~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i gjashtë

1.

NJË DITË MË VONË – NË HELIKOPTER, RRUGËS PËR NË PRISHTINË

Agjenti Smith i kishte analizuar me kujdes fotografitë që ishin bërë në portin e Ulqinit. Për aq kohë sa zgjati aksioni, një ekip i specializuar kishte fotografuar në mënyrë të pandërprerë gjithçka që ndodhi aty. Ishin rreth tridhjetë fotografi ku shihej zhytësi, i cili u shfaq në bordin e “Elizabetës”, por në asnjërën prej tyre nuk dallohej mirë fytyra. Për këtë shkak, menjëherë pas aksionit, ai i kishte dërguar fotografitë në Lengli dhe atje, ekspertët arritën ta zmadhonin dhe ta pastronin aq shumë pamjen, saqë tani agjenti kishte në duar diçka që mund të ishte fotografia e parë e Agronit misterioz. Përkundër faktit se ata të dy ishin rivalë, agjenti Smith papritmas ndjeu simpati për Agronin. Taktika e tij në portin e Ulqinit ishte pothuajse gjeniale dhe agjenti, me shumë dëshirë, do të donte ta kishte një njeri të tillë në stafin e tij. Agjenti ishte i mendimit se dikush si Agroni s’do të kishte asnjë vështirësi që ta gjente veten si pjesëtar i ekipit të tij, sepse stili, metodat dhe gjakftohtësia e tij, tregonin se Agroni nuk ishte aspak amator. Ai kishte tiparet e një ushtaraku mjaft të disiplinuar dhe në mënyrën e e punës kishte diçka të njohur për agjentin Smith, sepse vepronte sikur të ishte një nga profesionistët e shkëlqyer të shkollës amerikane të luftës.
“Përherë ka qenë kështu. I kemi trajnuar të gjithë, por më vonë ata kanë luftuar kundër nesh”, mendoi agjenti Smith duke pasur parasysh madje edhe terroristët e njohur si Bin Ladeni i Al Qaeda-s apo Abu Yousuf nga brigadat Al Aqsa, që dyshohej se në fillim ishin trajnuar nga vetë shërbimet dhe ushtria amerikane. Edhe pse mendonte kështu, diçka nga përvoja e tij i thoshte se Agronin nuk mund ta fuste në një kategori me terroristët. I kishte analizuar me kujdes aksionet e tij dhe në asnjë rast të vetëm nuk kishte gjetur dëshmi që ai të kishte vrarë civilë. Çdo herë aksionet e tij kishin qenë kundër formacioneve ushtarake, çka tregonte që në luftën e vet zbatonte një lloj etike. Një njeri i tillë nuk mund të ishte terrorist dhe kjo e shqetësonte më shumë agjentin Smith, sepse dikush si Agroni s’kishte si ta zhdukte një qytet të tërë nga harta.

Që kur kishte mbërritur në Prishtinë, agjenti Smith kishte arritur ta kuptonte tashmë arsyen përse shqiptarët kishin filluar kryengritjen. Një popull i tërë detyrohej të jetonte si rrogëtar i një pakice të vogël që ishte mësuar të kishte të gjitha privilegjet e botës. Ndonëse edhe vetë ishte pak idealist – dhe kjo pjesë e shpirtit të tij e kuptonte Agronin dhe motivin e tij për luftë agjenti Smith mbi të gjitha ishte profesionist dhe i duhej të përmbushte misionin që i ngarkohej. Misioni i tij në këtë rast ishte gjetja e bombës dhe, po të ishte nevoja, për këtë edhe mund ta eliminonte Agronin. Nuk i pëlqente aspak ajo që do të duhej të bënte, por pas asaj që ndodhi në Ulqin, ishte i bindur se nuk kishte zgjidhje tjetër.

2.

ULQIN

Para se të kthehej në Kosovë, Naimi kishte urdhëruar dy nga ushtarët e tij, Agimin dhe Zanën, të cilët ishin ulqinakë, por që në ilegalitet i ishin bashkuar luftës në Kosovë dhe ishin kujdesur për Agronin gjatë kohës që ai kishte qenë i plagosur, që të qëndronin prapë në Ulqin dhe të ndihmonin Agronin. Naimi e dinte se ai do të refuzonte çdo lloj ndihme, sepse asnjëherë nuk bashkëpunonte me njerëz që nuk i njihte mirë. Për këtë arsye, Naimi nuk kishte provuar t’ia propozonte ndihmën e tyre, por vetëm i kishte thënë se, po të kishte nevojë për ndonjë lloj ndihme logjistike apo çfarëdo tjetër, mund t’u drejtohej Agimit dhe Zanës. Para se të largohej, Agroni ia kishte bërë të qartë Naimit se nuk dëshironte që ata të dy t’i afroheshin, por meqë situata kishte ndryshuar kryekëput, tani kishte nevojë për ta. Jo se i nevojitej ndonjë ndihmë konkrete, por i duheshin informacione të sakta për atë që kishte ndodhur.

Shtëpia ku duhej të ishin bashkëpunëtorët e Naimit ndodhej pranë plazhit të madh, në një vend jashtë kompleksit hotelier dhe ishte pak e veçuar prej të tjerave. Agroni nuk ishte i sigurt se mund t’i gjente aty, për më tepër që ia kishte refuzuar Naimit ndihmën e tyre. Mënyra sesi ishin zhvilluar ngjarjet nuk e linte të besonte se Naimi kishte qëllime të sinqerta, si dhe nuk lejonte që dikush ta mashtronte, kushdo që të ishte ai.

Agroni nuk mbante zemëratë, sepse nuk e kishte në natyrë. Ishte gjakftohtë dhe shumë i qetë, madje edhe në kulmin e tensionit më të madh. Në pamje të parë dukej i butë, po ndërkaq, kur ia donte puna, mund t’ia merrte shpirtin kundërshtarit në të qindtën e sekondës, madje këtë mund ta bënte në njëqind e një mënyra të ndryshme. Por ai kurrë nuk hidhej në veprim pa qenë tërësisht i sigurt nuk kishte zgjidhje tjetër.
Ndërkohë po mendonte që hëpërhë të bisedonte me Agimin dhe Zanën dhe vendosi që, po të lindte nevoja, edhe do t’i detyronte të flisnin. E dinte që ata të dy mund të mos kishin fare faj, por me këtë donte t’i tregonte Naimit se nuk mund të luante me të. Dhe nëse do ta vazhdonte misionin dhe do të ishte ai që do ta përfundonte luftën me një goditje të vetme, atëherë ngjarje si ajo në portin e Ulqinit nuk duhej të përsëriteshin më.

3.

SHTABI I POLICISË SERBE, PRISHTINË

Agjenti Smith po priste të takohej me shefin e Shtabit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prishtinë. Takimi do të mbahej në zyrën e shefit, që ndodhej në ndërtesën kryesore të policisë serbe në qendër të qytetit. Takimi ishte caktuar sapo agjenti Smith kishte marrë urdhrin që të kthehej në Prishtinë dhe me të arritur në aeroport, ishte nisur për në ndërtesën qendrore të policisë. Njeriu me të cilin do të takohej ishte gjeneralmajor Sreten Lukiçi, i cili ishte emëruar në këtë detyrë nga vetë presidenti Millosheviç në maj të vitit 1998, si një nga kuadrot më të besueshme të tij. Agjenti e kishte lexuar dosjen e gjeneral Lukiçit dhe nuk ndihej aspak mirë që do t’i duhej të shtrëngonte duart me një njeri të tillë. Ende nuk kishin kaluar dy muaj që kur gjeneral Lukiçi kishte marrë detyrën dhe tashmë gjaku kishte filluar të derdhej kudo.
Sreten Lukiçi kishte lindur në vitin 1955 në Vishegrad të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ishte vëllai i kriminelit të luftës, Milan Lukiçit, i cili ishte përgjegjës për shumë krime të rënda gjatë konfliktit në Bosnjë, ndaj dhe Gjykata e Hagës ishte duke i përgatitur aktakuzën. Sapo e emëroi në detyrën e shefit të shtabit në Kosovë, presidenti Millosheviç ishte kujdesur që gjeneral Lukiçi të kishte sa më shumë kompetenca. Kështu, de facto ai u bë komandant i të gjitha forcave të policisë serbe në Kosovë, si dhe ishte nyja lidhëse mes operacioneve të policisë në terren dhe vendimmarrjes strategjike në Beograd. Më e keqja ishte se Lukiçi kishte zyrtarizuar pjesëmarrjen e njësive jo të rregullta që vepronin si njësi paraushtarake. Nën komandën e tij të drejtpërdrejtë ishin njësitë Munja (Rrufeja) dhe njësitë Frenkijovci, të udhëhequra nga Frenki Simatoviç, i ashtuquajtur Frenki. Pjesëtarët e Munja-s ishin veshur me uniforma të policisë speciale dhe në anën e majtë kishin shenjën e rrufesë, ndërsa Frenkijovci-t kishin uniforma kamuflazhi dhe në kokë mbanin kapela kaubojsh.

Sa më shumë që lexonte në dosje, aq më shumë neveri ndiente agjenti Smith për gjeneral Lukiçin. Më poshtë të dhënat tregonin se Munja udhëhiqej nga Nebojsha Muniç, një kriminel ordiner, i cili luftonte në Kosovë vetëm që t’i shpëtonte burgut. Ai vepronte nën urdhrat e drejtpërdrejta të major Jova Popoviçit, komandant i policisë në Pejë, ndërsa vetë ky i fundit vepronte nën urdhrat e gjeneral Lukiçit. Frenkijovci-t ishin ushtri e vërtetë mercenarësh, me rreth 1500 vetë, ku secili prej tyre paguhej me 8 000 dollarë në muaj. Se prej nga vinin gjithë ato para, CIA ende nuk kishte arritur ta kuptonte. Që të dyja këto njësi vepronin në Rrafshin e Dukagjinit dhe ishin përgjegjëse për shumë krime, por ishte e sigurt se krimet e tyre në fshatin Lybeniq, më 25 maj 1998, ishin kryer me dijeninë e gjeneral Lukiçit.

Duke lexuar për Lukiçin, agjenti Smith po kuptonte edhe arsyen përse vendimmarrësit në Uashington interesoheshin pothuajse për çdo gjë që ndodhte në Kosovë. Ata kishin informata të bollshme dhe të hollësishme për zhvillimet e atjeshme dhe e dinin se çdo ditë e më tepër situata mund të rrëshqiste drejt përsëritjes së skenarëve të njohur, si në Kroaci apo Bosnjë. Amerika nuk mund të lejonte që e tërë kjo të përsëritej edhe një herë por, para se të vepronte, kishte nevojë për informata të sakta. Agjenti po ashtu e dinte se, fatkeqësisht, në fillim duhej të ndodhte diçka shumë e rëndë, në mënyrë që opinioni në ShBA ta kuptonte arsyen pse duhej ndërhyrë në Kosovë. Përkundër shpërthimit të kryengritjes, Serbia kishte arritur ta mbante luftën të izoluar vetëm në disa rajone të Kosovës, të cilat i mbyllte hermetikisht dhe ku popullata terrorizohej, ndërsa në rajonet e tjera lejonte që jeta të vazhdonte normalisht. Ky ishte një veprim sa i çuditshëm po aq edhe djallëzor, por ishte vetëm çështje kohe, përpara se gjithçka të shkonte në djall. Agjenti Smith nuk ishte politikan, megjithatë e kuptonte se po luhej një lojë e ndyrë. Këtë po mendonte, kur në zyrë hyri gjeneral Lukiçi. Ai ishte i veshur me uniformë zyrtare ngjyrë të kaltër, që përkundër pompozitetit, nuk mund ta fshihte faktin se ishte një burrë trashaluq me fytyrë rrumbullake. Sytë i kishte të ftohtë dhe gropat e tyre të nxira. Pasi hyri në zyrë, buzëqeshi pa ndonjë lloj emocion dhe i zgjati dorën agjentit Smith, ndërsa ky i fundit ia ktheu ftohtë përshëndetjen.

4.

ULQIN

Agroni nuk ia linte rastësisë as edhe një situatë të vetme. Fillimisht kishte marrë një pushkë snajper nga arsenali që kishte lënë Naimi dhe i kishte kërkuar Lindës të pozicionohej 50 metra larg shtëpisë, në mënyrë që prej aty të ndërhynte në shenjën e parë të rrezikut. Pushka ishte e tipit M91 e prodhimit jugosllav dhe nuk ishte nga më të parapëlqyerat e Lindës, por nuk kishin shumë zgjidhje, kështu që duhej të vepronin me ato mundësi që kishin. Për fat, Agroni kishte edhe heshtues zëri, çka i ndihmonte për të mos lënë gjurmë. Linda u fsheh mirë në vendin përballë dhe prej aty e shihte Agronin që po i afrohej shtëpisë. Ishte gati për gjithçka dhe për çdo situatë. Ideja se do të luftonte përkrah njeriut që dashuronte ia shtonte më shumë vendosmërinë dhe tani ishte më syçelë se asnjëherë më parë.

Agroni vepronte gjithnjë duke pasur parasysh thënien se djalli fshihej te hollësitë dhe për këtë çdoherë tregohej i vëmendshëm ndaj çdo detaji. Ndërsa hidhte hapat drejt shtëpisë, po binte errësira dhe Agroni filloi të hetonte gjithë mjedisin përreth, madje deri dhe hollësitë më të vogla. Ai kishte aftësinë që vetëm me një shikim t’i kapte dhe t’i regjistronte të gjitha detajet dhe të analizonte me gjakftohtësi se ç’mund të fshihej prapa asaj që shihte. Kjo aftësi ia kishte shpëtuar jetën disa herë. Kështu ndodhi edhe kësaj here: arriti ta nuhaste rrezikun, ndonëse ishte maskuar fort mirë.

Në shkallën e parë, në qoshe, i padukshëm për syrin e zakontë, ishte një duq cigareje. Ky detaj menjëherë ia tërhoqi vëmendjen Agronit dhe u përkul ta vërente me kujdes. Duqi duhej të ishte hedhur jo më shumë se dhjetë minuta më parë dhe kjo e alarmoi. Në shtëpi nuk kishte drita të ndezura dhe në pamje të parë të krijohej përshtypja se aty nuk kishte njeri. Por Agroni nuk kishte dyshim se dikush, pak më parë, kishte pirë cigaren dhe ishte i sigurt se ai nuk ishte larguar prej aty. Një alarm i brendshëm instinktiv e paralajmëroi për rrezikun dhe atëherë, me kujdes, u kthye me fytyrë nga Linda, që ai e dinte se po e shihte përmes dylbisë së pushkës.

5.

Kur pa se Agroni u kthye me fytyrë nga ajo, Linda e kuptoi menjëherë se diçka nuk ishte në rregull. E përqendroi gjithë vëmendjen tek ai dhe e kuptoi se donte t’i përcillte asaj një mesazh. Ai ngriti dorën e majtë paralel me supet dhe shtrëngoi grushtin.

“Kujdes!”

Linda e kuptoi domethënien e sinjalit. Agroni po e njoftonte se kishte hasur në gjurmë të dyshimta.

Pas kësaj, me dorën e majtë, ai preku syrin.

“Shikomë!”

Ajo e kuptoi edhe sinjalin e dytë. Agroni e paralajmëronte që të ishte shumë e vëmendshme.

Agroni priti pak dhe me gishtin e madh dhe atë tregues të dorës së majtë kapi zogthin e krahut të djathtë.

“Armiku afër!”

Linda e lexoi sinjalin e tretë dhe e kuptoi se Agroni kishte diktuar praninë e një force armiqësore.

Ndërkaq Agroni ngriti dorën e majtë dhe e bëri një kalim mbi kokë, pastaj, me gishtin tregues të dorës së djathtë bëri një shenjë në formën e çelësit.

“Mbulomë… dera!”

Linda tani e kuptoi se ai po i kërkonte të përqendrohej te dera, sepse rreziku mund të vinte prej aty.

Linda mori frymë thellë. Pas disa sekondash ishte e tëra e përqendruar dhe priste sinjalin e parë që të mbillte vdekjen.

6.

PRISHTINË

Që prej fillimit të viteve nëntëdhjetë, ndërtesa e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ishte transformuar në zyrë ekzekutive të Presidencës së shtetit paralel në Kosovë. Aty mbaheshin të gjitha mbledhjet e rëndësishme, si ato partiake të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ashtu dhe ato shtetërore; prej aty realizohej komunikimi me publikun, si dhe priteshin shumica e mysafirëve të huaj. Ndërtesa ishte e vogël, kishte vetëm një kat dhe ishte ndërtuar pa shije. Kishte mbetur si relikte nga koha e socializmit vetëqeverisës, por ndërkaq ishte shndërruar në qendrën e zhvillimeve politike të rezistencës paqësore. Atë ditë ishte e premte dhe ndërtesa e vogël gumëzhinte nga gazetarët që kishin ardhur për të ndjekur komunikimin e përjavshëm të Presidentit me medien. Zhurmërima para ndërtesës së Shoqatës së Shkrimtarëve tërhoqi vëmendjen e agjentit Smith, i cili po e ndiqte skenën nga dritaret e ndërtesës së policisë.

“Çfarë ironie!” mendoi ai dhe bëri çudi sesi nuk e kishte vënë re që më parë se shtabi kryesor i policisë serbe gjendej mu përballë ndërtesës së Shoqatës së Shkrimtarëve. Vetëm treqind metra largësi i ndanin policët serbë me institucionin kryesor të Republikës së vetëshpallur, ndërkohë që policët luftonin përditë dhe bënin çmos që të mos e lejonin kurrë jetësimin e Republikës.

– Nuk besoj se ndonjëherë do të arrij ta kuptoj këtë pjesë të botës!

Agjenti Smith i tha këto fjalë me zë të lartë dhe tërhoqi

vëmendjen e gjeneral Lukiçit, me të cilin sapo e kishte përfunduar takimin zyrtar.

– Me sa shoh, ju tërhoqi vëmendjen takimi që po zhvillohet aty.

– Tani e kuptova sesa afër qenkeni. Ata praktikisht janë në anën tjetër të rrugës. Një bashkekzistencë e çuditshme! – komentoi agjenti Smith.
– Shteti ynë është me të vërtetë demokratik dhe kjo që po shihni me sytë tuaj tregon qartë se ne kemi probleme vetëm me terroristët që sulmojnë forcat dhe popullin tonë dhe jo me njerëzit paqedashës. Unë në çdo çast mund të shkoj aty dhe ta arrestoj secilin prej tyre, por e di që nuk do të fitoja gjë me këtë veprim. Njerëzit kanë të drejtë t’i shprehin mendimet e tyre dhe ne nuk kemi punë me ta deri në çastin kur nuk na ngacmojnë. Me lejo të të shpjegoj diçka… – Gjeneral Lukiçi vazhdoi të fliste e të mburrte sistemin kinse demokratik të shtetit serb. Agjenti Smith e kuptoi se kishte bërë gabim që kishte folur, sepse kjo i kishte dhënë një arsye gjeneralit që të mos e ndalte më retorikën.

7.

Agroni duhej të bënte sikur nuk kishte vënë re asgjë. Duke u munduar të linte përshtypjen e njeriut të shkujdesur, iu afrua derës dhe trokiti disa herë.

Asgië.

Trokiti edhe një herë.

Përsëri asgjë.

Kapi dorëzën e derës dhe u bë gati ta lëvizte, por në çast e ndali dorën. Ngaqë e dinte se mund të futej drejt e në kurth, shqisat e tij u bënë skajshmërisht të ndjeshme. Veshi i kapi një zhurmë të mbytur brenda shtëpisë. Dëgjoi disa hapa të lehta që po afroheshin drejt tij, por nuk ishin hapat e dikujt që vinte të hapte derën. Më tepër ishin çapitjet e dikujt që donte ta fshihte praninë e tij në shtëpi. Pas kësaj, Agroni dëgjoi zhurmën karakteristike, një klik të revoles, kur ajo mbushet dhe plumbi futet në fole. Edhe pse kliku qe pothuajse i padëgjueshëm, Agronit ia kapi veshi dhe e kuptoi se dikush nga brenda po përgatitej të shtinte mbi të. E vetmja gjë që mund të bënte atë çast ishte që të ruante gjakftohtësinë dhe të vazhdonte të sillej sikur s’kishte vënë re asgjë. U largua nga dera dhe nisi të kthehej, por sapo arriti te shkalla e parë, dera po hapej ngadalë. Agroni ktheu pak kokën dhe me bisht të syrit pa një figurë burri që kishte drejtuar revolen nga ai.
– Lindaaaaaaa!!! – bërtiti ai dhe me gjithë fuqinë u hodh përtokë. Në rënie e sipër, kapi revolen e vet dhe u bë gati ta përdorte, por në të vërtetë të gjitha shpresat i kishte te Linda. Sado i shpejtë dhe i shkathtë që mund të ishte, Agroni e dinte se kishte pak gjasa ta qëllonte i pari sulmuesin.

Mbi kokë dëgjoi fishkëllimën e plumbave që fluturuan dhe një trup të rëndë që u shemb përtokë. Agroni vazhdoi të rrokullisej dhe më pas, porsi mace e egër, u ngrit më këmbë me revolen në dorë. Ishte gati të qëllonte, por rreziku ishte mënjanuar. Afër derës gjeti trupin e pajetë të një burri në të tridhjetat. Plumbi e kishte kapur në kokë dhe në gjoks dhe me siguri që kishte vdekur në çast. I gjori as që e kishte marrë vesh se nga i erdhi goditja. Sepse Linda ishte mjeshtre dhe nuk gabonte.

Agroni iu afrua kufomës dhe pa se ai ishte i panjohur për të. Po kush ishte ky njeri që deshi ta vriste dhe pse? Ndërkohë Linda erdhi me vrap.
– A je mirë? – e pyeti ajo.

– Unë po, por ky jo, – ia ktheu Agroni dhe tregoi kufomën.

– A ka të tjerë? – pyeti Linda.

Agroni nuk iu përgjigj dhe me revolen gati u fut brenda. Linda u nis pas tij duke i mbrojtur krahët. Hynë me kujdes në shtëpi. Në korridor dhe në kuzhinë nuk kishte asgjë, por në dhomën kryesore ishin trupat e pajetë të Agimit dhe Zanës.

8.

Agjenti Smith i kishte dhënë gjeneral Lukiçit fotografinë e Agronit dhe i kërkoi që ta publikonte kudo që të ishte e mundur. Smithi ishte i vendosur që t’ia vështirësonte çdo lëvizje Agronit, ndonëse ishte i vetëdijshëm se ai ishte mjeshtër i maskimit. Agjenti supozonte se publikimi i fotografisë do ta rriste trysninë ndaj Agronit, çka mund të ndikonte që ai të bënte ndonjë gabim. Dhe kjo do ta ndihmonte që t’ia shtrëngonte lakun dhe të kuptonte pastaj se ç’po ndodhte në të vërtetë më bombën. Po ashtu, Smithi donte që të shihte edhe mënyrën e reagimit të palës serbe, ngaqë mendonte se diçka nuk ishte në rregull edhe me ta. Megjithëse ekzistonte rreziku se një bombë atomike ishte në rrugë e sipër për të mbërritur në Beograd, pala serbe ishte shumë e qetë dhe përpos rastit në Ulqin, nuk tregonte ndonjë lloj agresiviteti. Agjenti nuk e besonte shpjegimin se kjo ndodhte për shkak se qeveria serbe dëshironte të bashkëpunonte tërësisht me amerikanët. Ai dyshonte se kishte diçka më tepër në këtë mes dhe se me kohë serbët do t’i tregonin qëllimet e tyre të vërteta.

Dyshimet e tij për sinqeritetin e palës serbe u shtuan edhe më shumë kur dorëzoi fotografinë e Agronit, sepse reagimi i gjeneral Lukiçit iu duk më se i çuditshëm. Me të parë foton, gjenerali në fillim lëpiu buzët dhe pastaj largua për pesëmbëdhjetë minuta për konsultime me shefin e vet në Beograd. Kur u kthye, pa ndonjë emocion të veçantë, vetëm e falënderoi agjentin për informatën dhe e siguroi edhe një herë zyrtarisht për bashkëpunimin e gjithanshëm në të ardhmen. Kjo ishte e habitshme. Ai u kishte dhënë pa kurrfarë kompensimi informatën më të vlefshme për personin më të kërkuar e që ata e cilësonin si kryeterrorist, por vetëm sa e falënderuan fare thjesht. Smithi ishte i sigurt se nuk bëhej fjalë thjesht për arrogancë dhe mendjemadhësi të tepruar. Përkundrazi, ishte i bindur se në këtë mes kishte diçka më shumë dhe se serbët dinin edhe më tepër se ç’shtireshin.

“Nëse është kështu, atëherë jam në një telash edhe më të madh”, mendoi agjenti. Kur ishte nisur për në Ballkan, e kishte ditur se nuk do ta kishte të lehtë, por nuk e kishte menduar se loja e intrigave dhe mashtrimeve mund të shkonte deri në këto përmasa.

9.

ULQIN, TË NESËRMEN

Agroni u ngrit herët. Linda ende flinte dhe ishte mbështjellë e tëra me çarçaf. Natën e kishin kaluar në hotelin “Lido”, ngaqë Agroni besonte se do të ishte vendi më i sigurt dhe askush nuk priste që ata të fshiheshin aty. Ishin larguar menjëherë nga shtëpia ku rrinin Agimi dhe Zana. Agroni nuk mund ta dinte se kush i kishte vrarë ata dy dhe në të njëjtën kohë ishte detyruar të largohej pa u kujdesur për kufomat e tyre. Pavarësisht lojërave që luheshin në prapaskenë, ata i kishte pasur bashkëluftëtarë dhe si të tillë meritonin një varrim si duhet. Agroni nuk kishte mundur ta bënte këtë sepse rrezikonte të zbulohej, por në të njëjtën kohë Agimi dhe Zana ishin vendas dhe Agroni ishte i bindur se dikush do të kujdesej për ta.

“Asgjë më s’ka kuptim”, mendoi Agroni. “Kush i vrau ata të dy dhe pse? Pse deshi të më vriste edhe mua? Apo unë qëllova rastësisht aty?”
Agroni hamendësonte nëse duhej ta fajësonte Naimin për këtë apo jo. Vetëm Naimi dinte për angazhimin e tij dhe atyre të dyve. Mos ndoshta ai luante me të gjithë dhe tash i fshinte gjurmët pas vetes? Apo ndoshta dikush më lart, një fuqi eprore, donte t’i shkatërronte të gjithë ata që kishin të bënin me bombën?

Me këto mendime në kokë, iu afrua shtratit dhe e puthi Lindën lehtë në faqe, pastaj, me shumë kujdes, ia lëmoi flokët.

Linda, e përgjumur, buzëqeshi dhe u kthye në krahun tjetër. Ajo flinte aq këndshëm dhe Agroni mendoi sesa mirë do të ishte sikur çdo mëngjes i jetës së tij të ishte i tillë.

Ndërsa u vesh dhe deshi të dilte jashtë, para derës së dhomës pa gazetën ditore “Pobjeda” të Podgoricës, që stafi i hotelit e kishte shpërndarë falas për të gjithë mysafirët. Fotografia e madhe në faqen e parë i tërhoqi vëmendjen. Ishte fotografia e tij, që shoqërohej me titullin e madh: “U ZBULUA IDENTITETI I KRYETERRORISTIT”. Fotografia nuk ishte fort e dallueshme, por një sy i stërvitur mund ta identifikonte.
Agroni u kthye në dhomë me të shpejtë dhe u drejtua nga Linda.

– Linda, zgjohu shpejt! – i tha ai dhe e shkundi fort.

– Pse? Çfarë ke? Më lër të fle edhe pak!

Agroni ia mblodhi rrobat me të shpejtë dhe ia hodhi fytyrës.

– Shpejt! – e ngriti zërin. – Kur them shpejt, kjo do të thotë se duhet të vishesh shpejt! Në çdo çast mund të vijë policia!

– Policia! Pse? – Linda në çast hapi sytë dhe u kthjellua. U hodh nga shtrati dhe filloi të vishej menjëherë.

– S’ka kohë për shpjegime, – i tha Agroni dhe futi revolen në brez.

10.

Agroni dhe Linda po zbrisnin shkallët, por në hollin e hotelit panë dy policë. Agroni shtrëngoi dorëzën e revoles. Edhe Linda bëri të njëjtën gjë me Beretën e vet. Agroni filloi të mendonte me gjakftohtësi sesi duhej të vepronin. Po të vazhdonin të zbrisnin shkallët, me siguri që policët do t’i vinin re dhe puna do të shkonte deri te përleshja e armatosur. Këtë nuk e dëshironte, por dukej se nuk do të kishte rrugë tjetër. Ndërkaq mund të rrethoheshin nga forca të mëdha policore, nëse kuptohej që ai ishte personi i fotografisë në gazetë. Diçka duhej bërë, po çfarë? Agroni ia bëri me kokë Lindës, për t’i lënë të kuptonte se do të vazhdonin të zbrisnin dhe nëse dikush do të përpiqej t’i ndalonte, të mos hezitonte. Agroni nuk priti që ajo t’i jepte shenjë se pajtohej me mendimin e tij, ngaqë e dinte se Linda nuk dorëzohej lehtë e as nuk frikësohej nga ndonjë shkëmbim i papritur zjarri. U nis i pari dhe menjëherë ajo iu mbështet pas trupit. Dorën e djathtë e kishte vënë te qafa e tij, kurse të majtën e kishte në mes të trupit të saj dhe të tijit, që të mos i dukej Bereta. Po ecnin me idenë se ndoshta po përballeshin me vetë vdekjen. Kaluan nëpër sallë, ndërsa policët menjëherë u kthyen dhe ecën drejt tyre.

Linda shtrëngoi dorëzën e Beretës dhe mund t’i qëllonte të dy në çast, por e ndaloi shtrëngimi i Agronit.

– Ruaje gjakftohtësinë, – i tha, ndërsa policët po afroheshin dhe u gjendën ballë për ballë me ta.

– Na falni për shqetësimin, por dikush mbrëmë ka lajmëruar për tentativë vjedhjeje në parking. A keni dëgjuar apo keni vënë re ndonjë gjë? – tha me shumë mirësjellje polici i parë.

– Vjedhje? – ia ktheu Agroni. Pra, nuk kishin ardhur për të dhe, siç shihej, as që i kishin shfletuar gazetat. Madje dukeshin të lodhur dhe sikur mezi prisnin ndërresën e mëngjesit që t’i zëvendësonte. Agroni vuri buzën në gaz dhe shtrëngoi Lindën. – Jo, zotëri, ne sapo jemi martuar dhe mbrëmë ishte nata jonë e parë. Do ta kishim të vështirë t’i vinim re hajdutët edhe sikur të kishin kaluar nëpër dhomën tonë. Me gjithë qejf do t’ju ndihmonim, por me të vërtetë që nuk dimë gjë.

Polici u kënaq me këtë përgjigje e aq më tepër kur Linda ia nguli sytë që, siç i thoshte Agroni ndonjëherë, ishin në gjendje të magjepsnin edhe të vdekurin.

– Më vjen keq për shqetësimin dhe shpresoj të na mbani mend për mirë, – tha polici, pastaj përshëndeti dhe u larguan bashkë me kolegun tjetër.

Agroni dhe Linda dolën qetësisht nga hoteli.

11.

Tanimë nuk mund të rrinin bashkë. Jo se nuk dëshironin, por Agroni mendonte se mund ta rrezikonte Lindën. Për këtë arsye, i kërkoi që secili të merrnin rrugë të ndryshme për në Kosovë.

– Do të takohemi atje. Mos më kërko, por pusho dhe kujdesu për veten, – i tha Agroni.

– Po si do ta gjejmë njëri-tjetrin?

– Pa merak. Do të të gjej unë, – i tha Agroni dhe e puthi me shumë dashuri.

Linda e dinte se nuk duhej ta pyeste sesi do të kthehej në Kosovë. Agroni kishte mënyrat dhe rrugët e veta, kështu që ajo nuk kishte pse të merakosej. Lidhja e tyre ishte e tillë që secili e respektonte individualitetin e tjetrit. Kështu kishte qenë edhe më parë, atëherë kur ajo nuk e dinte se kush ishte Agroni në të vërtetë.

U ndanë pa kurrfarë teprimesh sentimentale.

Agroni ndërkaq do të ishte vetëm dhe do ta kishte më të lehtë.

Dhe kur ta gjente Naimin, do të bënte një bisedë të gjatë me të. Atij do t’i duhej të shpjegonte shumëçka.