~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i dymbëdhjetë

1.

ZYRA AMERIKANE NË PRISHTINË, TRI DITË MË PAS

Pas dështimit në Prizren, agjenti Smith ishte kthyer në Prishtinë. Të gjitha përpjekjet e tij kishin shkuar dëm për shkak të implikimit të agjentëve të sigurimit serb, të cilët, në vend që të bashkëpunonin, kishin ndjekur linjën e tyre të veprimit. Zakonisht Smithi shquhej për gjakftohtësi, por kësaj here nuk kishte mundur ta fshihte tërbimin. Ndërkaq, kolonel Zekavica i kishte thënë që të mos harronte se ndodhej në një vend të huaj dhe se duhej t’u nënshtrohej ligjeve të atij vendi. Koloneli ishte shumë i prerë, madje i kishte sugjeruar që, po të donte, për çështjen në fjalë mund të ankohej edhe më lart, por Smithi e dinte se kjo nuk ia vlente. Serbët e kishin përdorur si vegël në përpjekjet e tyre për të kapur Agronin. Dhe vetë agjenti Smith ua kishte nxjerrë në shteg. Por Agroni kishte dalë nga kurthi mjeshtërisht dhe u kishte shpëtuar nga dora. Në njëfarë mënyre, Smithit i vinte mirë që ndodhi ashtu, sepse serbët u treguan të pabesë. Atij i interesonte vetëm bomba dhe jo që të ndihmonte serbët në luftën e tyre. Pas asaj që ndodhi në Prizren, nuk kishte më asnjë mëdyshje: për serbët kishte më shumë përparësi kapja e Agronit se zbulimi i vendndodhjes së bombës.

“Çfarë kaqoli u tregova!” po thoshte me vete, ndërsa ishte ulur në kolltukun e zyrës dhe këmbët i kishte shtrirë mbi tryezë. “Harrova se në këtë Ballkanin e mallkuar nuk mund t’i besosh askujt. Që të gjithë zgërdhihen, servilosen, mundohen të hiqen si të mirë e bashkëpunues, por prapa shpine të hapin gropën”.

Smithi vazhdonte të arsyetonte se operacioni në Ulqin kishte qenë plotësisht një diversion i përkryer, ndërsa mënyrën sesi u zhvillua ngjarja në Prizren nuk arrinte ta zbërthente dot dhe kishte përshtypjen se Agroni ishte përfshirë në të pa pasur ndonjë plan të veçantë. Personi që kishte arrestuar policia serbe në kopshtin e shkollës në Prizren kishte pohuar se kishte marrë pesëqind marka gjermane nga një njeri i panjohur vetëm që të paraqitej aty i veshur me pantallona të zeza dhe me këmishë apo bluzë të bardhë. Nuk e kishte idenë se në ç’lloj komploti ishte përfshirë pa dashur dhe i duhej të bënte burg pa e ditur pse.

Smithi mendonte se, në rrethana të tjera, Agroni do ta kishte rrezikuar veten me vetëdije të plotë kur bëhej fjalë për të krijuar diversione të njëpasnjëshme, në mënyrë që të tërhiqte vëmendjen drejt vetes dhe kështu bomba të transportohej pa rënë në sy nga njëri vend në tjetrin. Por në asnjë mënyrë nuk do ta rrezikonte Lindën apo dikë tjetër si ai djali i ri, Enesi. Kjo linte vend për të dyshuar se edhe Agronin po e shfrytëzonte dikush tjetër, që tinëzisht tërhiqte fijet në prapaskenë.

Smithi pati parandjenjën se, po të vazhdonte kështu, situata do t’i dilte nga dora. Pothuajse kishte një muaj në Kosovë, por ende nuk kishte arritur të merrte vesh asgjë rreth misterit që po e mbulonte bombën, çka paralajmëronte pikërisht atë që ai nuk donte ta pranonte kurrë: dështimin.

2.
DIKU NË KOSOVË, NJË DITË MË PAS

Në një shtëpi private, që ishte braktisur nga banorët në fillim të luftimeve, Naimi kishte improvizuar një zyrë modeste. Në të kishte vënë dy kolltukë të dalë mode dhe një tryezë të madhe, mbi të cilën ishte vendosur harta e Kosovës, ndërsa në anë të saj ishte flamuri kombëtar. Në mur ishte edhe një portret i Skënderbeut, që Naimi e mbante jo vetëm në shenjë nderimi për Heroin Kombëtar, por më tepër për shkak se e vlerësonte atë si modelin e strategut për çdo ushtarak.

“Vetëm një gjeni i artit ushtarak mund ta udhëheqë një forcë të vogël kundër një force shumë më të madhe në numër dhe të pajisur me të gjitha mjetet luftarake të kohës”, thoshte Naimi. Dhe asnjëherë nuk harronte të shtonte se lufta e tanishme në shumëçka ngjante me atë të Skënderbeut, sepse edhe ata ishin vetëm një grusht njerëzish që luftonin kundër ushtrisë më të madhe dhe më të përgatitur në tërë rajonin. Kolegët e tij shpeshherë debatonin me të dhe i thoshin sesi model lufte e rezistence mund të merreshin edhe taktikat e komandantit Çe Gevara, të Spartakut në kohëra antike, të Garibaldit apo edhe të ndonjë tjetri. Por Naimi ishte i vendosur në qëndrimin e tij dhe këmbëngulte se i vetmi model për të, ishte ai i Skënderbeut. Pra, një forcë e vogël guerile, që me kohën rritet dhe shndërrohet në një ushtri të organizuar dhe të manovrueshme për të neutralizuar epërsinë taktike të armikut.

Këtë po mendonte edhe atë çast, ndërsa pyeste veten se çfarë do të bënte heroi i tij sikur të kishte në dorë një armë aq të fuqishme sa bomba që e kishte siguruar vetë Naimi. Mendimet ia ndërpreu Oficeri, që e vuri re që ishte zhytur në të thella:

– Si thua, ku mund të jenë tani?

– Kush? – e pyeti Naimi, që u shkund papritur.

– Agroni dhe Linda. Kemi humbur çdo gjurmë të tyre.

– Nuk e di! Ashtu siç e prisnim, ata e bënë atë çka duhej bërë në Prizren dhe më pas kanë ikur së bashku. Kjo ngjarje do të ndikojë shumë për t’i ngritur moralisht luftëtarët. Historia do të kalojë gojë më gojë dhe të gjithë do të marrin vesh se dy vetë përballuan gjithë atë rrëmujë dhe i shpëtuan kurthit të sa e sa policëve dhe agjentëve. Të kam thënë: ata dy janë një kombinim i hatashëm!

Naimi fliste me shumë pasion, por ndihej edhe krenar që plani i tij po shkonte ashtu siç e kishte menduar.
– Nuk dyshoj që Agroni tanimë e ka kuptuar lojën. Dhe nuk mund të jetë i lumtur që e kemi përdorur në këtë mënyrë.

Më duhet të pohoj që ende i qëndroj mendimit se duhet t’ua tregojmë të vërtetën dhe jo t’i shfrytëzojmë kështu siç kemi bërë.

– Ndoshta ke të drejtë, por nuk besoj se do të kishin qenë kaq të suksesshëm, nëse do ta kishin ditur qëllimin tonë. Kurrë mos harro se simulimi nuk është më i mirë dhe më i besueshëm se aksioni real. Që të dy janë ushtarakë të zotë. Ndërkaq Agroni është oficer shumë më i përgatitur se ne të dy dhe e di fort mirë se komandanti ndonjëherë nuk ka pse të japë shpjegime për çdo detaj të planit të tij.

– Ndoshta, mirëpo… – komentoi Oficeri duke ndezur një cigare. – Po nëse ai nuk gjykon kështu dhe na quan armiq? – vijoi më pas dhe e pa Naimin në sy.

– Edhe sikur të jetë kështu si e mendon ti, – ia ktheu Naimi, – hakmarrja është gjëja më e rëndësishme për të. Sapo ta shohë bombën, gjithçka do të kalojë në plan të dytë për të. E njoh mirë atë djalë. Është gjallë i ati. Qëllimi mbi të gjitha!

3.

PRIZREN, E NJËJTA KOHË

Agroni po rrinte shtrirë, kurse Linda po bënte dush. Për herë të parë pas aq kohësh, Agroni kishte ndezur një cigare dhe po e lëshonte tymin rrathë-rrathë. Ishin cigaret që kishte pasur Enesi në xhep. Psherëtiu dhe e kaloi dorën nëpër flokë. Nëpër mend i vinin pamjet para dhe pas vdekjes së Enesit dhe gjithë qenia e tij ndihej fajtore për vdekjen e djaloshit.

Agroni nuk deshi ta linte në duart e serbëve trupin e Enesit dhe as që të bëheshin eksperimente me të, prandaj vendosi ta varroste në vendin ku dha shpirt. Shtëpia ku ishin strehuar kishte një oborr me kopsht të madh. Dhe përderisa aty gjithçka e kishte mbuluar pluhuri, kuptohej që banorët e kishin braktisur prej kohësh. Agroni e kishte hapur varrin shpejt e shpejt poshtë një dardhe në oborr dhe aty e kishte varrosur Enesin. Gjithçka e kishte bërë me kujdes e në heshtje të plotë, që të mos e shihte askush.

Kthimi në apartamentin ku kishte bujtur një ditë më parë ishte me rrezik. Po ashtu, nuk guxonin të dilnin nga qyteti, sepse policia serbe tanimë i kishte bllokuar të gjitha daljet. Duke shfrytëzuar errësirën, kishin shkuar në apartamentin tjetër që Agroni e kishte marrë me qira dhe nuk kishin lëvizur më prej aty. Meqë e kishte parashikuar se mund të ndodhte ajo që ndodhi, Agroni kishte blerë edhe ushqime për disa ditë dhe i kishte çuar në apartamentin rezervë. Gjithashtu, kishte blerë edhe disa pajisje grimi, që mund t’i përdorte nëse përsëri do t’i duhej ta ndryshonte pamjen.

Kishte në plan të rrinin disa ditë aty, derisa të qetësohej situata. Serbët do ta ndërprisnin kërkimin brenda në qytet, të bindur se ata të dy tashmë do të ishin larguar drejt territoreve që nuk i kishin nën kontroll. Gjatë katër ditëve që qëndruan në atë apartament, me Lindën sillej si zakonisht, por asnjëherë nuk ia ndante sytë. Donte t’i sqaronte dyshimet që kishte për të, por ballafaqimin e kishte shtyrë nga dita në ditë. Agroni e thithi edhe një herë fort cigaren dhe vendosi se nuk mund ta shtynte më. Kishte ardhur çasti që gjërat të sqaroheshin njëherë e mirë. Donte të sigurohej se Linda nuk ishte në një linjë me Naimin dhe Oficerin. Për këta dy ishte i bindur tashmë se bashkëpunonin. Po Linda? Çfarë do të bënte po të vërtetohej nuk ishte e sinqertë me të?

4.

ZYRA AMERIKANE, E NJËJTA KOHË

Agjenti Smith i kishte kërkuar shefit të zyrës amerikane në Prishtinë që të ftonte në takim shefin e protokollit të liderit paqësor të shqiptarëve të Kosovës, sepse ky njeri dinte pothuajse gjithçka për të gjitha takimet dhe aktivitetet e liderit. Smith kishte vendosur të tregohej agresiv ngaqë kishte përshtypjen se edhe shefat në Lengli kishin filluar ta humbnin durimin me të. Ishte me rëndësi që takimi të zhvillohej në territorin e tij dhe nuk kishte në plan të tregohej fort i sjellshëm.

Shefi i protokollit, një burrë në të dyzetat, me mustaqe dhe paksa i shëndoshë, kishte qejf të dukej sikur luante rolin e personit të rëndësishëm dhe kjo u pa qysh në fillim të takimit. Me një anglishte të rrjedhshme, menjëherë nisi të fliste për nevojën e një përkufizimi të ri gjeostrategjik të interesave në rajon dhe gjëra të ngjashme për të cilat nuk e pyeti askush.

“Ky tipi vërtet beson se është zëvendësi i shefit të tij”, mendoi Smithi ndërsa dëgjonte monologun e shefit të protokollit dhe në të njëjtën kohë i kujtoheshin detaje nga dosja që kishte lexuar para takimit.

Në dosje ishin shënuar të gjitha karakteristikat e njeriut që kishte përballë, përfshirë dhe ambicien e tij që të kontrollonte çdo detaj të jetës së shefit të vet, si dhe dëshirën që të luante edhe rolin e këshilltarit politik. Kjo e fundit i kishte irrituar shumë zyrtarët e lartë të partisë së liderit, por kjo punë nuk i interesonte agjentit.

– Zotëri! – Smithi e ndërpreu me ton të ashpër fjalimin e të ftuarit të tij.

Shefit të protokollit iu pre fytyra, sepse nuk e kishte pritur një reagim të tillë. U bë heshtje për disa sekonda dhe vetëm atëherë kur Smithi u bind se e kishte tërhequr tërë vëmendjen e bashkëbiseduesit, vazhdoi fjalën e tij:

– Ajo që më intereson është që të më jepni një përgjigje të saktë se kush është ky njeri! Pastaj nxori nga çanta disa fotografi të bëra natën, ku shihej qartë Oficeri duke dalë nga selia e liderit paqësor.

Shefi i protokollit u përpoq të belbëzonte diçka, por agjenti e ndërpreu përsëri:

– Kam përshtypjen se duhet t’jua përsëris edhe një herë: nga sjellja juaj varet e ardhmja e marrëdhënieve tuaja me ShBA- të. Mjafton një raport negativ nga unë dhe ju siguroj se edhe Presidenti im do të tërbohet. – Pasi i tha këto fjalë, agjenti i nguli një shikim akull të ftohtë.
Sikur të ishte dikush tjetër, me siguri që do të tregonte shenja nervozizmi, por shefi i protokollit ua kishte marrë dorën këtyre gjërave.

– Ju siguroj se as unë dhe asnjë shqiptar tjetër nuk do të dëshironte që t’i përkeqësonte marrëdhëniet tona me Amerikën. Ne ju konsiderojmë aleatë…

Deshi ta vazhdonte fjalinë, por Smithi e ndërpreu:

– Aleatët nuk sillen kështu siç po bëni ju! Dua të di saktësisht se kush është njeriu që është takuar me shefin tuaj. Nëse nuk jeni në gjendje të më jepni përgjigje, atëherë nuk shoh ndonjë arsye ta vazhdojmë takimin…

– Ju ende nuk më keni dhënë rastin të përgjigjem! – ia ktheu shefi i protokollit.

Smithi e kuptoi se më në fund taktika e tij funksionoi dhe në çast ndryshoi sjellje.

– Po ju dëgjoj! – tha dhe ndoqi me vëmendje çdo fjalë të bashkëbiseduesit të tij.

5.

PRIZREN, E NJËJTA KOHË

Linda doli nga dushi. Trupin e kishte mbështjellë me një peshqir të madh dhe po thante flokët. Fytyra tregonte se ndihej e ngazëllyer. Gjatë atyre ditëve kishte qenë vetëm me Agronin. Dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme për të. Të shumtën e kohës e kishin kaluar në heshtje dhe të përqafuar me njëri-tjetrin. Heshtjen e Agronit ajo e kuptonte si shprehje të mërzisë së tij për vdekjen e Enesit, si dhe të inatit që kishte me Naimin. As që i shkonte ndër mend se Agroni mund të dyshonte edhe për të.

Kur e pa Agronin të ulur në shtrat me shpinën mbështetur pas murit, me revolen të lënë anash dhe që i kishte ngulur një shikim deri atëherë të panjohur, Linda e kuptoi se diçka nuk shkonte.

– Çfarë ke? – e pyeti ajo, pastaj iu afrua, iu ul në prehër dhe ia vuri duart në qafë.

Në përpjekje e sipër, peshqiri rrëshqiti dhe ia zbuloi trupin. Ishte i bukur pothuajse si trupi i perëndeshave antike dhe Agroni përherë zbulonte një detaj të ri të kësaj bukurie të tronditëse. Kështu kishte ndodhur përherë, por jo kësaj here! Ai, që asnjëherë nuk mund të rrinte indiferent përballë sensualitetit të saj, kësaj here nuk i lëvizi asnjë tejzë e fytyrës. Ishte i ftohtë, gati shpërfillës, aq sa Linda për një çast ndjeu frikë.
– Linda! – tha ai me zë të prerë dhe e largoi nga vetja. – Dua të më dëgjosh dhe të më dëgjosh mirë!
E ofenduar, Linda ngriti peshqirin dhe e shtrëngoi pas trupit, nuk tha asgjë, vetëm e shikoi drejt e në sy, sikur të donte t’i lutej për diçka, por pa e ditur as vetë se për çfarë.

– Ç’po ndodh me ty? – pëshpëriti ajo me zë të ulët.

As ai nuk e kishte të lehtë, por meqë e nisi, duhej ta çonte deri në fund dhe të sqaronte gjithçka. Në fund të fundit, nuk po kërkonte më sqarime për infiltrime të mundshme apo që mund ta kishin përdorur për aksionet në Ulqin apo Prizren, por thjesht për pozitën e tij si mashkull dhe si dashnor.

– Pse i je futur kësaj aventure me mua? – e pyeti ai.

– Ti e di pse! E kemi biseduar disa herë tashmë, – ia ktheu ajo aty për aty.

– Atë e di, por cilin takove bashkë me Oficerin, para se të vije në Prizren?

– E ke fjalën për atë ditë kur mora urdhrin që të vija në Prizren?

– Po! Me cilin u takove atë ditë?

– Me asnjëri përveç Oficerit. Para se të takohesha me të, ishte edhe një koleg i tiji, por vetëm sa u përshëndetëm. Pse pyet?

– Kush ishte ai tjetri? – vazhdoi Agroni me rrëmbim, ndonëse ishte i vetëdijshëm se ndjenjat që kishte për Lindën po e nxisnin të sillej si adoleshent.

– Nuk e di, – u përgjigj shumë e qetë Linda. – Nuk ia mësova emrin.

Agroni po e shikonte drejt e në sy. Linda po fliste me çiltërsi dhe Agroni nuk dalloi ndonjë shenjë rrengu apo intrige në fytyrën e saj.

– Gjithë këto pyetje dhe kjo sjellje e jotja më bëjnë të mendoj për diçka që as nuk dua ta imagjinoj. Mos ke ndonjë dyshim për mua? – iu drejtua papritmas Linda, fort e lënduar, çka e bëri Agronin të mendonte se ato fjalë po dilnin nga thellësitë e shpirtit të saj. Ai nuk dinte si të reagonte dhe gati instinktivisht, as vetë s’e mori vesh sesi, kapi revolen. Atëherë, në çast, Lindës iu mbushën sytë me lot.

Agroni e kuptoi që gaboi, se gjesti i tij u keqkuptua, por krenaria prej mashkulli nuk e lejoi të shpjegohej më tej. Linda lëvizi prej vendit, shkoi pak më tutje, e mblodhi pak veten dhe e pa drejt e në sy.

– Nëse dyshon se në ndonjë farë mënyre të kam tradhtuar, se nuk jam treguar e sinqertë me ty… – nisi t’i afrohej gjithnjë e më shumë Agronit, ia kapi dorën me të cilën ai mbante revolen dhe tytën e drejtoi te gjoksi i saj, -nëse dyshon edhe fare pak se nuk kam qenë e sinqertë me ty, atëherë jepi, mos e mundo veten më tepër. Më vrit, sepse tradhtia ka vetëm një çmim! As që dua të jetoj më, po qe se ti mendon diçka të tillë për mua, – tha Linda, ndërsa gjatë gjithë atyre çasteve lotët e hidhur të zemërimit i rridhnin nëpër faqe.

6.

ZYRA AMERIKANE NË PRISHTINË, PAK KOHË MË PAS

Shefi i protokollit ishte larguar pasi kishte treguar gjithçka për Oficerin. Sipas shefit të protokollit, ai ishte një ushtarak karriere në Armatën Popullore të Jugosllavisë, por që me fillimin e luftës në Kroaci, kishte dalë në anën e kroatëve. Pas vitit 1992, ishte angazhuar nga qeveria e Kosovës në mërgim që të krijonte bërthamën e një ushtrie të mundshme kryengritëse. Siç dukej, kjo nuk kishte funksionuar si duhej dhe Oficeri ishte i etur për aksione dhe jo për diskutime teorike. Për këtë arsye, ai me kohë ishte bashkuar me grupet guerile që ishin vetorganizuar dhe kishin formuar një strukturë luftarake, e cila mbështetej nga emigracioni kosovar dhe që funksiononte e pavarur nga strukturat e qeverisë në mërgim. Megjithatë, gjatë gjithë kohës Oficeri kishte shërbyer si një lloj ure lidhëse mes të dy krahëve, pikërisht për faktin se ai nuk tregonte ndonjë parapëlqim politik. Ai kishte pasur rast të takohej me liderin paqësor gjatë vizitave që ky kishte pasur në Perëndim, në Kroaci dhe Shqipëri dhe kështu kishin krijuar raporte vetjake respekti të ndërsjellë.

Sipas shefit të protokollit, sapo ishin njohur me shqetësimin për bombën dhe me qëllim që në sytë e amerikanëve të mos dukeshin tërësisht pa ndikim në ngjarjet në terren, njerëzit e rrethit të ngushtë të liderit i kishin propozuar atij që të kontaktonin me Oficerin. Dhe kështu, pa marrë parasysh rreziqet, Oficeri kishte pranuar dhe, nën masa të rrepta sigurie, kishte shkuar në Prishtinë.

Pjesa tjetër e kësaj historie ishte e njohur për agjentin Smith. Nga aq sa kishte dëgjuar, ai e kishte të qartë se askush nga njerëzit pranë liderit paqësor nuk mund të jepte ndonjë lloj sigurie se Oficeri do ta realizonte atë që kërkohej prej tij, sepse kishte kohë që ai nuk ishte bërë i gjallë.
Smithi kishte bindjen se, pavarësisht popullaritetit, politikanët e moderuar kishin shumë pak ndikim në zhvillimet luftarake në terren. Biseda me shefin e protokollit ia hoqi edhe dyshimet e fundit që mund të kishte për këtë. Tanimë kishte ardhur çasti t’i propozonte qendrës për nevojën e kontakteve me udhëheqësit e UÇK-së në terren. Kuptohej që qeveria serbe do të reagonte ashpër për këtë, por Smithi ishte i vetëdijshëm se, po të mos vendoseshin kontakte të drejtpërdrejta me kryengritësit, atëherë amerikanët nuk do të kishin kurrfarë ndikimi në terren.

Agjenti u ul para kompjuterit dhe nisi të shkruante raportin për takimin me shefin e protokollit të liderit të shqiptarëve, si dhe kërkesën që të lejohej të takohej me përfaqësuesit e kryengritësve.

7.

Ndonëse për vite të tëra e kishte ndërtuar personalitetin e tij si një kështjellë lëvizëse të pamposhtur, që i bënte ballë çdo lloj sfide, kësaj here Agroni lejoi ta mundnin ndjenjat. Çdo njeri ka pikën e vet të thyerjes, çastin kur diçka brenda nesh shpërthen dhe del në sipërfaqe, kur gjithkush sillet ndryshe nga ajo që njerëzit janë mësuar të shohin. Pikërisht kjo po ndodhte edhe me Agronin, i cili e ndiente se tashmë barrierat e ndërtuara gjatë viteve po shkërmoqeshin njëra pas tjetrës. Kësisoj ai po ia hapte rrugën asaj që e mbante mbyllur prej kohësh në kthinat më të errëta të shpirtit. Djaloshi i vogël i dikurshëm, i frikësuar për vdekje nga vrasësit e mesnatës dhe i mbyllur në dollap, po e çante koracën dhe ngashërimi i përvajshëm që i ishte ndalur në mes para njëzet e tre vjetësh, po bëhej gati të shpërthente përsëri.

Agroni nuk e kishte lejuar veten që të ndiente për dikë dhe të lidhej me të. Po ta bënte këtë, atëherë do të vendoste të martohej e të kishte fëmijë, çka do ta largonte nga misioni për hakmarrje. Druhej nga ideja e të qenit njeri i zakonshëm, që të ndiente si gjithë të tjerët, që të lëndohej si ata, të përpiqej për mbijetesë dhe në fund të vdiste i rrethuar nga njerëzit që e donin. I trembej mendimit se ndoshta të gjitha këto do ta sfidonin një ditë dhe pastaj do të pranonte të bënte një jetë të zakonshme. Lufta e tij me veten, me njeriun tjetër brenda vetes, ishte një sfidë që vetëm njerëzit e fortë mund ta përballonin. Njëzet e tre vjet traumë, njëzet e tre vjet fshehje, frikë prej vetvetes! Por tani ishte gati të shpërthente.

Agroni nuk e lëshoi revolen nga dora, por në të njëjtën kohë as nuk pati fuqi ta shikonte Lindën në sy. I dukej se, po ta bënte këtë, ajo do të shihte tani një djalosh të trembur dhe jo më burrin e pathyeshëm, që mbahej si emblemë e njeriut të fortë dhe të paepshëm.

– Mos ngurro dhe qëllomë! – i tha Linda me një zë që tregonte lëndim e dhimbje bashkë. – Qëllomë nëse dyshon për mua. Nuk dua të jetoj më nëse ti dyshon… ti më zgjove nga vdekja, ti më dhe shpresë për jetë, ti më bëre të mendoja se në këtë botë ende mund të ketë një vend për mua dhe për… – Ndaloi për një çast. Me buzën poshtme përpiu lotin e radhës dhe mbylli sytë. – …dhe për… ty! – tha me gjysmë zëri.

Me të dëgjuar fjalën e saj të fundit, Agroni sikur u mpi, hapi dorën gati në mënyrë të pavetëdijshme dhe revolja i ra përtokë. Nuk arrinte dot ta ngrinte kokën, ndërsa Linda, pa u menduar më shumë, ia kapi me të dyja duart dhe pastaj nisi t’ia përkëdhelte qafën. Kur ia nguli vështrimin, e dinte fort mirë se çfarë po shihte në sytë e Agronit. Buzëqeshi lehtë dhe lotët rrodhën sërish pa u ndalur. Por tani nuk ishin lot të hidhur. Me të dyja duart ia lëmoi faqet me dhembshuri e kujdes, sikur të kishte frikë se fytyra që fshihte djaloshin e trembur mund të ikte e nuk kthehej më.

– Të dua! – tha dhe buzëqeshi përmes lotëve. – Tani që të njoha, të dua më shumë se kurrë! – Dhe nuk e la më të fliste, por nisi ta puthte. E puthte ku të mundte: në faqe, në buzë, në sy, në hundë, te veshi. Nuk ndaloi derisa edhe Agroni nisi t’ia kthente puthjet. Pas pak, peshqiri me të cilin ishte mbështjellë rrëshqiti nga trupi i saj dhe ra në dysheme, mbi revolen e Agronit.

8.

DIKU NË KOSOVË, PAK KOHË MË PAS

Oficeri i ishte bashkuar nismës së Naimit ngaqë ishte i vetëdijshëm se, pa ndihmë nga jashtë, ushtria kryengritëse kishte pak gjasa për fitore. Ata ishin të paktë në numër përballë një armiku shumëfish më të madh dhe përkundër dëshirës dhe vullnetit të pafund për liri, nuk kishin as arsenalin më elementar për një luftë bashkëkohore. Si ushtarak profesionist, Oficeri e dinte se në këto kushte lufta ose do të zgjaste në pafundësi, ose do të përfundonte në disfatë. Kur Naimi i kishte propozuar të merrte pjesë në operacion, Oficeri e kishte parë këtë si një mundësi për ta kthyer fatin e luftës në favor të kryengritësve. Megjithatë kishte frikë se kjo mund të cenonte kodin moral, që ai e çmonte mbi të gjitha. Nuk ishte penduar për asnjë çast për përfshirjen në këtë histori, përveç faktit se i ishte dashur të mos thoshte të vërtetën gjatë takimit në Prishtinë. Jo se nuk i besonte Presidentit. Jo. Nuk u besonte njerëzve që bënin pjesë në stafin e Presidenti. Madje as vetë lideri nuk u besonte atyre dhe për këtë arsye gjithçka duhej të mbahej tepër sekret.

Oficeri dhe Naimi kishin qenë në një mendje se, po të zbulohej që ata kishin blerë bombën, amerikanët do të ushtronin trysni ndaj politikanëve në Prishtinë. Dhe vërtet po ndodhte ashtu siç e kishin parashikuar.

– Naim, vërtet mendon ta shpërthesh bombën në Beograd? – e pyeti Oficeri.

Gjithë ditën e kishin kaluar së bashku duke analizuar edhe një herë se ç’mund të ndodhte pasi t’ia dorëzonin bombën Agronit dhe ky të lëvizte nëpër Serbi, në drejtim të Beogradit.

-Ne jemi ushtarakë dhe jo kriminelë, – ia ktheu Naimi. Pastaj e drejtoi bisedën në një kah të papritur për Oficerin: – Shpërthimi i bombës është kufiri i fundit, por edhe hapi ynë i fundit. Atë do të detyrohemi ta bëjmë vetëm nëse ka humbur çdo shpresë.

– Kam frikë se, po ta bëjmë këtë, do të na gjykojë historia! – komentoi Oficeri

– Nëse e shpërthejmë, me siguri që do të na gjykojë, sepse nuk do të tregoheshim aspak më të mirë se Millosheviçi. Por të gjithë duhet ta dinë: për sa kohë që serbët do të vazhdojnë me vrasjet dhe përndjekjet ndaj popullit tonë, do të jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Bomba tani është pjesë e arsenalit tonë dhe si e tillë do të përdoret në varësi të veprimeve që do të ndërmarrin serbët.

Mos mendo se edhe amerikanët e patën të lehtë kur hodhën bombën në Hiroshima.

– Nuk po e marr vesh se ç’kërkon të thuash! – ia ktheu Oficeri, sepse po e ngatërronte arsyetimi i Naimit. Deri në atë çast ishte i bindur se Naimi vërtet dëshironte ta shpërthente bombën.

– Unë nuk dua të vras njerëz të pafajshëm, kushdo qofshin ata. Por e gjithë bota duhet ta dijë se për lirinë e vendit tim jam i gatshëm të shkoj deri në fund. Në çastin kur Agroni të jetë futur thellë në territorin serb, ne do të propozojmë bisedime paqësore, por si parakusht do të kërkojmë ndalimin e të gjitha sulmeve serbe.

– Kështu anohet nga politika, – tha Oficeri.

– Besoj se e mban mend nga akademia ushtarake, ku na mësonin se lufta fitohet në fushëbetejë, por paqja humbet në tryezë, nëse nuk ecën me të njëjtin hap me sukseset ushtarake. Kur të gjithë të jenë të vetëdijshëm se bomba është tërësisht funksionale dhe se ne jemi aq të fuqishëm sa ta godasim Serbinë në zemër të saj, ashtu siç godasin çdo ditë serbët në zemër të vendit tonë, vetëm atëherë do të ulemi si dy palë të barabarta në tryezën e bisedimeve.

– Ndoshta! – shfaqi dyshim Oficeri.

– Më beso, është vetëm çështje kohe para se amerikanët të vendosin të na takojnë. Dhe ne do t’u bëjmë të qartë synimin tonë për përfundimin e luftës dhe jo për një konflikt të pafund. Ideja për një konferencë paqësore duhet të jetë e jona dhe jo e Beogradit. Kështu, bota do ta shohë se është Beogradi ai që do luftë dhe jo ne.

– Vërtet mendon se mund të na kontaktojnë amerikanët? Deri tani nuk kanë dhënë asnjë shenjë për diçka të tillë! – Oficeri ishte skeptik për një zhvillim të tillë.

– Amerikanët nuk e kanë harruar Srebrenicën dhe ata e dinë fort mirë se kush është Millosheviçi. Duhet të kemi durim dhe të mos mposhtemi. Gjithë kohën të shfaqemi si ushtri dhe jo si grupe njerëzish të pashpresë. Më pas, koha do të bëjë të veten.

– Kjo puna e njerëzve të pashpresë është një frazë vërtet bajate dhe sa herë e dëgjoj, më acaron, – tha Oficeri duke aluduar për disa politikanë që bënin deklarata të kësaj natyre.

– Mos m’i përmend! – tha Naimi me neveri – Nuk ia vlen të merremi me ta. Për ne është më rëndësi që të largojmë Serbinë dhe jo se ç’thonë disa prej atyre për të cilët e kishe fjalën.

Nga shprehja që mori fytyra e Naimit, Oficeri e kuptoi që ai nuk donte ta vazhdonin më tej këtë bisedë. Madje iu kujtua edhe thënia që ai e citonte shpesh: “Ushtari duhet të zbatojë urdhrat dhe jo të merret me ato që shkruajnë gazetat”.

9.

Uji rridhte me vrull nga rubineti. Agroni kishte mbështetur të dyja duart te lavamani, shikonte ujin që rridhte dhe herë pas here lagte qafën.
Pa veten në pasqyrë.

– Eh, – pëshpëriti duke iu drejtuar vetes në pasqyrë, – ku arrite? Çfarë ke bërë që të luajnë kështu me ty?

Njëzet e tre vjet pritje, njëzet e tre vjet përgatitje. Dhe gjithçka po i shembej para syve. Ideja për hakmarrjen e tij të madhe, aktin e tij të fundit me të cilin mendonte që njëherë e përgjithmonë t’u jepte fund pengjeve, si dhe mendimi që, nëse për në ndonjë mrekulli, mbetej gjallë e më pas t’i kthehej jetës për ta jetuar edhe atë pjesë që i kishte mbetur, tanimë i dukej shumë e largët. Kishte rënë në grackë, në një lojë intrigash, ishte bërë vegël e të tjerëve, kishin shpërdoruar besimin dhe vendosmërinë e tij.

E kishte pushtuar një lloj tërbimi që i kishte vënë përfund të gjitha ndjenjat e tjera. Por ai refleksi i përhershëm, që bënte roje natë e ditë brenda qenies së tij, që e kishte kthjelluar edhe në çastet më të turbullta e të përzishme, po i thoshte sërish se, po të donte të mbijetonte ende, duhej të vetëpërmbahej.

Mbylli rubinetin e ujit dhe nisi të fshihet me peshqir. Pas çdo sekonde që kalonte, po përpiqej të bënte paqe me veten, madje ta bindte se kishte ende forca për vetëpërmbajtje. Por edhe të dilte fitimtar.

U fut në dhomë. Linda po rrinte shtrirë, mbështjellë me çarçaf.

Mori çantën dhe nxori telefonin satelitor, që ia kishte dhënë Naimi në takimin e fundit. Shtypi disa butona dhe priti t’i përgjigjej Naimi në anën tjetër.

10.

– Alo, çuni! – u përgjigj fort i qetë Naimi, i bindur se në anën tjetër duhej të ishte Agroni.

– Pra, e di që ende jam gjallë! – u dëgjua zëri i Agronit.

– Natyrisht! Për këtë nuk kam dyshuar asnjëherë. Gjithmonë e kam ditur se për këtë punë nuk ka më të mirë se ti!

Agroni nuk foli dhe në anën tjetër u dëgjua vetëm frymëmarrja e tij. Naimi e kuptoi që fjalët e tij e kishin prekur Agronin, por e dinte se ai do të përmbahej.

– Më duket se ka ardhur koha të jemi të sinqertë me njëri- tjetrin. Më mirë tani, kur ende mund të shpëtohet diçka, – tha Agroni tejet i përmbajtur, ashtu siç e priste Naimi.

– Ke të drejtë! – ia ktheu Naimi. – Të njoh mirë, çuni. E di se tani po vlon nga inati. Por, falë Zotit, di si të përmbahesh. Po ashtu, e di që ti je një ushtar i përjetshëm. Edhe ajo vasha jote, ashtu është!

– Ç’rëndësi kanë këto? – ia ndërpreu fjalën Agroni.

– Kanë rëndësi, sepse ushtari duhet të bëjë atë që i kërkohet dhe nuk është e thënë të dijë atë që di komandanti i tij! Ti je ushtarak shumë më i zoti se unë dhe këtë e di shumë mirë! – i foli rreptë Naimi, ngaqë e dinte se ushtaraku brenda Agronit do ta kuptonte mirë domethënien e këtyre fjalëve.

– Por ke kërkuar sakrifica prej meje. Dhe e di se do të bëja gjithçka që të më kërkoje, – tha Agroni.

– Po, por atëherë Linda nuk do ta bënte atë që bëri. As ti nuk do të rrezikoje deri në fund. Mos mendo se e kam pasur të lehtë! Ky mision kërkon sakrifica të mëdha. Madje deri aty sa, në rrugë e sipër, më është dashur të lëndoj edhe njerëzit që i kam dashur më shumë!
Agroni nuk foli. Naimi e kuptoi se, diku brenda vetes, Agroni po i jepte të drejtë. Kishte vepruar në emër të një interesi të lartë, përtej interesave vetjake.

-Të falënderoj ty dhe të gjithë ata që ua kemi trazuar jetën në emër të kauzës së përbashkët. Një ditë, gjërat do të kthjellohen, por deri atëherë ne duhet ta çojmë deri në fund misionin tonë. Ky do të jetë shpërblimi më i madh për ne, për ty, për mua dhe për gjithë popullin. Besoj se ti do ta përfundosh misionin ashtu siç je zotuar. Je i vetmi që mund ta kryesh atë dhe pa ty jemi të humbur, – tha Naimi, por kësaj here nuk foli si ushtarak, por si njeri që Agroni e njihte mirë. Fjalët që nxori nga goja ishin thënë me sinqeritet, sepse bomba nuk kishte as edhe një lloj vlere nëse nuk do të ishte në duar të sigurta.

Heshtja në anën tjetër e bëri Naimin të mendonte se ndoshta zemërimi i Agronit i kishte kaluar të gjithë kufijtë. Çdo sekondë që kalonte i dukej sikur ia shtonte nga një gur në zemër, sepse as nuk donte ta imagjinonte situatën në të cilën Agroni të mund të kthehej kundër tij.

– Më thuaj, çfarë duhet të bëj! – tha papritmas Agroni dhe Naimi mori frymë i lehtësuar.