe nuk mund të shihej nga jashtë. Linda u pozicionua në një kënd 45 gradë, me qëllim që trupi i saj dhe pushka të mos dukeshin nga jashtë dhe njëherësh të ishte e mbrojtur nga muri anësor. E mbështeti kondakun te supi dhe filloi të ushtrohej duke marrë frymë sa më rrallë dhe sa më lehtë. Duhej të kontrollonte edhe lëvizjen më të vogël të trupit, çka mund të ndryshonte saktësinë e pozicionit të pushkës, ndaj dhe Linda tashmë ishte bërë njësh me të.
Nëpërmjet dylbisë ndoqi lëvizjen e një barke të vogël që lundronte drejt jahtit. Një burrë me kapelë sportive po e drejtonte qetësisht drejt jahtit dhe dukej se do të vendoste kontakt me të. Edhe pse nuk mund t’ia shihte fytyrën, Linda gati mbeti pa frymë. Që prej së largu dalloi se burri kishte tiparet e Bekimit dhe kjo e shqetësoi.

12.

Kurrë ndonjëherë, në asnjë rrethanë dhe në asnjë situatë, Agroni nuk kishte lejuar ta kapte paniku dhe ky ishte një nga elementet e suksesit të tij. Edhe pse agjentët i ishin vënë pas dhe me siguri që ishin të gatshëm ta vrisnin në vend, kjo nuk e shqetësoi fare, madje ia kthjelloi më tepër mendjen. Ankoroi barkën e marrë më qira dhe u largua nga porti pa u vënë re nga askush. U sigurua edhe një herë se nuk po e ndiqnin, pastaj shkoi në banesë. U zhvesh menjëherë, veshi një kostum zhytësish dhe mbi të veshi rroba sportive. Pa humbur kohë, mori një çantë që e kishte bërë gati që më parë dhe pas pak u ndodh në rrugë. Mori një taksi dhe u nis për në Valdanos, ku qysh në mëngjes e kishte lënë të takohej me dikë.

Valdanosi shtrihet katër kilometra në perëndim të kalasë së Ulqinit dhe është i njohur për rreth 18 000 pemë të moçme ulliri dhe një plazh të bukur me gurë, me gjatësi rreth 300 metra. Agroni e zgjodhi qëllimisht atë vend, ngaqë ajo pjesë e bregdetit ishte më pak e frekuentuar dhe përdorej kryesisht nga zhytësit. Në breg e priste një barkë që e drejtonte një peshkatar malazez, i cili kishte njëfarë ngjashmërie në tipare me Agronin. Sipas marrëveshjes paraprake, peshkatari kishte marrë në barkë të gjitha pajisjet e zhytjes. Agroni hipi në barkë, ndërsa peshkatari ndezi motorët dhe u nis në drejtim të portit të vjetër të qytetit. Gjatë lundrimit, Agroni hoqi rrobat sportive dhe kontrolloi pajisjet e zhytjes. Pastaj i tha peshkatarit të ndalonte dhe menjëherë u hodh në det. Ishte zhytës i zoti ndaj dhe u zhduk menjëherë në thellësi, ndërkohë që peshkatari malazez e drejtoi varkën për nga porti, drejt jahtit “Elizabeta”.

13.

Linda pothuajse nuk merrte frymë fare. Ishte tepër e përqendruar, por edhe në ankth. Nuk arriti t’ia dallonte fytyrën njeriut në barkë, por ndërkaq e kuptoi se edhe agjentët që rrinin fshehur ishin alarmuar. Me sa dukej, nëpërmjet pajisjeve komunikuese që secili i kishte në vesh, po dëgjonin urdhrat që jepte agjenti Smith. Linda nuk e hiqte syrin prej dylbisë dhe herë e drejtonte nga njeriu në barkë e herë nga agjentët, që ndërkaq u vunë në lëvizje.

Barka iu afrua “Elizabetës” dhe njeriu i veshur në të zeza, i cili vazhdonte të ishte me shpinë nga ajo, nisi të bisedonte me dikë nga ekuipazhi. Linda arriti të kuptonte se diçka nuk po shkonte mirë mes tyre, sepse njeriu me të zeza po bënte gjeste që shprehnin pakënaqësi e këmbëngulje. Dhe ndërsa u përqendrua edhe më shumë me gishtin në këmbëzën e pushkës, ndodhi ajo që nuk e priste as ajo e as agjenti Smith: dhjetëra automjete të policisë malazeze, me alarme të ndezura, u nisën drejt portit të vjetër dhe në det u shfaqën anije të shpejta të policisë kufitare. Të gjitha po shkonin drejt jahtit “Elizabeta” dhe barkës së vogël. Papritur, bashkë më jahtin dhe barkën, ishin futur në rrethim edhe njerëzit e Smithit. Sapo u dëgjuan sirenat, burri në barkë u përpoq të largohej me të shpejtë, por një anije policie iu afrua barkës dhe e urdhëroi të ndalonte. Pa bërë fjalë, njeriu me të zeza iu bind urdhrit të policëve, u çua më këmbë, hoqi kapelën dhe ngriti duart lart. Linda ishte bërë gati të hapte zjarr, por në atë çast arriti t’ia shihte fytyrën njeriut në barkë. Nuk ishte Bekimi.

14.

Agroni doli mbi ujë vetëm pak metra larg “Elizabetës” dhe arriti ta shihte mjaft mirë aventurën e peshkatarit malazez, që ai e kishte futur në një telash të madh. Agroni i kishte thënë atij se ishte zhytës profesionist, që kishte ardhur në Ulqin me jahtin “Elizabeta” dhe kishte i kishte kërkuar ta çonte në vendet më të përshtatshme për zhytje. Si pjesë e planit për atë ditë, i kërkoi që, pasi ai të zhytej, peshkatari të shkonte dhe ta priste te jahti “Elizabeta”, ku do të merreshin vesh për zhytje të tjera. Peshkatari ishte bindur ndërkaq se Agroni ishte turist, ngaqë anglishtja e tij, finesa, mënyra e sjelljes apo dhe mënyra si fliste për sportin e zhytjes ishin të gjitha të përkryera. Si profesionist i dorës së parë, ai arrinte të sugjestiononte këdo e jo më të mos ia mbushte mendjen një peshkatari të varfër, që i interesonte vetëm të fitonte ndonjë markë gjermane. Pagesa ishte e mirë dhe peshkatari nuk kishte bërë fare pyetje, sepse ishte mësuar me turistë të ndryshëm, që madje bënin edhe gjëra të kota. Ai s’kishte si ta dinte për lojën dhe telashin ku e kishte futur Agroni, prandaj, kur e rrethuan gjithë ata njerëz të armatosur, u tmerrua me të vërtetë.

Pjesa e parë e planit të Agronit ishte realizuar me sukses dhe të gjithë kishin rënë në kurthin e tij. Ai tanimë arriti të dallonte agjentët amerikanë, por mbi të gjitha ishte i gëzuar se ishin zbuluar edhe agjentët jugosllavë, për të cilët gjatë gjithë kohës ishte i bindur se duhej të ishin diku afër. Në port ishte një rrëmujë e vërtetë, ndërsa agjentët jugosllavë dhe ata amerikanë po shkëmbenin fjalë me njëri-tjetrin. Rrëmuja ishte një rast i përkryer për të kaluar në fazën tjetër të planit që kishte hartuar. Priti derisa policët arrestuan peshkatarin dhe e morën në njërën nga anijet e tyre të policisë, pastaj nxori një aparat të vogël, që e kishte fshehur në trup. Aparati në fjalë ishte punuar në mënyrë speciale për t’i rezistuar ujit dhe në të vërtetë ishte mekanizëm për aktivizimin e eksplozivit nga largësia. Çanta e vogël, që Agroni e kishte marrë në banesë dhe më pas e kishte lënë në barkë, ishte e mbushur me eksploziv plastik. Shtypi një buton në mekanizëm dhe pas pak ndodhi një shpërthim i madh dhe barka u bë copë e çikë. Shpërthimi qe aq i fuqishëm sa u rrezikuan edhe anijet e policisë. Agroni, pa u shqetësuar fare, shikonte copat e barkës që fluturonin gjithandej dhe pastaj u zhyt përsëri.

15.

Shpërthimi qe i tmerrshëm. Linda e ndoqi me dylbi gjithë skenën e ngjarjes dhe iu duk se copat e varkës po shkonin drejt saj. Ajo që ndodhi qe e papritur, por Linda nuk e dha veten, ngaqë instinktet e saj prej luftëtareje ishin mësuar me skena të tilla. Menjëherë pas shpërthimit, filloi të këqyrte gjithë sipërfaqen e detit me dylbi dhe në të qindtën e sekondës arriti të shihte një zhytës që u zhduk në thellësi të detit. E përqendroi gjithë vëmendjen te zhytësi, ngaqë ishte e sigurt se pikërisht ai e kishte shkaktuar shpërthimin. Me shumë kujdes e imtësi vazhdonte të kontrollonte çdo pëllëmbë të sipërfaqes së detit përreth jahtit dhe po priste që zhytësi të dilte përsëri në sipërfaqe. Nuk u gabua. Zhytësi u shfaq vetëm gjysmë metri larg jahtit. Përveç saj, askush tjetër nuk e kishte vënë re, sepse të gjithë ishin drejtuar në panik drejt barkës që shpërtheu.

“Plan i hatashëm!” tha me vete ajo, por duke iu drejtuar zhytësit. “Por megjithatë, mua nuk më mashtron dot!”

Kryqi i shënjestrës në dylbinë e pushkës shënjoi drejt e në kokën e zhytësit, i cili, qetësisht e me shumë kujdes, iu afrua jahtit. Kur preku jahtin, burri hoqi maskën e zhytjes, por në atë çast Linda u shtang. Zhytësi ishte Bekimi. Dhe nuk kishte më kurrfarë dyshimi se ai ishte komandant Agroni.

16.

Agroni e dinte se duhej të vepronte shpejt dhe pa humbur kohë, kështu që menjëherë u kap dhe u ngjit në jaht. Prania e tij e papritur në bord e trembi ekuipazhin dhe njëri prej tyre menjëherë drejtoi revolen për të qëlluar. Agroni u shtang në vend dhe nuk bëri asnjë lëvizje. Mendja i thoshte se ndoshta ata po e merrnin për polic. Por mbase edhe ata ishin agjentë të fshehur. Nuk kishte kohë për shpjegime nga asnjëra palë, ndërsa burri që i drejtoi armën e kishte gishtin në këmbëz dhe mund ta shkrepte në çdo çast. Agroni ngriti duart lart dhe me bisht të syrit arriti të dallonte shenjat identifikuese në qafën e njërit prej anëtarëve të ekuipazhit. Ai po përpiqej të ndizte motorët, por ata, si për dreq, nuk po i bindeshin. Në përpjekje e sipër, iu zbulua një pjesë e gjoksit dhe Agroni vuri re shenjat identifikuese të një agjencie të huaj zbulimi. Këta nuk ishin anëtarë të ekuipazhit të “Elizabetës”, por agjentë të CIA-s, të cilët po prisnin që ai të ngjitej në jaht. Nuk e kishte parashikuar këtë mundësi dhe e kishin futur në kurth. Për një çast mendoi të rrezikonte dhe të përpiqej të hidhej në det, por nuk ishte i sigurt se mund t’ia dilte mbanë. Për një manovër të tillë i duheshin tri ose katër sekonda, ndërsa agjentit i duhej një sekondë e vetme që të shtinte mbi të. Mendoi se i kishte ardhur fundi, por ndodhi diçka krejt e papritur dhe gjithçka ndryshoi në çast. Agjenti që e mbante në shënjestër u shemb në vend dhe pas tij u shemb edhe agjenti që përpiqej të ndizte motorët.

“Snajper”, mendoi Agroni dhe, ndonëse snajperi ia shpëtoi jetën, nuk rrezikoi të humbte kohë e të shihte se kush mund të ishte shpëtimtari i tij, por u hodh menjëherë në det dhe u zhduk në thellësi. Notonte me të shpejtë, që të largohej sa më shumë nga ai vend.