~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i katërmbëdhjetë

1.

PO AJO MBRËMJE, DIKU NË PRISHTINË

Oficeri dhe Naimi u futën në Prishtinë natën vonë. Që të dy ishin veshur me rroba civile dhe së bashku me dy njerëzit më besnikë kishin udhëtuar me një Reno 21 me targa të Prishtinës. Para tyre ishin nisur rreth 20 ushtarë, që të gjithë me rroba civile dhe të ndarë në grupe me nga dy vetë, që të siguronin rrugën. Herë pas here kishin ndaluar dhe kishin ndërruar drejtim, sepse ushtarët që ishin nisur më parë i kishin lajmëruar për patrulla dhe pika kontrolli të forcave serbe. Për fat të mirë, brenda në qytet nuk kishin pasur probleme dhe kishin arritur pa ndonjë mundim në shtëpinë që shërbente si bazë sekrete për operacionet që organizonte Naimi.

– Patëm frikë se nuk do të arrinit, – tha Zeneli, një djalosh afër të tridhjetave, i pashëm dhe me trup mjaft të zhvilluar. -Ngaqë u vonuat, isha në merak se mos ju ndaluan gjëkund. -Vazhdonte të fliste ndërsa u printe nëpër oborrin e shtëpisë, por Naimi nuk e kishte fare mendjen tek ai.

– A ka ardhur njeri tjetër ndërkohë? – e pyeti pastaj Naimi me zë autoritar.

– Po! Dy ushtarët që kishin me vete letrën tuaj, janë këtu! Mbërritën që para dy netësh dhe, ashtu siç keni urdhëruar, i kam vendosur në një hapësirë të veçantë dhe askush, veç meje, nuk ka kontaktuar me ta.

– Mirë! Kjo është mirë! – tha Naimi, ndërsa vëzhgonte me kujdes përreth.

2.

Agroni dhe Linda dolën nga hoteli pa rënë në sy. Pritën derisa ra errësira dhe, pasi gjetën një vend të sigurt, Agroni nxori telefonin satelitor dhe thirri Naimin.

Naimi nuk ishte nisur ende për në Prishtinë, por nuk u shqetësua kur Agroni i tha se dyshonte që serbët mund të ishin në dijeni të lëvizjeve të tyre. Përkundrazi, ishte edhe më shumë i vendosur që të takoheshin në Prishtinë. Dhe nëse ishte e vërtetë që serbët mund të kishin dijeni për lëvizjet e bombës, atëherë kjo ishte një arsye më shumë që ta mbronin atë. Naimi i tha se për çdo rast do të merrte pesëfish më shumë ushtarë me vete dhe se duhej të takoheshin fiks në orën një pas mesnate. Pastaj i dha Agronit koordinatat e shtëpisë ku do të takoheshin.
Agroni pati përshtypjen se Naimi nuk e mori seriozisht merakun e tij, ndërsa ai vetë ishte i bindur se të gjithë po shkonin drejt një kurthi të sigurt. Sido që të ishte, ai vetë nuk mund të tërhiqej tani. Por edhe nëse Naimi po shkonte drejt e në gojë të ujkut, atëherë Agroni donte të ishte aty dhe të luftonte përkrah tij, qoftë edhe sikur kjo të ishte gjëja e fundit që duhej të bënte në jetë.

Pas bisedës me Naimin, Agroni dhe Linda e kaluan kohën duke luajtur rolin e një çifti të huaj të lumtur dhe pak para mesnate u shkrinë me errësirën. Me shumë kujdes, nga një distancë e sigurt, po vrojtonin shtëpinë ku do të takoheshin me Naimin. Agroni u lehtësua kur pa se Naimi, bashkë me Oficerin, mbërritën ashtu siç ishte parashikuar. Po ashtu, pa edhe ushtarët që erdhën në grupe prej dy vetash. Kjo e bëri të ndihej më i sigurt, ngaqë mendoi se Naimi mund të kishte në mendje një plan rezervë, po të ndodhte që operacioni të rrezikohej. Edhe pse ora ishte gati një pas mesnate, Agroni ende nuk po lëvizte drejt shtëpisë, sepse, për siguri, donte ta vrojtonte sa më mirë mjedisin përreth.
Gjithçka ishte tepër e qetë dhe nuk shiheshin as patrullat e zakonshme të policisë serbe, që gjatë natës qarkullonin nëpër lagjet e Prishtinës. Kishte diçka në atë natë që atij i kujtonte Lëndinën e Thanave dhe ndihej në ankth. Diçka nuk shkonte në atë qetësi të rrejshme nate.

3.

E NJËJTA KOHË, BRENDA NË SHTËPI

Sapo u shfaq Naimi, dy ushtarët që gjatë gjithë kohës kishin transportuar bombën, u ngritën menjëherë për ta përshëndetur ushtarakisht.
– Keni bërë një punë të madhe! – tha Naimi pasi ua ktheu përshëndetjen. – Vepra juaj do të shënohet me shkronja të arta në histori. Me sakrificat tuaja dhe me ndihmën e Zotit do t’i japim fund kësaj lufte që na e imponuan të tjerët.

– Është në nderin tonë t’i shërbejmë atdheut dhe të jemi nën komandën tuaj, – thanë pothuajse njëzëri dy luftëtarët.

– E keni këtu? – pyeti Naimi duke aluduar për bombën.

– Po, – pohoi njëri prej tyre dhe nga dollapi i vetëm që ishte në dhomë nxori çantën ku ndodhej bomba.

– Është në të njëjtën gjendje si herën e fundit kur e keni parë. Rrugës nuk kemi pasur probleme, ndonëse disa herë na është dashur të kalojmë nëpër territore të pasigurta. Sipas udhëzimeve tuaja, nuk kemi kontaktuar me askënd, përveçse me Zenelin. Por edhe atë e kemi takuar vetëm gjatë kohës që na sillte për të ngrënë.

– I tillë është ai, i disiplinuar. Kur dëshiron të jetë! – pëshpëriti Naimi duke buzëqeshur dhe preku çantën. – Shumë shpejt, gjithçka do të marrë fund dhe fitorja do të jetë e jona. Tani duhet të presim sa të vijë Agroni.

– Agroni?! – pyeti i entuziazmuar ushtari.

– Po! Komandant Agroni! Atij do t’i besohet ky mision. Në çdo çast pritet të mbërrijë këtu dhe ju do të jeni ndër të paktët që e kanë takuar ndonjëherë.

4.

I ftuar nga shefi i sigurimit serb, agjenti Smith ndodhej në një automjet të madh të ushtrisë serbe, që shërbente si qendër lëvizëse komanduese dhe ku po koordinohej lëvizja e forcave speciale. Shefi i sigurimit kishte ndaluar çdo aktivitet të forcave të rregullta në zonë, kështu që nuk shihej as edhe një patrullë e vetme policie.

Për këtë operacion ishte angazhuar njësia JSO, për të cilën agjenti e dinte se ishte njësi elite e forcave serbe, e cila vepronte jashtë strukturës së rregullt të policisë dhe ushtrisë dhe ishte nën komandën e drejtpërdrejtë të shefit të sigurimit serb. Njësia përbëhej kryesisht nga elementë kriminalë, që më pas i nënshtroheshin një trajnimi të rreptë, të ngjashëm me atë të “US Rangers”, çka i bënte ata me të vërtetë një lloj hibridi të frikshëm.

– Edhe pak dhe do të fillojmë sulmin. Së pari, duhet të sigurohemi që terroristët janë mbledhur në vendtakimin e tyre dhe më pas gjithçka do të marrë fund shumë shpejt, – tha shefi i sigurimit serb, pasi mori raportin nga njëri prej vartësve të tij.

5.

Pas shumë hamendjeve, Agroni më në fund vendosi të lëvizte dhe fiks në orën një pas mesnate u fut në shtëpinë ku do të takoheshin.

– A e pate vështirë të na gjeje? – e pyeti Naimi me buzën në gaz.

– Përforco rojet dhe urdhëro që të hapin sytë si kurrë më parë! – i tha ftohtë Agroni. Naimit i ngriu buzëqeshja.

– Çfarë ka ndodhur? Pe njeri? – e pyeti Naimi.

-Jo, nuk kam parë askënd. Por po bëhen dy orë që këndej nuk kalon as edhe një patrullë e armikut, as edhe një frymë njeriu. Më duket sikur i shoh të fshehur diku në errësirë.

– Mos u shqetëso! Askush nuk e di këtë bazë, – u mundua ta qetësonte Naimi.

– Kurrë mos thuaj më se askush nuk e di! Askush nuk e dinte se kush isha unë, por prapë ndodhi ajo që ndodhi te Lëndina e Thanave, – e ngriti zërin Agroni.

Asnjë tjetër nuk ndërhyri kur po flisnin ata të dy. I vetmi që reagoi ishte Oficeri, i cili dha urdhër që të gjithë luftëtarët të fillonin përgatitjet për një sulm të mundshëm. Luftëtarët, që në fillim ishin rrëmbyer prej emocioneve nga ideja se më në fund do të takonin njeriun-legjendë, pa bërë fjalë u shpërndanë e zunë pozicionet.

– Duhet të jemi gati për çdo rast, – tha Oficeri dhe Naimi u pajtua me të duke pohuar me kokë.

– Më sillni bombën! – urdhëroi Agroni. Dhe pasi i njëjti urdhër u përsërit edhe nga Naimi, dy ushtarët i dhanë çantën dhe Agroni menjëherë nisi ta kontrollonte.

Në fillim e hapi me kujdes dhe pastaj i bëri një kontroll të imtë për gjithçka. Gjatë kohës që po merrej me të, të gjithë heshtën.

6.

JASHTË BAZËS, PO NË TË NJËJTËN KOHË

Pasi vrojtuesit raportuan se Agroni dhe Linda u futën në shtëpinë që po mbahej nën vëzhgim, pjesëtarët njësisë JSO filluan lëvizjen në drejtim të saj. Të gjithë ishin veshur me të zeza dhe e vetmja gjë me ngjyrë në trupat e tyre ishte shenja e njësisë në krahun e majtë të secilit: një ujk i përhimët, vendosur në një sfond të kaltër. Para se njësia të fillonte sulmin, shefi i sigurimit serb urdhëroi që të ndërpritej rryma elektrike në tërë lagjen. Në çastin kur ikën dritat dhe e gjithë lagjja ra në errësirë të plotë, siluetat e zeza filluan të lëvizin shpejt dhe pa u ndjerë. Snajperët, si të ishin fantazma, zunë menjëherë pozicionet në lartësi, prej nga do të mbulonin me zjarr sulmuesit. Gjithçka po shkonte sipas planit. Pas pak do të fillonte sulmi dhe e gjithë lagjja do të zgjohej e trembur si pas një ëndrre të keqe.

7.

NË BAZË, E NJËJTA KOHË

Në çastin që u fikën dritat, Agroni e kuptoi tashmë atë që po ndodhte. E vetmja gjë që kishte në dorë ishte ruajtja e gjakftohtësisë.

– Linda, shpejt elektrikun!

Dhe në çast ajo nxori nga çanta një elektrik dore dhe ia zgjati Agronit. Ai ndërkaq nuk po merrej me vetë bombën, por nisi të kërkonte për diçka që, nëse arrinte ta gjente, mund t’ua shpëtonte jetën të gjithëve.

– Komandant Naimi! – thirri Zeneli, që mezi mbushej me frymë. – Na kanë rrethuar! Në çdo çast mund të hyjnë brenda!

– Si është e mundur? Si e morën vesh që jemi këtu? Dikush na ka tradhtuar! – tha Naimi dhe nxitoi drejt Agronit, që po merrej me bombën.

– Prit! Askush nuk na ka tradhtuar! – ndërhyri Agroni, i cili ende vazhdonte të kërkonte.

– Kësaj pune i vjen era tradhti, se përndryshe kurrë nuk mund ta dinin se jemi këtu, – tha Naimi në kulmin e zemërimit.

– Të thashë: askush nuk na ka tradhtuar. Gjatë gjithë kohës, ata e kanë ditur se ku është bomba! – ia ktheu Agroni, ndërkohë që në dorë kishte një qark të vogël elektronik.

– Çfarë është ajo? – e pyeti Naimi.

– Armët e tilla si kjo, gjithnjë kanë të integruar një modul, që tregon në çdo kohë vendndodhjen e saj. Ky është një modul GLONASS, version rus i sistemit GPS. Kjo do të thotë se, gjatë gjithë kohës, rusët e kanë ditur vendndodhjen e bombës, – tha Agroni.

– Pra, po thua se rusët ua kanë dhënë informacionin serbëve? – ndërhyri Oficeri.

– Sigurisht. Ose u kanë dhënë kodin e frekuencës unike, me të cilin punon moduli, – saktësoi Agroni. – Sidoqoftë, tani duhet të mendojmë sesi të dalim nga kjo situatë.

Pas këtyre fjalëve, Agroni nxori revolverin dhe nisi të dilte në oborr, por Zeneli i doli përpara.

– Komandant! – iu drejtua ai. – Ju jeni aq shumë i vlefshëm, sa nuk mund t’ju lejoj të dilni jashtë!

– Çfarë thua? – iu drejtua Agroni.

– Po them atë që duhet të them! Unë dhe ushtarët e mi do të rrimë këtu, kurse ju dhe komandant Naimi do të largoheni përmes një tuneli që e kemi hapur enkas për këtë qëllim.

– Atëherë do të vini edhe ju, – tha Agroni, kur e kuptoi atë që po i thoshte Zeneli.

– Jo, komandant, – e kundërshtoi Zeneli. – Sepse atëherë ata do ta gjejnë kalimin. Ne do të rrimë këtu, në mënyrë që ju të fitoni kohë, – tha me vendosmëri, pa marrë parasysh se edhe mund të vritej.

Agroni i njihte mjaft mirë luftëtarët si Zeneli, ngaqë ishte edhe vetë njëri prej tyre, dhe e dinte se ata ishin gati të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, por nuk mund të lejonte në asnjë mënyrë që të sakrifikonin jetën.

– Ku janë tani ata? – e pyeti Agroni ai duke menduar për forcat speciale serbe.

– Janë fare afër dhe në çdo çast mund të sulmojnë. Po të mos kishit kërkuar që të përforconim rojet, me siguri që do të na zinin në befasi.
– Pak rëndësi ka tani kjo, – tha Agroni, ndërsa po mendonte për mënyrën sesi të dilnin të gjithë gjallë prej aty. Pastaj iu drejtua Naimit: – Do të minojmë gjithë katin përdhes dhe kur ata të hyjnë, do të qëllojmë mbi ta sa për t’i çoroditur e për t’i vonuar, pastaj të gjithë do të futemi në tunel…-…dhe më pas do të hedhim në ajër tërë shtëpinë, bashkë me forcat speciale serbe, – e vazhdoi fjalinë Naimi. Agroni pohoi me kokë dhe të dyve u shkëlqyen sytë.

– Sille të gjithë eksplozivin që keni, – e urdhëroi ndërkaq Zenelin.

– Por, komandant…

Zeneli deshi të thoshte diçka, por Naimi e ndërpreu:

– Nuk ka por…! Ky është urdhër! Nuk do ta lëmë as edhe një ushtar të vetëm këtu! – i tha Naimi me ton të prerë e pastaj ia vuri dorën në supe.

Zeneli nuk foli më dhe pohoi me kokë. – Atëherë, shko dhe mblidh gjithë të tjerët, – i tha Naimi dhe ai u largua.

Agroni, Naimi dhe Linda ndaluan te dera kryesore e shtëpisë, prej nga shihej oborri dhe porta përballë.

– Prej këtu mund ta rrëzoj përtokë këdo që do të përpiqet të afrohet, – tha Agroni dhe tregoi me dorë hapësirën e sheshtë që kishte përpara. – Linda, ti do të zësh pozicion afër meje dhe do të qëllosh ashtu siç di vetë.

Linda pohoi me kokë dhe menjëherë u fut brenda të merrte armën.

8.

JASHTË BAZËS, E NJËJTA KOHË

Forcat speciale të njësisë JSO iu afruan shtëpisë pa hasur në ndonjë rezistencë. E kishin rrethuar nga të gjitha anët, por i vetmi vend nga mund të hynin ishte porta. Mendonin ta nisnin sulmin befasisht, të shpërthenin portën për të tërhequr vëmendjen e të rrethuarve, pastaj disa prej pjesëtarëve të njësisë do të kapërcenin muret dhe të futeshin nga drejtime të tjera përreth shtëpisë. Të gjithë ishin gati dhe në atë çast, nëpërmjet radios, komandanti i njësisë dha urdhër që të gjithë të vendosnin maskat kundër gazit.

9.

BRENDA NË BAZË, PAK MINUTA MË PAS

Ushtarët u mblodhën menjëherë dhe filluan të vendosnin eksplozivët në të gjithë katin përdhes. Linda kishte marrë karabinën, ndërsa Agroni një automatik AK-47 dhe ndërkohë llogariste largësinë deri te porta, ku do të hynin specialët serbë.

Bombën e kishte futur në një çantë shpine, që e kishte shtrënguar fort pas krahëve, çka nuk e pengonte fare për t’u përqendruar. Po përpiqej t’i mësoheshin sytë me dritën e dobët që lëshonte llamba në oborr dhe të fiksonte shënjestrën e automatikut. Edhe Linda, që ishte afër tij, po bënte të njëjtën gjë me armën e saj.

– Gjithçka është gati, – tha Zeneli, pasi njerëzit e tij vendosën eksplozivët. – Tani vetëm duhet shtypur butoni.

– Mirë, mbaje me kujdes aparatin për aktivizimin e eksplozivëve dhe zini pozicionet për mbrojtje! – i tha Agroni, pa e hequr vështrimin nga porta. Ai dhe Linda kishin zënë një pozicion që vështirë se mund të dallohej nga snajperët, që me siguri duhej të ishin vendosur diku përballë.

Për disa sekonda, nuk lëvizi asgjë. Gjithçka kishte rënë në një qetësi të frikshme. Por heshtja u thye nga një shpërthim i fuqishëm dhe më pas oborri u mbulua menjëherë me gaz lotsjellës. Pas pak u hap porta dhe të parët kaluan dy ushtarë të forcave speciale serbe, të pajisur me maska kundërgazi në fytyrë.

Agroni e dinte se duhej të reagonte para se gazi t’ia bënte të pamundur shikimin. E tëra nuk zgjati as dy-tri sekonda dhe kur dy specialët e parë hapën rrugë që pas tyre të hynin të tjerët, atëherë Agroni qëlloi i pari. Dy herë nga dy plumba, ashtu siç e kishin mësuar në akademi. Të dy njerëzit me të zeza u palosën përtokë. Linda shtiu menjëherë kundër të tjerëve që vazhdonin të hynin. Pas saj filluan të qëllonin edhe ushtarët e tjerë që kishin zënë pozicione përreth shtëpisë.

– Mos ndaloni! Përpara! – thirri komandanti i njësisë serbe, por vala e parë e sulmit ishte thyer dhe specialët ishin ngulur në vend e nuk mund të lëviznin, sepse nga porta e deri te vendi ku kishte zënë pozicion Agroni, ishte një brez i papërballueshëm zjarri.

Agroni e dinte se serbët ndërkaq do të rigrupoheshin, do të shikonin mundësinë e sigurimit të terrenit dhe do të përpiqeshin të hynin nga pika të tjera, kështu që ai dhe të tjerët do të kishin aq kohë sa të largoheshin.

– Tani mund të shkojmë, – tha Agroni dhe të gjithë, njëri pas tjetrit, zbritën në bodrum. Para se të zbriste, Agroni lëshoi përtokë modulin GLONASS dhe më pas vazhdoi me të tjerët. Pas pak u gjetën në një tunel të ngushtë, nëpër të cilin printe me elektrik dore njëri nga ushtarët e Zenelit.

10.

NË OBORRIN E SHTËPISË, PAK SEKONDA MË PAS

Brenda pak minutash, specialët e JSO-së u rigrupuan sërish dhe vazhduan sulmin. Arritën të depërtonin nga shumë drejtime përreth shtëpisë, por, për çudinë e tyre, nuk hasën më në asnjë lloj rezistence. Me hapa të kujdesshëm, duke mbuluar njëri-tjetrin, arritën të futeshin në katin përdhes të shtëpisë. Përsëri askush!

11.

NË TUNEL, E NJËJTA KOHË

– E kemi ndërtuar që para dy vjetësh, – po i shpjegonte Zeneli Agronit për tunelin. – Nuk është më i gjatë se 200 metra dhe daljen e ka në bodrumin e një shtëpie të sigurt, prej ku mund të shkojmë ku të dëshirojmë.

– Aq më tepër nëse ata mendojnë se edhe ne kemi mbetur nën gërmadha, – tha Agroni dhe ndaloi. – Tani ma jep telekomandën! – iu drejtua Zenelit dhe sapo e mori, shtypi butonin.

Menjëherë u dëgjuan disa shpërthime të njëpasnjëshme. Toka u drodh aq shumë, sa edhe ata u mbështetën me shpinë pas mureve të tunelit.
– Tani mund të vazhdojmë, – tha Agroni i qetë dhe ia ktheu aparatin Zenelit.

Pas pak, të gjithë iu afruan daljes së tunelit. Dhe në fund, në bodrumin e një shtëpie.